Ndërlidhjet

MITROVICË: KUSHTET SOCIALE DHE EKONOMIKE, EMËRUES I PËRBASHKËT PËR BANORËT


Albana Isufi, Prishtinë

Qytetarët e përkatësisë shqiptare dhe serbe të Mitrovicës, megjithë tensionet që i kanë midis tyre, një gjë e kanë të përbashkët: kushtet e vështira ekonomike dhe sociale.
Drejtori i Qendrës për Punë Sociale Faik Prekazi, thotë se në jug të qytetit ka më shumë të papunë, sesa të punësuar dhe shumë nga ta janë të rinj, që mbijetojnë në mënyrën e tyre. Prekazi shpjegon se mbi 3 500 familje jetojnë nga ndihmat sociale dhe këtu përfshihen vetëm personat me aftësi të kufizuara dhe familjet që kanë fëmijët nën 5 vjeç.
Në anën tjetër, homologu i tij nga veriu i Mitrovicës, Miladin Gjuroviq, thotë se popullata e kësaj ane jeton në kushte shumë të vështira sociale.
“Me ndihmat që i jep qeveria e Serbisë dhe UNMIK-u, disa familje mbijetojnë, por për të tjerët kushtet janë të rënda. Përveç kësaj numri i njerëzve që u duhet ndihma është shumë i madh”, thotë Gjuroviq.
Qytetarët e të dy pjesëve të Mitrovicës thonë se kushtet e vështira sociale, i rëndon edhe më shumë mungesa e vendbanimit të tyre të përhershëm.
Flet Lulzim Tahiri:
”Unë jetoj në pjesën jugore e kam lindur në pjesën veriore; punoj si vozitës në firmën "Meridian” në Prishtinë. Kam gruan dhe një vajzë të vogël. Mirë kalojmë, por veç mungesa e vendbanimit”.
Si jeton Enver Rama?
“Punojmë ngapak, kam njëfarë penisoni për nënën, jetojmë disi, kam dëshirë të ndërrojmë diçka për të gjithë”.
Emine Kaçiku tregon se deri para dy muajve ka jetuar në pjesën jugore, ndërsa tani është zhvendosur në banesën e saj në veri.
“Jemi dy anëtarë të familjes, unë punoj, kam një pagë solide, por nuk jetojmë në nivelin se si duhet jetuar. Konsideroj se shumë nga popullsia jetojnë në kushte të vështira, sidomos në Mitrovicë dhe do të bëhet më mirë, në momentin kur të gjithë kthehen në vendin ku kanë jetuar gjithmonë”, thotë Emine Kaçiku.
Jova Samarxhiq, nga veriu i Mitrovicës, thotë se kushtet e tij të vëshira ekonomike i rëndon më shumë qiraja mujore.
“Qiranë e paguaj 240 euro dhe është vështirë të sigurohen paratë, është vështirë për gjithshka. Kur për 5 vjet nuk është rregulluar gjendja, nuk e di se si do të bëhet tani më mirë”, thotë Samarxhiq.
Sveto Dejanoviq punon në Trepçë, por thotë se paga që merr nuk mjafton për një jetë solide.
“Punoj në Trepçë me rotacion, 6 muaj punojmë, 6 të tjerë rrimë, kur rrimë marrim vetëm nga 30 euro”, thotë Dejanoviq.
Një grua e moshuar nga veriu i Mitrovicës thotë se merr pension nga qeveria e Serbisë dhe ndihma nga UNMIK-u.
“Dicka tjetër nuk kemi, por shpresoj se do të behët më mirë”.
Sipas raportit të fundit të Bankës Botërore mbi 50% e popullsisë në Kosovë janë të varfër, ndërkaq mbi 70% të papunë.

XS
SM
MD
LG