Ndërlidhjet

logo-print

BUSEK:"BASHKIMI EVROPIAN NUK KA STRATEGJI PËR KOSOVËN"


Erhard BUSEK, kryesues i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore


RADIO EVROPA E LIRË
Si drejtues i Paktit të Stabilitetit keni deklaruar se Bashkimi Evropian nuk ka strategji për integrimin e Ballkanit Perëndimor....

ERHAD BUSEK
Shqetësimi im kryesor është se për momentin nuk kemi strategji për Kosovën. Në një kohë që bisedimet për statusin do fillojnë në 2005, nuk dihet se cili do të jetë qëndrimi i Bashkimit Evropian.
Sa i përket mungesës së strategjisë për rajonin, do të thotë se nuk kemi ndjekje të situatës. Kemi filluar bisedimet me Kroacinë, por për momentin çdo gjë po mbetet në hije për shkak të diskutimeve rreth Turqisë. Kjo është për të ardhur keq, sepse Evropa Juglindore është Evropë dhe nuk ka diskutim në këtë drejtim. Ndërkaq, nuk do ketë zgjerim në kuptimin e mirëfilltë pa Evropën Juglindore.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë se ju shqetëson mungesa e strategjisë së Brukselit ndaj statusit përfundimtar të Kosovës. A mund ta shpjegoni më gjerësisht?

ERHARD BUSEK
E kuptoj se ka një gjendje të trazuar, ndonëse nuk kemi protesta në Kosovë. Nga ana tjetër ne po ecim sipas politikës "standardet para statusit", por na duhet dhe perspektiva. Por duke ecur drejt përmbushjes së standardeve, ne përmbushim edhe një aspekt të statusit. Këtë do ta ilustroj me shembullin e marrëveshjeve për tregti të lirë me vendet e rajonit. Nëse bëjmë marrëveshjet e tregtisë së lirë mes Kosovës dhe Maqedonisë, apo Bullgarisë, ne njëherësh kemi dhënë dhe një pjesë sado të vogël të statusit. Por, për sa kohë që shqiptarët e serbët në Kosovë nuk ulen të bisedojnë, apo dialogu Prishtinë-Beograd nuk funksionon, atëherë nuk mund të kemi sukses në këtë drejtim.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se SHBA-të mund të marrin hapa të njëanshme në njohjen e pavarësisë së Kosovës, pas fillimit të bisedimeve për statusin. A mendoni se Uashingtoni dhe Brukseli kanë qasje të ndryshme ndaj Kosovës?

ERHARD BUSEK
Le ta kthejmë ndryshe. Nga njëra anë është thënë afro një vit më parë nga Mark Grosman se duhet të fillojnë bisedimet e statusit në 2005. Frika ime është si vijon:
Kosova është një problem tipik evropian. Por nëse evropianët nuk bëjnë asnjë lëvizje në drejtim të zgjidhjes së problemit, atëherë është tipike për Shtetet e Bashkuara që të humbasin durimin. Dhe për këtë kemi jo pak shembuj. Evropianët për 4 vjet diskutonin rreth Bosnjë-Hercegovinës, por pa asnjë rezultat, derisa ndërhynë SHBA-të. Ne si evropianë për shumë kohë u përpoqëm të bënim presion mbi Millosheviçin për Kosovën, por pa arritur ta ndryshojmë situatën. Ndërkohë NATO-ja erdhi në skenë përmes ndërhyrjes ushtarake, kryesisht e inicuar nga amerikanët me mbështetjen e partnerëve evropianë. Ndërkaq lidhur me emrin e Maqedonisë, ndonëse ishte rast i vogël, sërish amerikanët erdhën me një qëndrim të tyre. Mendoj se është shumë e nevojshme që Evropa të arrijë një qëndrim të përbashkët për Kosovën. Unë jam në favor të evropianizimit të UNMIK-ut, pasi Kosova nuk është në mesin e përparësive për OKB-në, por për Evropën Kosova dhe rajoni duhet të jenë në plan të parë.

RADIO EVROPA E LIRË
Thoni evropianizim të UNMIK-ut, në një kohë që Evropa nuk ka strategji për Kosovën. A ka kontradiktë në këtë qëndrim?

ERHARD BUSEK
Mendoj se ato plotësojnë njëra-tjetrën. Nëse flet për evropianizim, atëherë duhet një strategji zbatuese, pasi evropianizimi është strategji në vetvete, që duhet vënë në jetë. Mendoj se evropianizimi i administratës në Kosovë është hapi që duhet drejt zgjidhjes së problemit. Ndërkohë që Kombet e Bashkuara janë të shpërndara në shumë rajone dhe ju e dini se kur përzihen shumë duar, nuk e bëjnë ushqimin e mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të na thoni nëse ka skenare të mundshme për të ardhmen e Kosovës që qarkullojnë në qarqet evropiane?

ERHARD BUSEK
Qeveria amerikane prej disa kohësh vepron në mënyrë të njëanshme, ndaj edhe në këtë rast mund të veprojë e vetme. Ndërkohë që partnerët brenda BE-së kërkojnë aksione shumëpalëshe. Por kjo realizohet vetëm kur ka një qëndrim të përbashkët. Ajo që ekziston aktualisht në Bashkimin Evropian, nga ato që bisedoj e kam informacion, është se çdokush pa përjashtim është i bindur se na duhet një qëndrim. Por me sa di unë, deri tani është gati e pamundur të dish se cili është, apo do jetë qëndrimi.

RADIO EVROPA E LIRË
Gjendja ekonomike dhe sociale në Kosovë flet për mbi gjysmën e popullsisë të papunë, gati po kaq jeton nën nivelin e varfërisë. Përderisa nuk ka zgjidhje për statusin, a ka BE-ja ndonjë strategji për mëkëmbjen ekonomike të Kosovës?

ERHARD BUSEK
Kjo është arsyeja përse jam për evropianizimin. Kur flas me përfaqësues të qeverive të ndryshme për këto probleme, më thonë se nuk është përgjegjësi e tyre, por e Kombeve të Bashkuara. Ata thonë se përgjegjësia e tyre është vetëm një e 188-ta pjesë e përgjegjësisë, derisa ky është numri i vendeve anëtare në OKB.
Unë luftoj me sa mundem që Evropa të jetë përgjegjëse në Kosovë, natyrisht në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara. Arsyeja e parë është se nëse nuk do të zgjidhim problemin e Kosovës do të përballemi me valë migracioni, që padyshim po ndodh dhe tani, do kemi krim të organizuar, i cili edhe aktualisht funksionon. Njëherësh do përballemi dhe me çështje të stabilitetit në Evropën Juglindore. Njëkohësisht çështja e Kosovës nuk lejon integrimin evropian të Serbisë e Malit të Zi. Këto janë argumentet që prekin drejtpërsëdrejti Evropën.

RADIO EVROPA E LIRË
Është fakt i pranuar nga të gjitha palët se gjendja e pakicave, veçanërisht e asaj serbe në Kosovë, është e vështirë. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës refuzojnë të marrin pjesë në institucionet vendore. A shihni ndonjë zgjidhje në këtë rreth të mbyllur?

ERHARD BUSEK
Ka pasur deklarime të qarta në këtë drejtim. Jessen Petersen, Solana dhe të tjerët e kanë thënë qartas se mospjesëmarrja e serbëve të Kosovës në zgjedhje ishte gabim. Ne kemi qenë të pakënaqur nga disa deklarata të Beogradit, veçanërisht të Koshtunicës, që ka kërkuar mospjesëmarrjen në zgjedhje të serbëve të Kosovës. Kjo qasje duhet të ndryshojë.
Nga ana tjetër mendoj se duhet të kalojnë më shumë përgjegjësi, veçanërisht në fushën e sigurisë tek qeveria vendore, në mënyrë që të krijohet siguri edhe për pakicën serbe. Natyrisht qeveria e Kosovës ka përgjegjësi, por derisa siguria është e drejtë e rezervuar e UNMIK-ut, atëherë askush nuk e ka realisht ndjenjën e përgjegjësisë. Ajo që duhet të bëjmë është t'u japim përgjegjësi shqiptarëve të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni se do ndodhë në mes të vitit 2005?

ERHARD BUSEK
Mendoj se deri në mes të 2005 duhet që BE-ja të arrijë një qëndrim të përbashkët. Kjo është bindja e shumë qeverive. Ne duhet të sjellim gjithë palët dhe partnerët së bashku. Nuk do jetë proces i shpejtë, por hap pas hapi duhet të sjellim më afër shqiptarët dhe serbët e Kosovës dhe nga ana tjetër duhet të ulim Prishtinën e Beogradin në të njëjtin nivel përfaqësimi. Mendoj se BE-ja, Grupi i Kontaktit, por dhe Këshilli i Sigurimit kanë përgjegjësi për t'i shtyrë gjërat përpara.

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova është pjesë e një rajoni të pastabilizuar. Bashkësia shtetërore Serbi e Mali i Zi është ende në udhëkryq. Si e shihni të ardhmen mes Beogradit dhe Podgoricës?

ERHARD BUSEK
Kemi në fakt dy çështje të hapura. Nga njëra anë është Bosnjë-Hercegovina ku kemi problemin e Republikës Serbe dhe Federatës. Duket se Pady Ashdoun po e kalon procesin në drejtimin e duhur, ndërsa mbetet të presim rezultatet.
Problemi tjetër është, siç e them shpesh, Serbia presje, Mali i Zi presje, Kosova presje. Mendoj se secila nga këto pjesë është një problem në vetvete dhe kemi problemin e marrëdhënieve në mes tyre. Njëherësh Beogradi dhe Podgorica duhet të gjejnë një zgjidhje; ose të arrijnë të krijojnë një shtet që funksion ose të ndahen. Ajo çfarë egziston tani nuk është një shtet i përbashkët. Ka pak gjëra të përbashkëta, të cilat nuk funksionojnë mirë. Ne p.sh e kemi me të lehtë të mundësojmë tre marrëveshje të tregtisë së lirë me Serbinë e Malin e Zi, sesa të kemi një marrëveshje të përbashkët për këtë Union. Dhe kjo pasi Serbia e Mali i Zi e kanë shumë të vështirë të kenë pozicione të përbashkëta. Kështu ne harxhojmë shumë energji e burime njerëzore për të mundësuar këto marrëveshje.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të vlerësonit procesin e integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë?

ERHARD BUSEK
Kemi pasur disa vite të vështira. Maqedonia filloi mirë pas marrjes së pavarësisë, por më pas erdhën vështirësitë për shkak të problemeve mes maqedonasve sllavë dhe shqiptarëve. Fatmirësisht me Marrëveshjen e Ohrit dhe dështimin e referendumit vitin e kaluar, gjërat janë në drejtimin e duhur. Ajo që unë kërkoj të bëhet është një, le ta themi, Marrëveshje e dytë e Ohrit, lidhur me ekonominë dhe çështjet sociale. Është e rëndësishme që ata po ecin në drejtimin e BE-së, por ka ende shumë gjëra për të bërë, ndonëse nuk do jetë e lehtë. Me rëndësi është se qeveria maqedonase është plotësisht e ndërgjegjëshme për këtë.
Sa i përket Shqipërisë ka përmirësime. Së pari, nuk po bëhet më politika në rrugë, por në parlament, çfarë është pozitive. Ka ecje përpara edhe në përmirësimin e gjendjes ekonomike. Ata kanë mundur të ndalojnë trafikun e njerëzve nëpër Adriatik. Problemi i Shqipërisë është se e filloi transformimin nga një nivel tepër i ulët, krahasuar me të tjerët. Disa herë kam përshtypjen se Evropa e harron jo rrallë Shqipërinë, çfarë është gabim. Ka përmirësime, por rruga e Shqipërisë do jetë më e gjatë, le të themi se ajo e Kroacisë.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG