Ndërlidhjet

PETKOVIÇ:"NUK DO TË LEJOJ POLITIZIMIN E KTHIMIT TË SERBËVE"


Slavisha PETKOVIÇ, Ministër për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës


RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj jeni angazhuar për pjesmarrjen në institucionet e Kosovës. Pse, kur qëndrimi i Beogradit zyrtar është tjetër?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Qëndrimi një qeverie, kësaj rradhe i asaj në Beograd, nuk do të thotë të jetë i drejtë. Madje as shumica nuk ka gjithnjë të drejtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mbledhjen e parë të Kuvendit të Kosovës keni thënë se në Kosovë nuk ka as "d" nga demokracia. Çfarë keni menduar konkretisht?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Demokracia nuk është diç që mund të matet. Nëse kaloni nëpër Kosovë ende do të hetoni shtëpi të djegura, prona të shkatërruara, 250 mijë serbë ende janë të zhvendosur, 1500 të zhdukur dhe të kidnapuar, 150 kisha të djegura e të shkatërruara, pastaj ka ndodhur 17 marsi, ekonomia është në gjendje katastrofale...A është kjo demokraci? Nëse dikush mendon se kjo është demokraci, atëherë nuk jemi duke folur për të njejtën demokraci.

RADIO EVROPA E LIRË
Nuk ka dyshim se serbët po ballafaqohen me probleme shumë serioze në çështjen e sigurisë dhe të lëvizjës së lirë. Çfarë duhet bërë që gjendja të përmirësohet?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Kam kërkuar nga liderët shqiptarë, dhe ata duhet ta bëjnë këtë, që publikisht të dalin dhe të punojn me popullin, që shqiptarët të kuptojnë se serbët duhet të kthehen në Kosovë. Askush nuk mund të thotë se këtu është pronar, as ju, as ne. Duhet të jetojmë sëbashku. Ne me shekuj jemi këtu, kemi ekzistuar të gjithë...Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, por nuk është mirë që gjithë kohën t'i kthehemi të kaluarës, duhet të shikojmë përpara. Kam biseduar me liderët shqiptarë dhe ata kanë premtuar se do të veprojnë në drejtim të qetësimit të situatës dhe që tensionet të shënojnë rënje. Punë parësore e politikanëve është paqja dhe vetëm pastaj tjerat. Pra të apelojnë te populli shqiptar që të pajtohen me faktin se serbët duhet të kthehen dhe se kjo është një gjë e domosdoshme. Dhe kur të kthehen, kuptohet që nuk mund të qëndrojnë në bodrume, të ruhen nga rojet për 24 orë, por që lirshëm të lëvizin. Jetojmë në shekullin XXI dhe jo ne shekullin XIII. Nuk mund të garantoj, por në këtë plan besoj se gjërat do të ndryshojnë për të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit e Listës serbe kanë thënë se ju si ministër nuk keni mbështetjen e popullatës serbe dhe se jeni "serb i ndershëm". Cili është reagimi i juaj?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Përgjigja ime është - 250 mijë serbë të zhvendosur, 14 mijë në qendrat kolektive. Ata kishin legjitimitet për tre vite në Kuvendin e Kosovës dhe nuk kanë bërë asgjë. Gjithnjë kanë shikuar se cili është interesi i pushtetit aktual në Beograd dhe jo cili është interesi i 400 mijë serbëve. Nëse ata mendojnë se unë do të kem legjitimitet vetëm duke mbrojtur interesat e qeverisë aktuale në Beograd dhe jo interesin e popullit serb në Kosovë, një legjitimitet i tillë nuk më duhet. Rrjedhimisht, mendimi i tyre fare nuk më intereson.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se nuk do të shkoni në Beograd për të vendosur rreth pjesmarrjes në institucionet e Kosovës dhe çështjeve tjera që kanë të bëjnë me serbët e Kosovës. Si reagojnë zyrtarët e Beogradit?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Reagojnë shumë bujshëm, sepse njerëzit thjesht janë mësuar që serbët e Kosovës gjithnjë të dëgjojn ate që u thotë Beogradi, madje edhe kur kjo është në dëmin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Nisma "Serbia" ka strategji konkrete të kthimit të serbëve. A mund ta shpjegoni ate?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Po, absolutisht konkrete. Ç'do të thotë kjo? Kemi planin dhe programin që ka dy pjesë. I pari ka të bëjë me kthimin, i dyti me pjesën ekonomike, sepse nëse dikush kthehet, por nuk ka mjete për jetesë, kthimi nuk ka snjë kuptim. Me ata pastaj mund të manipulosh. Ne kemi programin ekonomik dhe secili që do të kthehet do të filloj menjëherë të punoj. Njerëzit do të jetojnë nga puna e tyre dhe pastaj le të vendosin se kujt do t'ia japin votën. Nuk do të ketë më manipulime. Kjo është esenca e programit tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në bisedën e fundit që e kemi pasur keni thënë se 90 për qind e problemeve në Kosovë janë të natyrës ekonomike dhe vetëm 10 për qind të natyrës politike...

SLAVISHA PETKOVIÇ
Kam thënë se 99 për qind e problemeve në Kosovë janë të natyrës ekonomike. Rrezikimi social njerëzve në Kosovë u shkakton nervozitet që është normale. Në çdo shtet populli është i tensionuar nëse nuk ka para dhe punë. Vetëm 1 për qind e problemeve në Kosovë janë të natyrës politike. Kur jetoni normalisht, kur keni punë, keni pagë, nuk besoj se do t'u interesoj politika.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni marrë përgjegjësi të madhe me faktin që keni pranuar postin e ministrit për kthim. Sa ka ndikuar në këtë aktiviteti i qeverisë së Kosovës për jetësimin e standardeve?

SLAVISHA PETKOVIÇ
Standardet janë një gjë, ndërsa unë i kam thënë kryeministrit Haradinaj dhe të gjithë kolegëve në qeveri se mua nuk më shkon ndërmend që në Ministrinë time të lejoj politizim të kthimit. Më intereson fakti që populli të kthehet në shtëpitë e veta dhe nuk do të lejoj kurrfarë prapavije politike të këtij procesi. Nëse duhet të këtheheni në shtëpi, këtu nuk ka kurrfarë politike. Fare nuk më intereson nëse kjo ka të bëjë me standardet. Unë këtë nuk e bëjë për të përmbushur standardet. Kam pranuar postin e ministrit për të provuar që pas 5.5 vitesh të mundësoj kthimin e njerëzve në shtëpitë dhe pronat e veta.

Intervistoi: Gëzim BAXHAKU
XS
SM
MD
LG