Ndërlidhjet

BEOGRAD


Shtetet e Bashkuara planifikojnë masa ndëshkuese shtesë kundër Serbisë e Malit të Zi, nëse qeveria në Beograd në mënyrë të vazhdueshme nuk përmbush detyrimet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.
Kjo është bërë e ditur nga ambasadori amerikan në Beograd, Michael Polt, që ka theksuar se durimit amerikan po i vjen fundi.
"Ajo cfarë duhet të bëjë Qeveria e Serbisë është të përmbushë plotësisht e pa kushte kërkesat për të dërguar të akuzuarit në Gjykatën e Hagës. Nuk mund të ketë përmbushje të pjesshme, ashtu si nuk mund të ketë përmbushje të detyrimeve në baza individuale. Duhet të dërgohen të gjithë personat e akuzuar nga Gjykata", tha Polt.
Ai më tej ka shtuar se po tërhiqen të gjithë ekspertët amerikanë nga ministritë serbe. Këto masa vijnë pas pezullimit të 10 milionë dollarëve ndihma nga Qeveria amerikane për Serbinë e Malin e Zi.
Pas vendimit të Departamentit amerikan të Shtetit, presidenti serb, Boris Tadic, ka kërkuar nga qeveria e Serbisë të dalë me një plan të qartë për zgjidhjen e bashkëpunimit me Hagën. "Masat më të reja të qeverisë amerikane do reflektohen tek qytetarët e Serbisë, para së gjithash tek shfrytëzuesit e buxhetit. Kërkoj, para së gjithash nga Qeveria, e cila pohonte se nuk do ketë pasoja nga mosbashkëpunimi me Hagën, të marrë masa urgjente për pengimin e mëtejmë të izolimit ndërkombëtar, të shkatërrimit ekonomik të vendit dhe varfërimin e qytetarëve", thuhet në një deklaratë të presidentit serb. Ndërsa zyrtarë të qeverisë i kanë cilësuar masat e qeverisë amerikane si joefikase.
XS
SM
MD
LG