Ndërlidhjet

logo-print

KOMITETI KËRKOI NGA SENATI TË MIRATOJË SEKRETAREN E SHTETIT CONDOLEEZZA RICE


Andrew Tully

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i Senatit amerikan, të mërkurën i rekomandoi Senatit ta miratojë nominimin e Condoleezza Rice në postin e Sekretares së Shtetit.
Votimi nuk ishte befasi dhe Senati pritet të veprojë sipas rekomandimit.
Por dy ditët e seancës së Komitetit, treguan se senatorët nuk janë të qetë me idenë se Rice do të bëhet kryediplomatja e vendit.
Komiteti i përfundoi dy ditët e seancës më të përzemërt dëgjimore me votimin 16-2 në favor të rekomandimit që Condoleezza Rice, të enjten të marë bekimin e plotë nga Senati.
Në panelin që kontrollohet nga anëtarët e Partisë Republikane të presidentit George Bush, pyetjet ishin shumë të kujdesshme, ndërsa Rice u përgjigjej me maturi.
Por ajo disa herë edhe u sfidua për rolin e saj në vendimet kundërthënëse të administratës së Bushit, përfshirë invazionin në Irak. Kritikët thonë se lufta i la Shtetet e Bashkuara të izoluara politikisht, madje edhe nga disa aleatë tradicionalë.
Rice i mbrojti vendimet e tilla. Megjithatë, në një rast i pranoi disa gabime.
"Do të isha e para që do të thoja se na duhej të merrnim vendime të vështira, disa prej tyre të mira, të tjerat të këqija. Por shpresoj se ajo që do të bëjmë tani, do të jetë të përqëndrohemi se nga të shkojmë më tutje", tha Rice.
Në debatin e fundit para votimit, demokratët opozitarë e kritikuan luftën në Irak dhe aspektet e tjera të politikës së jashtme të Bushit. Senatorja Barbara Boxer nga California, tha se nuk mund të votojë për ta rekomanduar zonjën Rice për Departamentin e Shtetit.
Boxer në mënyrë të vazhdueshme e akuzoi Rice se ajo kish lejuar që besnikëria e saj ndaj presidentit Bush t'ia mbyllte sytë para së vërtetës, se Iraku asnjëherë s'ka paraqitur kërcënim të pashmangshëm për Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka patur armë për shkatërrim në masë.
Edhe senatori nga Massachusetss John Kerry, i cili vjet pa sukses e sfidoi Bushin në garën për presidencën, tha se gjithashtu nuk do të votojë. Ai tha se e dinte që senatorët zakonisht i lejojnë presidentit që ai vetë ta zgjedhë Sekretarin e Shtetit.
"Por është fakt se Dr. Rice është një nga kryearkitektët, zbatuesit dhe mbrojtësit e një varg politikave dhe zgjidhjeve të administratës, të cilat sipas mendimit tim, nuk e bënë vendin tonë më të sigurtë seç ishte pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 200, e kanë tjetërsuar pjesën më të madhe të botës si dhe aleatët tanë aq të nevojshëm, në përpjekjet për t'i reduktuar humbjet në dollarë dhe jetëra të amerikanëve", tha Kerry.
Disa nga kritikët e Condoleezza Rice thanë se e emërtuara ishte tepër e papajtueshme dhe do të ndihmonte në sajimin e një politike të jashtme të njëanshme.
Por kryesuesi i Komitetit, senatori republikan Richard Lugar nga Indiana, tha se do të votojë për Rice për shkak të mënyrës se si u paraqit ajo në seancën dëgjimore dhe për shkak të kontakteve të mëparshme me të, në të cilat ka treguar se është ithtare e atyre që marrin parasysh mendimin e palës tjetër.
"Më lejoni vetëm të konkludoj se shpresoj që anëtarët do t'i japin asaj mbështetjen e fuqishme me votat e tyre, por edhe nëse jo, atëherë mbështetja dhe këshillat e mira të tyre do të vijnë në të ardhmen", tha Lugar.
Komiteti votoi ndërsa Sekretari aktual i Shtetit Colin Powell u jepte lamtumirën të punësuarve në Departamentin e Shtetit. Në fjalimin e tij, Powell e quajti Rice një mike të mirë, e cila, siç tha ai, Departamentit të Shtetit do t'i sjellë një lidership me dhunti.


XS
SM
MD
LG