Ndërlidhjet

logo-print

ROBËRIA INTELEKTUALE NË KOSOVË


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Në Kosovë, intelektuali është i robëruar dhe i vetë-robëruar, u tha gjatë një tryeze të organizuar nga PEN- Qendra e Kosovës, me temën “Intelektuali dhe vetëdija kritike”. Basri Çapriqi, kryetar i kësaj qendre, tha se intelektualët kosovarë, i ka dërrmuar një periudhë e gjatë rezistimi ndaj një sistemi totalitar dhe sipas tij, intelektualët nuk kanë forcë të ushtrojnë pushtet në kushtet e reja të zhvillimeve shoqërore:
“Intelektualin e sulmojnë se ai është tërhequr në margjina të kësaj shoqërie me vetëdëshirë, kurse intelektualët thonë se kjo shoqëri i ka dëbuar ata në margjina, për t’i lënë vend të mjaftueshëm e komod forcave paraintelektuale.”
Ibrahim Berisha, ndërkaq tha se në Kosovë nuk duhet të ekzistojë dhuna ndaj ideve dhe prodhimeve të intelektualëve. Sipas tij, asnjë institucion dhe asnjë grup interesi formal dhe joformal, nuk duhet të promovojë platformë të mobilizimit ideologjik.
“Të mos ketë grupe dhe shërbëtorë të paguar jashtëinstucionalë, të cilët kërcënojnë dhe rrezikojnë intelektualin, pse flet i paautorizuar nga qendrat e mobilizimit ideologjik. Së pari a ekziston fare nocioni mundësi, alternativë e zgjedhjes? Pse për intelektualin dhe punën e tij, vendosin qendrat e forcës- jointelektuale, paraintelektuale, të cilat i shikojnë ata si armik dhe jashtë misionit shtetëror, nacional, etj?!”
Heshtja, sipas zotit Berisha, mund të jetë përgjigjia e vetme për gjithë atë që është duke ndodhur nga mungesa e lirisë së intelektualit.
Ramush Mavriqi, tha se shoqëria kosovare ka nevojë për kritikë dhe shprehje të lirë të mendimit. Por në këtë kohë të tranzicionit, ai tha se mungojnë institucionet e mirëfillta demokratike dhe instrumentet e kontrollit të pushtetit. Sipas zotit Mavriqi, deri tani Kosova nuk ka pasur një përvojë të mirëfilltë në afirmimin e mendimit kritik:
“Kjo tregon për atë se ende nuk jemi të aftë, që në mënyrë tolerante të kritikohemi, të dialogojmë, të bëjmë luftë mendimesh dhe argumentesh, kështu që kritika ende përjetohet si armiqësi dhe tradhëti, e dihet çka pason pastaj. Ne ende i kemi të freskëta ngjarjet e dhunshme të 17 marsit, të cilat me gjithë faktin se në skenën ndërkombëtare i sollën shumë dëme çështjes së pavarësisë, prapë se prap, pak publicistë, gazetarë, patën kurajo t'i cilësojnë ato ashtu siç e meritonin, kurse intelektualët e tjerë, me përjashtim të ndonjë individi, heshtën.’’
Rifat Kukaj, shkrimtar, tha se në Kosovë në mënyrë drastike shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut, me faktin se një numër i madh i intektualëve jetojnë në varfëri, e disa prej tyre madje edhe në varfëri të skajshme.
“Intelektuali i mirëfilltë në Kosovë, jo ai me diplomë e paarsim, por i mirëfillti, është rrëmbyer nga vorbulla e të pa mëshirshmëve të lumit vërshues të antivlerës. Është një numër jo i vogël i intelektualëve, që duke shërbyer tërë kohën, për vite më radhë, me mund dhe djersë, në pleqëri nga mos kujdesi i pushtetarëve vendorë dhe ndërkombëtarë, u shkelen të drejtat dhe liritë e njeriut.”
Sidoqoftë, gjatë kësaj tryeze u tha se është i domosdoshëm një angazhim më i madh i të gjitha forcave progresive dhe krijuese për të hapur mundësitë e afirmimit kritik dhe shfaqjes së tij të lirë publike, në mënyrë që mendimi kritik, edhe ndër kosovarët, të fitojë të drejtën e jetës.

XS
SM
MD
LG