Ndërlidhjet

ME OSE PA SERBINË DHE RUSINË, TRENI I KOSOVËS ËSHTË NISUR


Augustin Palokaj, Bruksel

Pjesëmarrësit e konferencës për Kosovën të mbajtur sot në Bruksel, të organizuar nga Qendra për Politikë Evropiane dhe të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, janë pajtuar se ka ardhur koha e fundit që të niset një proces për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Për statusin përfundimtar në këtë konferencë folën edhe ish-komisioneri i Bashkimit Evropian Kristofer Paten, kryetari i Grupit Ndërkombëtar të Krizave Garet Evans, Koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek dhe Shefi i Qendrës për Politikë Evropiane Freizër Kameron.
Lordi Paten, i cili tani është bashkëkryesues i Bordit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave, tha se BE-ja ka ndërtuar një strategji të mirë të zgjerimit, që garanton suksesin afatgjatë për rajonin e Ballkanit; ka investuar shumë si energji, ashtu dhe mjete financiare dhe i tërë ky sukses rrezikohet, nëse nuk merren vendime të vështira për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Nuk mendoj se kemi alternativë tjetër, tha Paten, duke shtuar se në këtë raport të GNK-së, nuk janë perfekte të gjitha sugjerimet, nuk garantohet suksesi dhe nuk janë idetë më të mira, por alternativë tjetër nuk ka. Paten tha se shpreson se edhe Grupi i Kontaktit do t'i ketë parasysh dhe do t'i përdorë qëllimet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Lordi Paten, po ashtu tha se nuk sheh ndonjë alternativë as për Serbinë, përveç integrimit të saj në BE. Ndoshta më ka shpëtuar diçka, por nuk e di nëse ka ndonjë alternativë për Beogradin. Nuk besoj se zgjidhja për ta është fati i Bellorusisë, tha Paten, duke përkujtuar se bashkësia ndërkombëtare kërkon nga Beogradi ende bashkëpunim në dy gjëra kyçe: në rastin e Tribunalit të Hagës dhe në zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Përfundimet kryesore të raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave i paraqiti kryetari i saj, ish Ministri i Jashtëm i Australisë, Garet Evans. Ai tha se deri tani bashkësia ndërkombëtare kryesisht është munduar ta evitojë që të hapë çështjen e statusit përfundimtar të Kosovës, në kohën kur stagnimi ekonomik atje është i qartë. Evans tha se do të ishte mëse e mirë, nëse do të kishte bashkëpunim edhe me Beogradin dhe Rusinë në rastin e Kosovës, por atyre u duhet të bëhet e qartë se treni është nisur me apo pa ata dhe ai nuk do të ndalet. Edhe koordinatori i Paktit të Stabilitetit Erhard Busek, përshëndeti raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave dhe u pajtua me konstatimet se Kosova me statusin e pazgjidhur, po i bllokon rrugën edhe Beogradit drejt BE-së. Busek tha se nëse nuk zgjidhet statusi i Kosovës, atëhere Turqia do të jetë më afër Bashkimit Evropian, sesa rajoni i Ballkanit perëndimor. Në pamundësi të shefit të UNMIK-ut Soren Jessen Petersen që të marrë pjesë në këtë konferencë, në emër të UNMIK-ut foli këshilltari i tij i lartë, Kim Frajberg. Ai tha se Petersen e kishte lexuar raportin e GNK-së dhe është i impresionuar me të dhe u pajtua se status quo-ja nuk mund të mbahet më.
Pjesëmarrësit e konferencës përshëndetën edhe fjalët e përfaqësuesit të UNMIK-ut, se mungesa e përparimit për shkak të mosbashkëpunimit, apo mospjesëmarrjes së serbëve në proces, nuk bën të shfrytëzohet për të penguar ata që angazhohen dhe përpiqen për të ecur përpara. Përfaqësuesi i UNMIK-ut shtoi se nuk duhen përjashtuar as provokimet e atyre, që nuk dëshirojnë të shkohet drejt zgjidhjes së statusit përfundimtar. Ai shtoi se procesi ndoshta mund të ngadalësohet, por jo edhe të bllokohet më. Përfaqësuesi i UNMIK-ut duke përshëndetur disa propozime të ICG-së, tha se nuk duhet pritur ardhja e verës dhe që tani duhet filluar me përgatitjet e një plani për debatin për statusin e Kosovës. Po ashtu sipas tij duhet nisur edhe debati për praninë ndërkombëtare në Kosovë edhe pas zgjidhjes së statusit.
Ndonëse shumë folës thanë se nga zgjidhja e statusit të Kosovës do të kishte dobi të madhe edhe Beogradi, përfaqësuesit e Serbisë që ndodheshin sot në Bruksel, ishin të irrituar me raportin e GNK-së. Duke marrë pjesë në diskutim, këshilltari i kryeministrit të Serbisë Vojisllav Koshtunicës, Misha Gjurkiç, tha se ky raport propozon në fakt zgjidhje që do ta destabilizonte edhe më shumë rajonin dhe jo ta stabilizonte. Ai tha se Beogradi nuk është për ndarje të Kosovës, por shtoi se askush në Beograd nuk do të pranojë zgjidhjet për Kosovën që propozohen në raportin e GNK-së, sepse askush nuk do të pranonte të humbte një pjesë të territorit të vet. Ai raportin e GNK-së e quajti edhe si të njëanshëm, gjë që u hodh poshtë nga anëtarët e këtij grupi, duke thënë se ky grup është i paanshëm dhe vetëm dëshiron të ndihmojë në zgjidhjen e krizave.
Për Kosovën, një debat i ngjashëm do të zhvillohet edhe në Parlamentin Evropian.

XS
SM
MD
LG