Ndërlidhjet

logo-print

BERISHA: BEOGRADI VAZHDON TË VENDOSË PËR SERBËT E KOSOVËS


Ibrahim Berisha, analist

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Berisha, si e vlerësoni vizitën e shefit të UNMIK-ut Jessen Petersen në Beograd?

IBRAHIM BERISHA
Kishte një standard, i cili nuk ka ndryshuar vitet e fundit në sjelljen e politikanëve serbë ndaj përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe përgjithësisht ndaj politikave ndërkombëtare në Kosovë. Kjo është në fund të fundit një lojë e litarit – tërhiq e mos këput. Serbët tani dëshirojnë të përfitojnë sa më shumë politikisht, duke pasur parasysh se bashkësia ndërkombëtare ende nuk është përcaktuar mbi strategjitë dhe afatet e zgjidhjes së statusit të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i shihni zhvillimet rreth përfshirjes së serbëve në institucione dhe në grupet punuese në Kosovë, pas qëndrimeve të fundit të Beogradit të shprehura në takim me zotin Petersen?

IBRAHIM BERISHA
Me vetë faktin që nuk dolën në zgjedhje apo dolën në numër tepër të vogël, dëshmuan se nuk janë të lirë apo të pavarur të vendosin për fatet e tyre në Kosovë. Kështu që vendimet që merren në Beograd, vazhdojnë të jenë vendime provokuese por edhe tensionuese, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin. Prapë po them që nuk është fjala për problemet vetëm brenda Kosovës, por edhe për proceset në përgjithësi në rajon, nga të cilat, aq sa shihet, për shkak të mundësive që prapë të vijë te ndonjë eskalim i situatës, Serbia do të mbajë të gjallë elementin serb për ta shfrytëzuar, që në ndonjë moment të caktuar të përfitojë qoftë territor, qoftë pozitë të favorshme ndërkombëtare për vete.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, zyrtarët e Beogradit, në takim me zotin Petersen i kanë kushtëzuar diskutimet për decentralizimin dhe çështjen e të zhdukurve me zgjidhjen e problemit të rrymës. Si duhet të sillet UNMIK-u në një situatë të tillë?

IBRAHIM BERISHA
Është e pashembullt deri më sot që të ndodhë, që një kolonizator, pasi tërhiqet nga një territor, të pyetet për format e organizimit të brendshëm të një vendi. Vetë bisedat për format e decentralizimit, përkatësisht për modelet e decentralizimit, që bëhen me Beogradin janë të paefektshme, e po kështu edhe nuk i ndihmojnë stabilizimit në Kosovë. Por, ajo që është edhe më shqetësuese, është qëndrimi injorant i palës shqiptare, i institucioneve shqiptare, që nuk kanë një plan konkret për decentralizimin, mbështetur në të gjitha elementet e marrëveshjeve dhe kartave ndërkombëtare për këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa do të mund të bëjnë qeveria e Kosovës dhe UNMIK-u në fushën e reformimit të pushtetit lokal, në rast se serbët nuk do të vendosin pozitivisht për hyrjen e grupet punuese për decentralizim, meqenëse një pjesë e pilot-komunave kanë të bëjnë pikërisht me disa vendbanime serbe?

IBRAHIM BERISHA
Vetë konceptimi i fillimit të decentralizimit përmes pilot-projekteve mbi baza etnike, mendoj që e bën këtë proces të dështuar. Pikësëpari, sa i përket decentralizimit, ky proces është jetik për shqiptarët dhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, pasi sot përgjegjësitë nuk janë të ndërtuara mbi nivele dyshkallëshe – qendrore dhe lokale, kështu që ka shumë dështime në këtë plan. Kështu që, decentralizimi duhet të bëhet sa më shpejt, por pa pilot-projekte, pa një ndarje etnike dhe të natyrave të tjera, por mbi standardet që janë të pranuara nga institucionet ndërkombëtare, në këtë rast nga Këshilli i Evropës, si një nga institucionet që më shumë është marë me këtë problem.

RADIO EVROPA E LIRË
Ndërkohë, si i vlerësoni përpjekjet e deritanishme të institucioneve të Kosovës për të përmbushur standardet, domethënë, jo vetëm decentralizimin, por edhe standardet e tjera prioritare?

IBRAHIM BERISHA
Mendoj që Kosova është shumë larg standardeve dhe kjo shihet edhe këto ditë, kur bisedohet për këtë problem- nuk ka një vizion të qartë, pragmatik, se cilat janë prioritetet. Dhe, nga ky fakt dalin të tilla deklarata nga vetë qeveritarët, se lëvizja dhe prona nuk janë prioritete të standardeve. Kjo qasje mendoj se sjell në pozitë shumë të vështirë pozitën e Kosovës dhe të gjithë procesit. Standardet janë një detyrë e vështirë, për të cilën mendoj se duhet një qasje krejt tjetër dhe ajo qasje duhet të jetë totale, e të gjitha institucioneve, e të gjitha partive politike, të gjitha formave të tjera, si OJQ-të e organizuara në sistemin e shoqërisë civile, në mënyrë që përfundimisht të hyhet në procesin e ndërtimit dhe realizimit të standardeve, realizimit të standardeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, a ka qeveria e Kosovës mjaft kapacitete për të jetësuar standardet prioritare që kërkohen përpara se të bëhet vlerësimi i përmbushjes së tyre në mesin e këtij viti?

IBRAHIM BERISHA
Absolutisht jo. Qeveria e Kosovës nuk ka as kapacitet intelektual, as kapacitet teknik, as kapacitet material dhe as kapacitet kompetencash, kështu që ajo ende mendoj, nuk i është qasur në mënyrë serioze këtij problemi. Në momentin që do t’i qaset seriozisht dhe do t’i shohë përvojat e vendeve në tranzicion, se sa kanë vuajtur ata për të zbatuar standardet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare, edhe pse kanë qenë të plotësisht të pavarura dhe kanë pasur këto elemente, që i theksova, atëherë do të shihet se sa në mënyrë të lehtë jepen premtime dhe njëkohësisht se ato do të përmbushen pas kaq ditësh apo pas kaq muajsh. Mendoj se standardet paraqesin problemin themelor të të ardhmes së Kosovës dhe ky problem themelor nuk është kuptuar drejt as nga Presidenca, as nga Kuvendi, as nga Qeveria dhe as nga askush.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë duhet të bëjnë institucionet për të mbushur këto këto mungesa që i përmendët ju?

IBRAHIM BERISHA
Pikësëpari duhet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kompetencat që i kanë për standardet. Cilat janë kompetencat e institucioneve vendore dhe cilat janë ato që i kanë institucionet ndërkombëtare. Së dyti, duhet të bëhet një program shumë pragmatik, që duhet të niset nga çështja e zgjidhjes së problemit të pronës dhe të lëvizjes. Nuk mund të ketë asnjë fjalë për realizimin e standardeve, nëse një shqiptar nuk mund të shkojë në shtëpinë e vet në anën tjetër të Mitrovicës dhe një serb nga Graçanica të mund të vijë në banesën e tij në Prishtinë. Dua të them, që problemi i lëvizjes dhe pronës, është problemi më themelor i standardeve dhe që lidhet me problemin e sigurisë. Dhe përderisa nuk bëhen hapa konkretë në këtë plan, mendoj se Kosova do të marë nota shumë të dobëta në realizimin e standardeve.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG