Ndërlidhjet

ANDERSON: PAVARËSIA E KOSOVËS NDIHMON STABILITETIN NË RAJON


Zijadin Gashi, Prishtinë

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka shpalosur sot në Prishtinë detaje të raportit të fundit, ku parashihet rruga që e çon Kosovën drejt statusit të saj përfundimtar. Ky status, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, do të duhej të ishte pavarësia e Kosovës në kufijtë e tanishëm, duke i njohur paraprakisht dhe të gjitha të drejtat për pakicat.
Zvarritjet e mëtejme të zgjidhjes së statusit të Kosovës, sipas shefit të zyrës së Grupit të Krizave në Prishtinë, Aleks Anderson, do të kishin pasoja në stabilitetin e saj dhe mund të paraqesin rrezik edhe për trazira eventuale. Anderson tha se Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit, duhet që ta caktojnë agjendën e zgjidhjes së statusit të Kosovës gjatë këtij viti, duke njohur rrugën e Koosvës drejt pavarësisë së saj dhe duke ia bërë të ditur Beogradit, se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, si dhe Tiranës dhe Prishtinës, se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me Shqipërinë.
Ndryshimi i kufijve, tha Anderson, do të implikonte kriza të tjera rajonale në Luginë të Preshevës, Sanxhak, apo edhe në Vojvodinë e Maqedoni. Prandaj, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, shtoi Anderson, vlerëson se bashkësia ndërkombëtare duhet të tregohet e vendosur për zgjidhjen e statusit të Kosovës deri në fillimin e vitit të ardhshëm, pa vonesa të mëtejme që do të sillnin frustrime:
“Duhet të bëhet shumë e qartë se Grupi i Kontaktit nuk do ta mbështesë ndarjen e Kosovës dhe duhet të punojë shumë, në mënyrë që statusi i Kosovës të zgjidhet në kufijtë e saj ekzistues”, tha Anderson. Në vazhdim, ai tha se Prishtina duhet ta formojë një ekip gjithëpërfshirës, që do të mblidhte në vete të gjitha forcat relevante parlamentare, pozitë e opozitë, ku do të bëhej platforma e Kosovës lidhur me statusin përfundimtar, në të cilën do të përcaktohej miratimi i Kushtetutës së Kosovës, që do t’i përcaktonte të gjitha përgjegjësitë për institucionet e Kosovës, përveç mbrojtjes, e cila do të vazhdonte të mbetej nën forcën e NATO-s, respektivisht KFOR-it, apo një force të ngjashme, që do të vinte nga Aleanca Veriatlantike. Gjithashtu, tha Anderson, në Kosovë duhet të vendoset një sistem monitorues ndërkombëtar, që do të përcillte zbatimin e marrëveshjeve të qeverisë së Kosovës dhe mekanizmave ndërkombëtarë, kryesisht lidhur me avancimin e pozitës së pakicave dhe vazhdimin e një roli të gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë, për të ndihmuar vendosjen e një sistemi të qëndrueshëm të drejtësisë:
“Lidhur me Kushtetutën në Kosovë do të duhej të mbahej referendum në fillim të vitit 2006, me të cilin do të fillonte zbatimi i pavarësisë së Kosovës dhe do të përcaktohej roli ndërkombëtar monitorues”, tha Anderson. Duhet të mendohet edhe për atë se Serbia dhe ndoshta edhe Rusia, do të refuzojnë të bashkëpunojnë në këtë marrëveshje, tha ai, duke shtuar se procesi megjithatë, nuk mund të mbetet peng i këtij bashkëpunimi.
Duke parashikuar që gjatë këtij viti, mekanizmat kryesorë ndërkombëtarë bashkë me Qeverinë e Kosovës, atë të Serbisë dhe opozitën në Prishtinë, do të thirren në një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, Grupi Ndërkombëtar i Krizave sugjeron që menjëherë pasi të finalizohet marrëveshja, Këshilli i Sigurimit, përmes ndonjë rezolute, ta njohë pavarësinë e Kosovës, apo si mundësi të dytë, parasheh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende anëtare të BE-së, ta njohin pavarësinë ndaras si shtete veç e veç. Në të kundërtën, nëse procesi i pavarësimit të Kosovës do të zvarritet, sipas analistit Anderson, është e logjikshme që në Kosovë të shpërthejnë trazira të reja, që do të mund të kenë përmasa reale për sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.


XS
SM
MD
LG