Ndërlidhjet

CONDOLEEZZA RICE: TANI ËSHTË KOHA PËR DIPLOMACI


Andrew Tully

E emëruara e presidentit George Bush për Sekretare Shteti Condoleezza Rice, i tha Komitetit për Politikë të Jashtme, se prioriteti kryesor në politikën e jashtme të administratës do të jetë përhapja e demokracisë në Lindjen e Mesme.
Komentet e saj u bënë në ditën e parë të seancës dëgjimore në Senat, ku ajo foli për një varg çështjesh në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, si dhe mbrojti strategjinë ushtarake dhe politike amerikane në Irak.
Në katër vitet e shkuara, Rice shërbeu si Këshilltare për Siguri Kombëtare e presidentit Bush, dhe si më e besueshmja e tij për politikën e jashtme. Nëse konfirmohet në postin e Sekretares së Shtetit, ajo do ta zëvendësojë Colin Powellin, i cili raportohet se kishte mosmarrëveshje me administratën për një varg çështjesh politike, sidomos rreth Irakut.
Duke folur për demokracinë në Lindjen e Mesme, Rice i tha panelit se vdekja e Yasser Arafatit ishte një "mundësi" për zgjedhje të reja për palestinezët. Ajo gjithashtu i përmendi zgjedhjet e vjeshtës në Afganistan, kurse për zgjedhjet e 30 janarit në Irak tha se janë shembull për pjesën tjetër të botës myslimane.
"Suksesi i lirisë në Afganistan dhe Irak do t'u japë forcë dhe shpresë reformatorëve në mbarë rajonin, do ta përshpejtojë ritmin e reformave që tashmë kanë filluar. Nga Maroku, në Jordani dhe Bahrein, po shohim zgjedhje dhe mbrojtje të reja të grave dhe pakicave dhe fillime të pluralizmit politik", tha Rice.
Shqetësimet e saj për demokraci nuk u kufizuan vetëm në botën myslimane. Rice e vuri theksin te problemet me institucionet demokratike në Rusi, edhe pse Bushi i ka cilësuar si personale marrëdhëniet e tij me presidentin Vladimir Putin.
"Në Rusi, po shohim se rruga drejt demokracisë është e pasheshuar dhe suksesi i saj ende nuk është siguruar. Megjithatë, historia e fundit tregon se mund të punojmë me Rusinë në problemet e përbashkëta. Do të vazhdojmë ta bëjmë të qartë se mbrojtja e demokracisë në Rusi është vitale për ardhmërinë e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara", tha Rice.
Ajo gjithashtu bëri thirrje për demokratizimin e mëtejmë në Serbi dhe zgjidhjen e çështjeve në Kosovë, veçanërisht problemin e minoritetit serb.
"Mendoj se Kosova është prioritet i lartë, sepse do të ndihmonte të kompletohet rindërtimi i Evropës. Në fakt, përderisa nuk zgjidhen çështjet në Ballkan, do të jetë vështirë të mendohet për një Evropë vërtetë të tërë dhe të lirë. Prandaj, duhet t'i zgjidhim çështjet e mbetura në Ballkan", tha Condoleezza Rice.
Shumicën e kohës, senatorët nuk e sfidonin ashpër zonjën Rice. Por njëri nga anëtarët e Komitetit, senatori demokrat Joseph Biden, e pyeti se si do t'i riparonte dëmet e shkaktuara nga lufta në Irak. Rice tha se "tani është koha për diplomaci", ndërsa Biden tha se "tani" mund të jetë vonë.
"Përkundër fuqisë sonë të madhe ushtarake, sipas meje, ne jemi më të vetmuar në botë se ç'mbaj mend ndonjëherë. Sipas meje, koha për diplomacinë ka kaluar prej kohësh dhe si pasojë, ne jemi në gjendje më pak të sigurtë seç duhej të ishim", tha Biden.
Senatori demokrat John Kerry, i cili pa sukses e sfidoi presidentin Bush në zgjedhjet presidenciale, gjithashtu e kritikoi Rice dhe administratën e Bushit për planifikimin e luftës, sidomos për nivelin e trupave, për të cilat kritikët thonë se nuk mjaftojnë për t'ia dalë mbanë me kryengritjen në Irak.
"Politika aktuale e rrit kryengritjen, nuk e zhduk atë", tha Kerry, duke shtuar se zgjedhjet e 30 janarit, mund të mos japin rezultatet që i parashikon administrata e Bushit.
Rice u përgjigj se administrata është e vetëdijshme se votimet me gjasë nuk do të sjellin stabilitet të menjëhershëm politik, por tha se do të ishin hap pozitiv drejt normalizimit të Irakut.
XS
SM
MD
LG