Ndërlidhjet

REHN: KOSOVA KA PERSPEKTIVË EVROPIANE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova, ashtu si i gjithë Ballkani Perëndimor, ka një perspektivë të qartë evropiane, por për këtë duhet të pranohen dhe respektohen vlerat evropiane, përfshirë edhe standardet, ka thënë sot në Prishtinë Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oli Rehn. Këto komente, zoti Rehn i ka bërë pas takimit me presidentin e Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi kishte takuar kryeministrin Haradinaj, zëvendësshefin e UNMIK-ut, Lari Rossin dhe zyrtarë të tjerë.
Erdha në Kosovë në fillim të marrjes së detyrës sime, për të dëshmuar përkushtimin tim dhe të Bashkimit Evropian për të ardhmen e Kosovës, tha zoti Rehn:
"Ballkani Perëndimor, përfshirë Kosovën, kanë një perspektivë të qartë evropiane dhe kjo mund të bëhet realitet, duke adoptuar tërësisht vlerat dhe standardet evropiane," tha komisioneri Rehn. Mirëpo paraprakisht Kosova duhet të bëjë përparime në marrëdhëniet ndëretnike, edhe përpara vlerësimit të përmbushjes së standardeve.
Duke komentuar disa deklarata se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të ndërmarrin veprime të pavarura lidhur me statusin e Kosovës, zoti Rehn tha se Bashkimi Evropian po bashkëpunon me miqtë amerikanë sa i përket të ardhmes së Ballkanit dhe Kosovës në veçanti, qoftë për standardet qoftë për statusin përfundimtar:
"Qëllimi im dhe i Javier Solanës është që çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe të Kosovës posaçërisht, ta kemi në rendin e ditës të vizitës së presidentin amerikan Xhorxh Bush në Bruksel muajin e ardhshëm," tha komisioneri Oli Rehn.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, tha se Kosova e sheh të ardhmen e saj si shtet i pavarur dhe i integruar në Bashkimin Eropian dhe në strukturat Veriatlantike:
"Kosova është e aftë dhe është e gatshme të marrë mbi vete obligimet ndërkombëtare, pra mbrojtjen dhe integrimin e grupeve etnike dhe të minoriteteve dhe një stabilitet të vazhdueshëm në Kosovës. Po bëjmë edhe reformimin e pushtetit lokal, që janë norma dhe kritere për integrim në Bashkimin Evropian," tha presidenti Rugova, duke përsëritur se zgjidhja më e mirë do të ishte njohja e drejtpërdrejtë e pavarësisë së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian.
Lidhur me takimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj me zotin Rehn, zëdhënësi i qeverisë, Arben Qirezi, tha se në takim, u shpreh përkushtimi i Komisionit Evropian për të vazhduar ndihmën për Kosovën:
"Një mbështetje për fillimin e bisedave për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Nga ana e tij, kryeministri i Kosovës shprehu vendosmërinë e qeverisë për vazhdimin me kurs të njëjtë për përmbushjen e standardeve, në mënyrë që Kosova të jetë plotësisht e përgatitur kur të fillojnë diskutimet për statusin e saj përfundimtar."
Në takim me zotin Oli Rehn ka qenë edhe shefi i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviç, i cili tha se serbët i kanë përjetuar standardet fillimisht si një truk, mirëpo duket se përmbushja e tyre është rruga e vetme për egzistencën e serbëve në Kosovë. Ai tha se Bashkimi Evropian do ta ndihmojë përmbushjen e standardeve dhe perspektivën evropiane për Kosovën:
"Nëse UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës do t'i pranonin si të vetmit përfaqësues legjitimë të serbëve në mënyrë të qartë dhe sikur Beogradi të na përkrahte si listën e vetme të serbëve, mendoj se do të kishte gjasa të mira që të hynim në institucionet e Kosovës," tha Ivanoviç.
Në anën tjetër ai tha se nuk kishte marrë ndonjë njoftim zyrtar për emërimin e Slavisha Petkoviçit, udhëheqës i subjektit tjetër serb për Ministër të Kthimit në qeverinë e Kosovës.
Për të bërë diçka për një çështje aq të ndjeshme si kthimi, duhet një komunikim i drejtpërdrejtë me bashkësinë serbe në Kosovë, gjë që Petkoviç nuk e ka, tha Ivanoviç, duke e quajtur këtë veprim si një hap mbrapa.
Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Oli Rehn ka takuar sot edhe shefat e zyrave të vendeve të Quintit, si dhe liderët e partive opozitare të Kosovës, Hashim Thaçi e Veton Surroi.

XS
SM
MD
LG