Ndërlidhjet

ZYRA EKONOMIKE E MAQEDONISË NË PRISHTINË- E RËNDËSISHME PËR MARRËDHËNIET DYPALËSHE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Hapja e zyrës ekonomike të Maqedonisë në Kosovë do të jetë e rëndësishme, por vetëm nëse përcillet nga nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë në raporte reciprociteti, kanë vlerësuar përfaqësues të institucioneve ekonomike të Kosovës dhe prodhues vendorë.
Mustafë Ibrahimi, nënkryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, tha se hapja e zyrës ekonomike të Maqedonisë në Kosovë është një moment i rëndësishëm:
"Kosova ka një marrëdhënie të lartë ekonomike me Maqedoninë, por të gjitha këto marrëdhënie kanë qenë jashtë institucioneve, pasi Maqedonia e ka aplikuar një marrëveshje që e kishte nënshkruar me ish-Jugosllavinë."
Sipas zotit Ibrahimi ky hap jep sinjal të drejtpërdrejtë që Maqedonia është e interesuar për ngritjen në nivel më të lartë të marrëdhënieve me fqinjin e saj të parë – Kosovën. Ndërkaq, kryetari i Aleancës së Biznesit të Kosovës, Agim Shahini, thotë se këto raporte do të ishin reciproke, nëse edhe Kosova do ta hapte zyrën e saj në Maqedoni. Sidoqoftë, mendon zoti Shahini, vetëm hapja e zyrave, nuk do të mund ta bëjë balancin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë:
"Mendoj që vetëm hapja e zyrës nuk e balancon këtë disfavor, por mendoj që nënshkrimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë, do të ishte një hap shumë më konkret dhe njohja e reciprocitetit ndërmjet dy vendeve, do ta ndihmonte shumë më tepër".
Në anën tjetër, Mustafë Ibrahimi është më optimist dhe përmend marrëveshjen e tregtisë së lirë me Shqipërinë, e cila sipas tij ka dhënë rezultate pozitive, duke bërë që të rritet eksporti i Kosovës ndaj Shqipërisë:
"Edhe pse kemi debalanc me të gjitha shtetet, pasi Kosova është një vend ku importi është shumë i madh, sigurisht se edhe kjo marrëveshje që do të nënshkruhet me Maqedoninë, do të balancojë raportin ndërmjet eksportit dhe importit me Maqedoninë. Në këtë rast, shumë eksporte që kanë pretenduar të orientohen drejt Maqedonisë kanë pasur si barrierë një marrëveshje, që ka qenë për ne fatkeqe."
Edhe Agim Shahini, kryetari i Aleancës së Biznesit Kosovar, një subjekt që synon ngritjen e imazhit të prodhimeve vendore, thotë se marrëveshja do të jetë e favorshme për prodhuesit kosovarë:
"Mendoj se kjo do të jetë një marrëveshje e pritur, pasi marrëveshja që ka qenë deri tani ndërmjet Maqedonisë dhe ish-Jugosllavisë, ka shkuar në dëm të prodhuesve vendorë kosovarë".
Ndërkohë që zyra ekonomike e Maqedonisë në Kosovë pritet të hapet më 22 shkurt, nënkryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Mustafë Ibrahimi thotë se grupet punuese janë gati në fundin e punës së tyre dhe se grupi punues i Kosovës, i ka harmonizuar të gjitha kërkesat dhe propozimet lidhur me këtë marrëveshje, e cila sipas tij është premtuar të finalizohet deri në fund të shkurtit të këtij viti.
Deri tani Kosova ka marrëveshje të tregtisë së lirë vetëm me Shqipërinë, ndërkohë që programi ekonomik i qeverisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, synon nënshkrimin e marrëveshjeve të tregtisë së lirë edhe me vendet e tjera.


XS
SM
MD
LG