Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS SHTYN DEBATIN PËR KOMISIONIN E PAVARUR TË MEDIAVE DHE TRANSMETUESIT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë sot sesionin plenar, në mungesë të kuorumit. Ndërsa po shqyrtohej Ligji për Komisionin e pavarur të Mediave dhe Transmetuesit, deputetët gradualisht janë larguar nga salla, çka e ka detyruar kryetarin e kuvendit, Nexhat Daci, që të shpallë një pauzë, pas së cilës deputetët nga radhët e opozitës nuk u paraqitën fare në sallë, kurse mungonte dhe një numër i konsiderueshëm i deputetëve nga partitë në pushtet. Kryeparlamentari Nexhat Daci i qortoi publikisht deputetët që vijnë nga radhët e partive në koalicionin qeverisës për bojkotimin e punës së Kuvendit:
“Në fillim të seancave të para, në fillim të vitit, ne faktikisht e pamundësojmë punën e parlamentit dhe thënë thjesht, bojkotohet prej koalicionit qeverisës, sepse opozita i ka normat e sjelljes dhe ajo i vlerëson vetë efektet. Koalicioni qeverisës të hënën në orën 11:00 në përbërje të plotë duhet të jetë në parlament, ose duhet të ketë arsye të mëdha, të justifikuara pse nuk është”, tha Nexhat Daci.
Në fakt, gjatë sesionit të sotëm, Kuvendi miratoi Projekbuxhetin për vitin 2005. Kurse debati mbi Ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe Transmetuesit, solli si rezultat ndarjet e mëdha pozitë- opozitë. Grupet më të mëdha parlamentare vlerësuan se Ligji nuk është i punuar mirë dhe ka mangësi të shumta, por sidoqoftë, partnerët e koalicionit qeverisës, që përbëjnë grupet parlamentare të LDK-së dhe AAK-së, në fund vlerësuan se ky ligj duhet të miratohet. Ndërkohë që opozita e ka kundërshtuar miratimin e këtij ligji në formën e dorëzuar nga qeveria. Në prezantimin e tij para Kuvendit, zëvendëskryeministri Adem Salihaj, tha se me këtë ligj rregullohet puna dhe funksionimi i mediave në Kosovë:
“Me këtë projekligj rregullohet mënyra e organizimit dhe funksionimit të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Transmetimit në Kosovë, parashihen dispozitat për liçensimin e transmetuesve, aplikimet për liçencë të transmetimit dhe ripërtërirja e tyre, tarifat vjetore të liçencës, reklamimi dhe kërkesat për raportim”, theksoi Salihaj.
Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Sabi Hamiti, pasi që ka kritikuar në masën më të madhe projekligjin në procedurë, tha gjithashtu se Kuvendi është dashur që së pari të procedojë me disa ligje të tjera që rregullojnë fushën e mediave, para se të shqyrtojë atë për Komisionin e Pavarur:
“Jam i bindur se është dashur që paraprakisht të krijohen ligje themelore të kësaj lamie, siç janë Ligji për mediat, Ligji për Transmetuesin Publik, që tani për tani e bën RTK-ja, eventualisht edhe Ligji për frekuencat. E them këtë, sepse është krijuar pak a shumë një konfuzion në diskutimet publike edhe jo publike rreth këtij ligji që po zgjasin gati një vit”, vlerësoi Hamiti.
Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Hajredin Hyseni tha se Ligji ka shumë mangesi dhe nuk rregullon si duhet fushën që synon të rregullojë, prandaj ai në emër të PDK-së tha se ky grup parlamentar nuk do t’i japë mbështetje ligjit në fjalë:
“Projektligji që kemi në shqyrtim, në disa pjesë bie në kundërshtim me parimet demokratike për veprimin e mediave të pavarura dhe si i tillë nuk garanton pavarësi, kur parashihet që të gjithë këta duhet të marrin bekimin e parlamentit. Mendoj se përbërja e Këshillit duhet të jetë një përfaqësim më i gjerë i shoqërisë civile, sepse përndryshe nuk do të kishim media të pavarura por të kontrolluara”, tha Hyseni.
Për shkak se sot Kuvendi u detyrua të ndërpresë mbledhjen, vazhdimi i saj u la për të hënën. Kjo nuk është hera e parë që Kuvendi mbetet pa kuorum, pasi edhe në fund të mandatit të kaluar një situatë e tillë është përsëritur shpesh herë






XS
SM
MD
LG