Ndërlidhjet

logo-print

SHEFAT E NATO-S DHE PRESIDENTI BUSH DO DISKUTOJNË PËR KOSOVËN


Augustin Palokaj, Bruksel

NATO-ja do të jetë shumë e fokusuar në zhvillimet në Kosovë, sidomos në 6 muajt e ardhshëm, në fazën e përmbushjes së standardeve dhe në prag të afatit për vlerësimin e tyre, në mes të këtij viti. Këtë e tha sot në Bruksel Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, në një pritje për gazetarët e akredituar pranë kësaj aleance. Shefi i NATO-s përmendi Kosovën, si njërën ndër sfidat kryesore të Aleancës për këtë vit, duke thënë se NATO-ja është atje për të krijuar një ambjent të sigurtë, në të cilin organizma të tjerë civilë mund të vazhdojnë me përmbushjen e standardeve. Sipas Schefferit, NATO-ja është atje për të qëndruar edhe një kohë shumë të gjatë. Por, tha Scheffer, përveç aspektit të sigurisë, që është në kompetencë të NATO-s, Aleanca është e interesuar të luajë edhe një rol të rëndësishëm edhe në procesin politik në Kosovë dhe këtë është duke e bërë përmes pjesëmarrjes aktive në të ashtuquajturin Grup të Kontaktit Plus për Kosovën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s paralajmëroi se Kosova do të jetë njëra ndër temat, që shefat e shteteve të NATO-s do t'i diskutojnë me presidentin amerikan George W. Bush, gjatë vizitës që ky i fundit do t'ja bëjë NATO-s dhe me këtë rast dhe do të zhvillohet edhe një sumit i jashtëzakonshëm i NATO-s në Bruksel më 22 shkurt. Shefi i NATO-s paralajmëroi se për Kosovën dhe për gjetjen e statusit të saj përfundimtar, do të bisedojë edhe me Sekretaren e re amerikane të Shtetit Kondoliza Rajs. Edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë pohuar se dëshirojnë të arrihet një qëndrim unik transatlantik mes amerikanëve dhe aleatëve të tyre evropianë, edhe rreth çështjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG