Ndërlidhjet

PËRFAQËSUESIT E SERBËVE TË KOSOVËS TË PËRÇARË PËR PJESËMARRJEN NË INSTITUCIONE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Liderët e serbëve të Kosovës kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për faktin që deputeti Sllavisha Petkoviç ka pranuar të bëhet Ministër për Kthim në qeverinë e Kosovës, duke tërhequr vërejtjen se ky është një veprim i papërgjegjshëm i tij, që rrezikon interesat e bashkësisë serbe.
Deputeti i Listës qytetare Serbia Sllavisha Petkoviç, ka pranuar dje propozimin e kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj, për të udhëhequr Ministrinë për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, një post, që fillimisht i kishte takuar Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, subjekt politik i serbëve që ka marrë 8 nga dhjetë vende të rezervuara për serbët në parlamentin e Kosovës.
Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nga Lista Serbe dhe ata nga Këshilli Nacional Serb, vlerësojnë se Petkoviç nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, prandaj dhe emërimi i tij është një veprim joserioz. Rangjel Nojkiç nga Lista Serbe për Kosovën dhe Metohinë, ka thënë se Petkoviç ka ndërmarrë një hap të gabuar që dëmton bashkësinë serbe në Kosovë.
"Mua nuk më ka befasuar ku veprim, pasi ai në disa raste ka thënë publikisht se nuk i intereson se çfarë mendon Beogradi dhe se ai është personi që mund ta zgjidhë çështjen e serbëve në Kosovë," tha Nojkiç, duke vlerësuar se veprimi i zotit Petkoviç është veprim i rrezikshëm. Milan Ivanoviç, kryetar i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, pajtohet me zotin Nojkiç se ky veprim rrezikon interesat e serbëve të Kosovës.
"Emërimi i Sllavisha Petkoviçit në qeverinë e Kosovës në postin e Ministrit për Kthim është një vendim personal dhe i papërgjegjshëm i tij, që del nga interesat dhe llogaritjet personale të tij," tha Ivanoviç.
Nojkiç e ka akuzuar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj se me emërimin e Petkoviçit po ndjek politikën, që sipas tij, e ka ndjekur dikur Millosheviçi në raport me shqiptarët.
"Kjo është edhe një dëshmi që Ramush Haradinaj dhe qeveria e tij, bashkëpunimin me serbët e ka vetëm retorik dhe ndërkohë bën atë që ka bërë Millosheviçi, që për bashkëpunëtorë nga pala shqiptare, kishte njerëz që mendonin dhe vepronin siç dëshironte ai", tha Rangjel Nojkiç.
Ai thotë se Petkoviç ka bërë veprim të gabuar dhe ka akuzuar liderët shqiptarë që po bëjnë bisedime me serbët loajalë, të cilët nuk mund të sjellin zgjidhje reale.
Milan Ivanoviç tha se emërimi i Petkoviçit është një përpjekje e tejdukshme për të dëshmuar se në Kosovë ka shumë-etnicitet.
"Me hyrjen në qeverinë e Kosovës Sllavisha Petkoviç krijon iluzionin e shumë-etnicitetit, gjoja se në Kosovë janë përmbushur standardet për shumë-etnicitet dhe kjo nuk është e vërtetë", tha Ivanoviç, për të shtuar se Petkoviç në asnjë mënyrë nuk është përfaqësues i serbëve, pasi sipas tij, nuk ka kredibilitet, legjitimitet dhe autoritet.


XS
SM
MD
LG