Ndërlidhjet

logo-print

KURRË MË HOLOKAUSTIT


Një forum në afërsi të Krakovit dhe muzika kushtuar viktimave të Holokaustit, shënuan fillimin e ditës, që është 60 vjetori i çlirimit të kampit Aushvic. Ish komandanti rus, Antoli Shapiro, njeriu që hapi dyert e Aushvicit në janar të vitit 1945, u prit me duartrokitje nga të pranishmit.
"Mos e lejoni kurrë më këtë të keqe", u tha ai njerëzve të mbledhur, përmes një përshendetjeje në video. "Askund, nuk duhet lejuar që të ndodhin më gjëra të tilla", tha ish komandanti rus.
Në këtë forum u transmetuan edhe dokumentarë që pasqyronin çlirimin e kampeve naziste. Aktorët përkujtonin rrëfimet e tmerrshme të të mbijetuarve.
Më pas folësit – liderë botërorë, si presidenti i Izraelit, Moshe Katsav, ai i Polonisë Aleksander Kvashnjevski dhe homologu i tij nga Ukraina, Viktor Jushçenko, babai i të cilit ka mbijetuar Aushvicin, iu drejtuan të pranishmëve. Ky, tha Jushçenko, është vend i shenjtë për mua dhe familjen time.
Ndërkaq, nënpresidenti amerikan Riçard Çejni tha se kampet e përqendrimit paraqesin raste të miliona vrasjeve individuale.
"Në kampet e vdekjes në Evropë, njerëzit kanë bërë disa nga gjërat më të këqija që mendja e njeriut mund t'i imagjinojë. Aushvici, siç ka thënë një i mbijetuar, është varreza më e madhe në botë pa gur varri. Vetëm hiri i shpirtrave të panumërta është përhapur atje", tha nënkryetari amerikan.
Nga tmerri në dhomat e gazit, prej të përndjekurve mbetej vetëm hiri. Prandaj në këtë përvjetor sipas nënpresidentit amerikan, "rrëfimi për kampet na përkujton se e keqja është reale, ajo duhet të quhet me emrin e saj dhe të luftohet".
Kryetari i Rusisë Vladimir Putin, ndërkaq ua kujtoi të pranishmëve përballjen e ish ushtarëve sovjetikë me skenat e kampit, pas çlirimit të tij.
"Njerëzit e parë, të cilët i kanë parë pasojat e brutalitetit gjakftohtë të shkaktuara nga fashistët në Poloni, ishin ushtarët çlirimtarë sovjetikë. Ata kanë shuar përgjithnjë furrënaltat në Osvjeçim dhe Birkenau, Mjadanek dhe Treblinka, si dhe ruajtën Krakovin nga shkatërrimi" tha Putin, sipas të cilit, 600 mijë ushtarë rusë dhanë jetën dhe me këtë çmim nuk ruajtën vetëm hebrejtë, por edhe shumë njerëz nga asgjesimi.
Rreth 1 milionë e 500 mijë njerëz janë ekzekutuar në kampin e përqendrimit, Aushvic. Shumica prej tyre ishin hebrej nga vende të ndryshme të Evropës. Ceremonitë e sotme në Poloni u kushtohen këtyre viktimave. Ato janë edhe lutje që kurrë të mos lejohet të ndodhin tmerret e Holokaustit.

XS
SM
MD
LG