Ndërlidhjet

BARTJA E KOMPETENCAVE DO TË NDIHMOJË NË KTHIMIN E TË ZHVENDOSURVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Bartja e përgjegjësive nga UNMIK-u te qeveria e Kosovës dhe ndikimi që do të ketë ky proces në përmirësimin e gjendjes së sigurisë dhe kthimit të personave të zhvendosur, vlerësohet në mënyra të ndryshme nga administrata ndërkombëtare dhe qeveria e Kosovës në njërën anë dhe përfaqësuesit e komunitetit serb në anën tjetër. Ndërsa zëdhënësja e UNMIK-ut, Marsie Pool, thotë se institucionet e Kosovës janë të vetëdijshme për rëndësinë që ka përparimi në fushat, që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Nenad Radosavleviç, që mban dhe postin e këshilltarit të shefit të UNMIK-ut për kthimet, mendon se shtimi i kompetencave për institucionet e Kosovës shkon në dëm të kthimit dhe sigurisë për pakicat. Në anën tjetër, koordinatori vendor për standardet, Avni Arifi, beson se shtimi i kapaciteteve vendore e ndihmon plotësimin e standardeve që kanë të bëjnë me pakicat, siç janë siguaria, liria e lëvizjes dhe kthimi i të zhvendosurve:
“Unë ashtu-kështu pres që të ketë progres në standarde, mirëpo besoj se bartja do të rriste shpejtësinë në plotësimin e tyre. Ne besojmë se siguria bëhet më e madhe nëse bëhet transferi i kompetencave”, tha Arifi.
Ndërkohë, zëdhënësja e UNMIK-ut Marsie Pool, përmend formimin e Ministrisë për Kthim dhe Çështje të Komuniteteve në kuadër të qeverisë së Kosovës, si një hap konkret në bartjen e përgjegjësive në aspektin e realizimit të kthimeve sigurisë së qëndrueshme:
“Ne duhet të arrijmë një përparim thelbësor në këto fusha në mënyrë që të mund të lëvizim përpara drejt bisedimeve për statusin e Kosovës”, tha zëdhënësja e UNMIK-ut.
Në kuadër të prioriteteve të standardeve, ku parashihen më shumë përgjegjësi për vendorët që t’i realizojnë standardet në këto fusha, tërhiqet dhe vërejtja se është e domosdoshme që të ketë dhe bashkëpunim të komunitetit serb për përmbushjen e këtyre standardeve. Nenad Radosavleviç, këshilltar i shefit të UNMIK-ut për kthimet, thotë se shtimi i kompetencave për institucionet vendore, jo vetëm se nuk do ta ndihmonte përparimin në fushat e sigurisë dhe kthimit të personave të zhvendosur, por sipas tij, kjo do të ishte në dëm të këtij procesi:
“Ai që beson se me bartjen e kompetencave do të ketë përmirësim në fushat e sigurisë, lirisë së lëvizjes dhe kthimeve, ose nuk di asgjë për situatën në Kosovë, ose dëshiron që me qëllim t’i hedhë hi syve popullatës së përndjekur dhe rrezikuar në Kosovë”, tha Radosavleviç. Për mungesën e përparimeve në këto fusha, ai i ka akuzuar jo vetëm vendorët, por edhe bashkësinë ndërkombëtare, e cila sipas tij e ka lënë në duart e liderëve vendorë fatin e kthimit të personave të zhvendosur.
Mirëpo me këto konstatime nuk është pajtuar Marsie Pool, e cila citoi shefin e UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen, të ketë pohuar se në Kosovë, ka një përparim të dukshëm në standardet me prioritet, me çka eksluzivisht nënkuptohen ato standarde që kanë të bëjnë me pozitën e pakicave, respektivisht pakicës serbe në Kosovë.



XS
SM
MD
LG