Ndërlidhjet

REXHEPI:"STANDARDI PARËSOR - SIGURIA E KOMUNITETEVE"


Bajram REXHEPI, deputet i PDK-së në Parlamentin e Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rexhepi, në fillim të kësaj bisede, megjithëse është një periudhë e shkurtër, si i vlerësoni veprimet e para të qeverisë së re të zotit Haradinaj?

BAJRAM REXHEPI
Mund të them se egziston një dinamikë sa i përket kryeministrit Haradinaj, i cili paraprakisht sa ishte edhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka patur një energji të pashtershme. Këtë e ka dëshmuar edhe si kryeministër. Edhe ministrat, disa prej tyre, shihet se kanë angazhime, kanë një dinamikë të veprimeve, mirëpo është ende herët. Është pak më tepër se një muaj që të bëhet një vlerësim. Me siguri, përkushtimi, angazhimi nuk i mungon, në rend të parë kryeministrit dhe dy - tre ministrave, ndërsa të tjerët nuk kemi informata se çfarë veprojnë, ose mendojnë se janë të mjaftueshëm për vetëveten se janë ministra dhe që do t'i kryejnë ato detyrat që dalin në ministritë e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Është thënë se ky vit do të jetë i rëndësishëm për Kosovën. Në rend të parë pritet vlerësimi i standardeve dhe pastaj fillimi i procesit për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Çfarë prisni ju nga ky vit?

BAJRAM REXHEPI
Unë mendoj se edhe gjatë vitit 2004, në takimet që kishim me Grupin Kontakt Plus ose me të ashtuquajturin Grup përkrahës për Kosovën, në të gjitha takimet në një mënyrë gati është përcaktuar që mesin e vitit 2005 duhet të fillojë përcaktimi i statusit të Kosovës edhe pse ky nuk është një rregull i shkruar, por është një gadishmëri e faktorit ndërkombëtar dhe e UNMIK-ut, që në këtë kohë të fillojë përcaktimi i statusit të Kosovës. Unë mendoj se duhet të punohet në përmbushjen e standardeve, sidomos në ato prioritare dhe duhet të fillojë përcaktimi i statusit të Kosovës. Mirëpo nuk pres që ky përcaktim i statusit të bëhet shpejt, siç ka patur deklarime edhe gjatë fushatës, pra që gjatë vitit 2005 të përfundojë përcaktimi i statusit të Kosovës. Unë mendoj se ky proces do të zgjatë më shumë, ndoshta dy tre vjet. Është me rëndësi të madhe që të fillojë në mesin e vitit 2005, për arsye se në një mënyrë është edhe një përgatitje psikologjike, edhe e subjekteve politike, por edhe e qytetarëve të Kosovës, që deri në mesin e vitit 2005 të pritet dhe të punohet në përmbushjen e standardeve. Më gjatë nuk pret çështja e përcaktimit të statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Le të mbetemi tek çështja e standardeve prioritare. Gjatë mandatit tuaj si kryeministër, keni qenë shumë të angazhuar me qeverinë dhe me institucionet e Kosovës në çështjen e standardeve. Në çfarë mase mendoni se janë arritur standardet, veçanërisht ato prioritare?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se fillimisht ka qenë qasja jo e drejtë "Standardet para statusit", më vonë ka kaluar në një formulë tjetër "Standardet dhe statusi". Kjo është arritur gjatë qeverisë së mëparshme në vitin 2004 dhe sigurisht që ka të arritura dhe varet se çfarë pret faktori ndërkombëtar. Prioriteti më i madh do të jetë siguria për komunitetet, në radhë të parë për komunitetin serb, liria e lëvizjes, respektimi i pronës. Pra këto janë disa standarde prioritare dhe tani si superstandard apo standard më i lartë del çështja e decentralizimit, ku mendohet se nëpërmjet këtij procesi do të krijohen kushte më të mira, edhe për sigurinë e komuniteteve minoritare, edhe për lirinë e lëvizjes dhe qasjen më të drejtpërdrejtë në institucione dhe në shërbime publike. Pra në këtë drejtim mund të bëhen të arritura dhe kur egziston gadishmëria e faktorit ndërkombëtar, ata mund ta vlerësojnë pozitivisht. Nëse nuk egziston kjo gadishmëri, atëhere edhe sikur të arrihen suksese të konsiderueshme, mund të them se nuk do të jenë të mjaftueshme. Mirëpo egziston një klimë politike, që nëse nuk ndodh diçka e paparashikueshme në këtë situatë, nëse punohet me një dinamikë që është filluar më parë dhe që vazhdohet për përmbushjen e standardeve, mendoj se do të ketë një vlerësim pozitiv.

RADIO EVROPA E LIRË
Temë e pashmangshme në Kosovë, janë edhe raportet ndërmjet administratës ndërkombëtare dhe institucioneve vendëse. Si i vlerësoni ju këto raporte dhe si mendoni se do të zhvillohen në të ardhmen?

BAJRAM REXHEPI
Mendoj se ishte fatbardhësi për Kosovën ardhja e kryeadministratorit të ri për Kosovën, zotit Jessen Petersen, i cili solli një frymë të re të bashkëpunimit, një qasje tjetër, një njeri, i cili ka vullnet, ka energji dhe di se çfarë do, një njeri që është shumë më i afërt, konsultohet edhe me institucionet vendore, pra i konsideron si partnerë, një njeri i cili e ka marë si bazë raportin e ambasadorit Kai Eide, si një udhërrëfyes se nga duhet të shkojë ky bashkëpunim dhe cilat janë ndryshimet e domosdoshme në raportet e ndërkombëtarë- vendorë. Mendoj se po ashtu edhe institucionet kosovare dhe liderët politikë, e kanë një bashkëpunim të mirë dhe një besim tek zoti Jessen Petersen dhe egzistojnë disa parakushte që ky bashkëpunim edhe më tutje të zhvillohet në drejtimin e duhur. Pra me një bashkëpunim të mirëfilltë fitojnë edhe kosovarët, ndërsa faktori ndërkombëtar e kryen misionin e tij parësor si duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi zoti Rexhepi, do doja shkurtimisht t'i kthehem mandatit tuaj të kaluar si kryeministër i Kosovës. Si e vlerësoni ju këtë mandat dhe a mendoni se ka patur mundësi për t'u bërë më tepër?

BAJRAM REXHEPI
Gjithnjë mund të bëhet më tepër dhe asnjëherë nuk duhet të jeni plotësisht të kënaqur. As unë nuk jam plotësisht i kënaqur, por s'duhet të jenë as qeveritarët e rinj të kënaqur me atë çfarë bëjnë. Mirëpo mund të them, jo të kërkoj arsyetim, por veprimi si qeveri më parë ka qenë shumë më i vështirë, për arsye se ne i kemi vënë themelet e institucionit të qeverisë, edhe të stafit në nivel të shërbimeve publike dhe jemi ballafaquar edhe me probleme të ndryshme, jo vetëm të hapësirës, por edhe me një bashkëpunim jo më të mirë me faktorin ndërkombëtar. Ndërsa tani është një situatë krejt tjetër. Me ardhjen e zotit Jessen Petersen, këto diferenca, dallime janë tejkaluar. Pra realisht këta kanë një predispozitë më të mirë sesa e ka patur qeveria e mëparshme.

Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG