Ndërlidhjet

ZGJEDHJA E PILOT-KOMUNAVE PËR DECENTRALIZIM KUNDËRSHTOHET NGA PDK-JA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës së shpejti do të shpallë vendimin për pilot-komunat, me të cilat gjatë 18 muajve të ardhshëm, do të testohet zbatimi i decentralizimit. Këto do të jenë pilot-komuna të reja, që sipas zëdhënësit të qeverisë Arben Qirezi, do të marrin mbi vete të njëjtat kompetenca që kanë dhe komunat egzistuese. Në anën tjetër, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, e ka konsideruar këtë vendim të qeverisë, si jo në harmoni me draftin – kornizë për decentralizimin, duke e parë atë si mundësi reale për ndarjen e Kosovës në vija etnike. Sidoqoftë, zëdhënësi Qirezi tha se vendimi pritet të shpallet shpejt ku do të testohet zbatimi i këtij procesi në Kosovë:
“Pilot-komunat janë projekte që do të zgjasin 18 muaj, kohë, gjatë së cilës do të testohet funksionimi i pushtetit lokal nëpër komunitete të ndryshme të Kosovës”, tha zëdhënësi Qirezi.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se partia e tij e ka shtruar tashmë kërkesën që Kuvendi i Kosovës ta shqyrtojë vendimin e qeverisë, pasi sipas tij, ai bie ndesh me parimet e draftit-kornizë dhe lë mundësi të mëdha për shtimin e komunave etnike, që do të mund të shndërrohen në enklava të reja:
“Komunat etnike, sidomos me shumicë serbe, nuk janë integruar në asnjë formë në jetën institucionale në Kosovë dhe krijimi i komunave të reja mbi baza etnike, vetëm do ta shtonte enklavizimin e Kosovës, por nuk do ta ndihmonte integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës”.
Zoti Krasniqi tha po ashtu, se drafti–kornizë parasheh që testimi i reformës, apo decentralizimit, të bëhet në kuadër të komunave egzistuese, duke shpërndarë kompetenca dhe përgjegjësi në disa njësi nënkomunale, që do duheshin krijuar dhe jo në komuna të reja. Sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për komuna të reja etnike, si dhe nuk ka buxhet për infrastrukturën dhe administratën e domosdoshme në rast të formimit të komunave të reja në Kosovë. Mbi të gjitha, shton Krasniqi, ndryshimi i kufinjve të komunave bie ndesh dhe me Kornizën Kushtetuese:
“Nëse bëhet fjalë për ndryshimin e territorit të komunës, kjo është çështje politike dhe me këtë çështje nuk mund të merren grupet teknike të punës, por me këtë çështje duhet të merret parlamenti. Prandaj ne kërkojmë që parlamenti ta formojë një grup për decentralizimin dhe parlamenti ta marë përgjegjësinë, nëse është nevoja, edhe për krijimin e komunave të reja. Por, mendoj që krijimi i komunave të reja bie ndesh edhe me rekomandimet e Këshillit të Evropës, që janë dhënë lidhur me reformimin e pushtetit lokal në Kosovë”, theksoi Krasniqi.
Në anën tjetër, zëdhënësi i qeverisë Arben Qirezi, tha se vendimi mbi kriteret për pilot-komunat do të merret në nivele politike dhe në bashkëpunim me administratën ndërkombëtare:
“Sa i përket përzgjedhjes së lokaliteteve ku do të fillojë projekti i pilot – komunave, këto do të merren në nivel politik, do të jenë vendime politike të marra nga ana e qeverisë së Kosovës dhe UNMIK-ut”, tha Qirezi.
Ndërkohë, njëri nga liderët e serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç, thotë se decentralizimi duhet të përfshijë krijimin e më tepër se 40 komunave të reja në Kosovë:
“Disa komuna duhet të formohen në territore ku serbët përbëjnë shumicën”, tha Ivanoviç, duke shtuar se kjo nuk nënkupton se të gjitha komunat e reja duhet të jenë një-etnike, por gjithashtu edhe komuna shumë-etnike.
Kuvendi i Kosovës do të mblidhet më 26 janar, kur do të shqyrtohet nëse edhe ky institucion do të përfshihet në procesin e decentralizimit siç e kërkon opozita.


XS
SM
MD
LG