Ndërlidhjet

L. HAZIRI: DECENTRALIZIMI DO AFROJË INSTITUCIONET ME QYTETARËT


Lutfi Haziri, Ministër i Pushtetit Lokal

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ministër, çështja e reformës në pushtetin lokal është potencuar disa herë si një prej prioriteteve në Kosovë. Aktualisht, cilat janë zhvillimet në këtë proces, tani që me formimin e qeverisë së re, ju jeni në krye të këtij procesi?

LUTFI HAZIRI
Është e vërtetë, reformat janë në kuadër të prioriteteve të larta të punës së qeverisë dhe si Ministër i Pushtetit Lokal, unë kam marë rolin e koordinimit të aktiviteteve mes qeverisë dhe institucioneve ndërkombëtare. Ndërkohë janë të përfshirë edhe njerëz të tjerë kompetentë. Jemi në fazën e diskutimit, të përcaktimit të kritereve për zgjedhjen e pilot-komunave, të cilat do të marrin mbi vete përmbushjen e detyrave, që do të bëhen mbi bazën e një strategjie, që qeveria do ta miratojë në bashkëpunim me zyrën e përfaqësuesit special dhe unë shpresoj se do të sjellë rezultate. Por ajo që do ta sqaroj edhe për ju është, që nuk fillon procesi i reformimit në tërë Kosovën. Është procesi eksperimentues në një numër të vogël të komunave, të cilat do të marrin mbi vete në fazën e ardhshme të implementojnë në konceptin e vetëqeverisjes lokale, për të vlerësuar në të ardhmen e afërme, se sa ka potencial, se sa kanë mundësi, se cilat do të jenë nevojat dhe rezultatet e këtij procesi për të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka qenë disi e paqartë çështja e pilotimit të projekteve se a do të zbatohen në kuadër të komunave egzistuese, apo do të propozohet ndonjë pilot-komunë e re në Kosovë. Cili është në këtë rafsh qëndrimi i qeverisë së Kosovës?

LUTFI HAZIRI
Dokumenti kornizë për reforma në administratën lokale, ka bërë përcaktimin e institucioneve, të detyrave, duke paraparë edhe nivele më të ulta komunale, që do të bartin detyra dhe përgjegjësi. Po ashtu fazë tjetër është përcaktimi i detyrave të deleguara që mund të dërgohen në komunat egzistuese. Edhe më tutje po punohet në përcaktimin e kritereve për zgjedhjen e pilot-komunave. Qasja jonë është që të zgjidhen komunat, të cilat kanë mundësi realisht, komunitetet, të cilat mund të kënaqin interesat e tyre, duke i dhënë vetëm detyra vetëqeverisëse, sepse kemi të bëjmë vetëm me detyra komunale, e jo me detyra të tjera, të cilat janë në interes të përgjithshëm. Dhe unë besoj se pilot – komunat do t'i përfshijnë komunat e Kosovës, ndërsa reformimi si pilot projekt, do të shkojë në njësi edhe më të ulta komunale.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh afatet që janë përcaktuar në kuadër të vlerësimit të standardeve, a mund të pritet deri atëhere fillimi i testimit të këtij procesi dhe a do të mund të bëhet një vlerësim sesa ishte i suksesshëm ky testim?

LUTFI HAZIRI
Faza e parë e procesit, e eksperimentimit të kornizës reformë për administratën lokale do të jetë dhe po punohet aktivisht në përcaktimin e kritereve. Në momentin që do të përcaktohen kriteret, do të jetë shumë me e lehtë që të fillohet ndërtimi i strategjisë implementuese, studimi i detyrave, të cilat mund të realizohen, sepse nuk mund të delegohen të gjitha detyrat dhe nuk mund të fillohet të implementohet. Po ashtu do të studjohet dhe do të vlerësohet kostoja buxhetore, sesa ka nevojë mjete financiare dhe ku do të merren ato, sepse buxheti i Kosovës tashmë e ka kornizën e vet në të cilën dhe përmes së cilës, nuk do të ketë mundësi të mëdha buxhetore që t'i mbulojë. Dhe sigurisht do të ketë ekipe profesionale të qeverisë dhe të ekspertëve, të cilët do të monitorojnë nga afër dhe në një anë do të ndihmojnë zhvillimin e këtij procesi, në anën tjetër do të monitorojnë se sa janë kapacitetet njerëzore, sesa janë përgjegjësitë politike, dhe sesa realizohen këto detyra para qytetarit. Po ashtu roli i parlamentit në harmonizimin e ligjeve, në nxjerrjen e ligjit për qeverisjen lokale, e cila do të standardizojë pushtetin lokal në Kosovë dhe do të përcaktojë vizionin e zhvillimit të përgjithshëm në fazat e ardhshme, është njëra prej prioriteteve të larta që do ta kemi gjatë kësaj faze implementuese. Sigurisht që hezitim nuk ka, do të fillojë shumë shpejt vendosja e kritereve, zgjedhja e pilot-komunave dhe fillimi i zbatimit të procesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa herë që flitet për reformën në pushtetin lokal, apo decentralizimin, gjithnjë ka dhe një hezitim tek një pjesë e oponionit se a bëhet fjalë këtu për krijimin e një Kosove me shumë komuna, apo bëhet fjalë për një reformë që do të zbatohet për afrimin e pushtetit më afër qytetarit. Cili do të ishte mesazhi juaj për opinionet e tilla?

LUTFI HAZIRI
Momentalisht ka hezitim është shumë e vërtetë. Hezitimi më i madh është tek komuniteti serb. Nuk kanë marë pjesë në ndërtimine kornizës ligjore, nuk kanë marrë pjesë në asnjë proces përgatitor deri në këtë fazë, që është pak shqetësuese për ne në ndërtimin e politikave të reja implementuese nëse nuk është marrë pjesë aktive. Qeveria e Kosovës nuk heziton për të filluar këtë proces. Nuk bëhet fjalë për rritjen apo zvogëlimin apo riorganizmin administrativ të Kosovës. Bëhet fjalë për afrimin e institucionit më afër qytetarit, bëhet fjalë për eleminimin e defekteve në relacion pushtet qëndror pushtet lokal, organizimin e këtyre raporteve, definimin e detyrave qartë dhe po ashtu me ligj do të rregullohet cilat janë institucionet komunale, çfarë janë ato, kush janë bartësit e institucioneve lokale, në veçanti roline komunës, rolin e kryetarit të komunës, rolin e kryeshefit egzekutiv dhe rolin e komunës në raport me zyrat e tjera që funksionojnë në rafshin e pushtetit lokal, çfarë është roli i policisë, roli i komunës në raport me zhvillimin e interesave të komuniteteve etnike në konceptin e integrimeve më të mëdha dhe të gjitha këto janë çështje që me këtë kornizë do të rregullohen përfundimisht ose hyjnë në procesin e rregullimit.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG