Ndërlidhjet

logo-print

ËSHTË KOHA TË BISEDOHET PËR PAVARËSINË E KOSOVËS


Gareth Evans, International Herald Tribune

Periudha e Kosovës si protektorat i Kombeve të Bashkuara po kalon. Pas gjashtë vitesh të një paqartësie ndërkombëtare, shqiptarët e Kosovës janë të frustruar me statusin e tyre të pazgjidhur dhe të pakënaqur ekonomikisht. Nëse ata nuk shohin një progres real në aspiratat e tyre për pavarësi, dhuna mund të shpërthejë në muajt që vijnë, ashtu siç ndodhi marsin e vitit të kaluar. Nëse sulmet e shqiptarëve kundër serbëve të Kosovës, nxisin përgjigjje të armatosur nga Beogradi, atëherë i tërë rajoni do të mund të zhytej në trazira të përsëritura.

Natyrisht, nëse Kosova dëshiron sovranitetin e vet, duhet ti tregoj botës se e meriton atë...me institucionet dhe me gatishmëri për ti mbrojtur serbët dhe minoritetet e tjera. Pos kësaj, duke pasur parasysh të kaluarën e shumicës shqiptare, ajo duhet të jetë e përgatitur për disa përmbajtje në lirinë e vet për aksion për një të ardhme të pakufizuar. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh sjelljen e Serbisë në të kaluarën dhe realitetet në terren, kthimi në situatën e para vitit 1999 është i paimagjinueshëm.

Në mes të vitit 2005 është paraparë që Kombet e Bashkuara ta vlerësojnë përkushtimin e qeverisë së Kosovës për demokraci, për qeverisje të mirë dhe për standardet për të drejtat e njeriut. Nëse ky vlerësim është pozitiv atëherë do të duhej të aktivizoheshin të gjitha sistemet. Hapi i parë do të ishte që grupi i kontaktit, Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, ta paraqesin një orar të detajuar për zgjidhjen e çështjes së statusit, duke shtuar disa rregulla themelore, sipas të cilave progresi do të varet nga mbrojtja e të drejtave të minoriteteve dhe se nuk do të ketë mbështetje për kthimin e Kosovës nën pushtetin serb, ose për ndarjen e saj ose për ndonjë union me secilin shtet ose territor. Sa më parë që është e mundur, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan duhet ta emëroj një të dërguar special për të filluar konsultimet për marrëveshjen për zgjidhje dhe për procesin nëpërmjet të cilit kjo marrëveshje do të implementohej. Ky emisar do të përgatiste propozim tekstin e marrëveshjes me titull "Marrëveshja për Kosovën" dhe planin për një Konferencë ndërkombëtare nën udhëheqjen e Kombeve të Bashkuara, për ta mbështetur atë. Njëherësh, Kuvendi i zgjedhur i Kosovës do ta përgatiste propozim tekstin e Kushtetutës, që në mënyrë të plotë do të përmbante edhe shqetësimet ndërkombëtare. Kjo poashtu do të duhej të mbështetej nga një Konferencë ndërkombëtare dhe miratimi me referendum, në fillim të vitit 2006, do të bënte që marrëveshja të bëhej e plotëfuqishme dhe, me këtë, edhe njohja ndërkombëtare e Kosovës si shtet sovran.

Në këtë Marrëveshje dhe në Kushtetutë do të duhej të ishin disa kufizime në lirinë e aksionit për Kosovën. Këtu veçanërisht do të theksohej se Kosova duhet qartasi të përkushtohet që të mos bashkohet me ndonjë shtet fqinjë apo territor, kuptohet duke mos përjashtuar mundësinë në kontekstin e integrimit në Bashkimin Evropian.

Do të ishte ideale që i tërë ky proces ta ketë edhe pajtimin e Serbisë dhe të jetë i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Beogradi, e me gjasë edhe Moska, mund të refuzojnë të bshkëpunojnë pjesërisht ose tërësisht. Por, zgjidhja e statusit të Kosovës nuk mund të mbetet peng i kësaj mundësie.
XS
SM
MD
LG