Ndërlidhjet

EMERSON: PAVARËSIA - QËNDRIM DOMINANT PËR KOSOVËN


Michael EMERSON, ekspert në Qendrën për Studime të Politikës Evropiane /Bruksel/


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Emerson, Grupi Ndërkombëtar i Krizave në raportin e fundit ka propozuar që Kosovës t'i jepet pavarësia gjatë vitit të ardhshëm. Si e komenton Unioni Evropian këtë propozim?

MICHAEL EMERSON
Mendoj se ky raport përfaqëson një pikpamje dominante që po del në skenë. Kuptohet zyrtarët dhe vendet e Unionit Evropian ende kanë vështirësi rreth formulimit të një qëndrimi të qart rreth Kosovës. Mund të thuhet se Unioni Evropian është në dilemë rreth asaj se çfarë të bëjë me Kosovën. Nga njëra anë Unioni do të dëshironte që përfundimisht të zgjidhë çështjen e Kosovës, por nga ana tjetër druan nga efektet e mundshme (domino) me pasoja tragjike në Bosnjë dhe Maqedoni. Kjo është arsyeja e dilemave në Unionin Evropian. Pavarësisht nga kjo, pozicioni i Grupit Ndërkombëtar të Krizave është se Kosova duhet të jetë e pavarur, se nuk duhet të ketë coptim, se duhet të jetë multietnike me garanca për të gjitha komunitetet pakicë duke përfshirë edhe serbët, me garanca ndërkombëtare, përkatësisht evropiane të sigurisë dhe me garanca se nuk do t'i bashkohet një vendi tjetër fqinjë, me përjashtim të integrimeve evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, ju mendoni se ky është një qëndrim dominant....?

MICHAEL EMERSON
Ky është mendimi dominant i shumicës së njerëzve të pavarur që përcjellin zhvillimet në Kosovë, por mendoj se edhe shumica e zyrtarëve mendojnë kështu. Megjithate ky është vetëm qëndrim i imi, sepse unë nuk mund të flasë në emër të tyre. Unë sërish do të vija theksin te dilema, pavarësisht te fakti që ekziston një presion për të lëvizur më shpejt përpara, sepse paqartësia ka shpie deri te destabilizimi dhe dhuna në Kosovë. Njëkohësisht Unioni Evropian nuk dëshiron të paragjykoi gjërat.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Busek, që udhëheq Paktin e Stabilitetit për Evropën Juglindore, tha se ka deficit të strategjisë për këtë rajon, përfshirë këtu edhe qëndrimin për statusin e Kosovës. Ai tha se kur evropianët nuk bëjnë asgjë, Shtetet e Bashkuara hyjnë në lojë dhe tash ato mund të vendosin që të lëvizin në mënyrë të një-anshme drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës. Cili është komenti i juaj?

MICHAEL EMERSON
Nuk mendoj se ata (SHBA-të) do ta bëjnë këtë. Mendoj se Shtetet e Bashkuara ndjejnë nevojën të veprojnë në partneritet serioz me Bashkimin Evropian, kudo në botë që kjo është e mundshme. Kjo nuk ishte e mundshme në Irak. Mundësia për të punuar në mënyrë konstruktive, diplomatike dhe në koordinim të afër për çështjen e Evropës Juglindore dhe veçanërisht në Evropën Lindore është një faktor i rëndësishëm në politikën e jashtme aktuale të Shteteve të Bashkuara. Diplomatët amerikanë janë të vetëdijshëm për nevojën e përpjekjeve për ripërtritjen e marrëdhënjeve transatlantike, aq sa është e mundshme. Mendoj se në Ballkan dhe në Evropën Lindore është lehtë për të vepruar së bashku. Rrjedhimisht, unë dyshoj shumë se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë ashtu siç thoni ju.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse është e vërtetë se Bashkimi Evropian nuk ka strategji për Kosovën dhe gjërat zhvillohen ashtu siç kemi parë në Bosnjë, a ekziston rreziku që SHBA-të të përpiqen të veprojnë një – anshëm?

MICHAEL EMERSON
Unë shoh se rreth Kosovës këtë vit BE-ja dhe SHBA-të do të kenë takime serioze bilaterale, që të përpiqen të gjejnë një qëndrim të përbashkët.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket statusit final të Kosovës, kur ju pritni që kjo çështje të zgjidhet?

MICHAEL EMERSON
Nuk është punë e lehtë për të bërë parashikime. Ekzistojnë presione që të bëhet diçka këtë vit, pra që të fillojnë negociatat, e që pastaj, gjatë vitit të ardhshëm, të kemi një përfundim. Këtë situatë do ta përshkuaja sikur me veprimet e shoferit që në njërën anë e rritë shpjetësinë, ndërsa nga ana tjetër e mban këmbën në sistemin e frenimit. BE-ja tërheq vërejtjen se së pari dëshiron të shohë sjellje me përgjegjësi të udhëheqjes së Kosovës, ndërsa njëkohësisht i vështron gjërat në Maqedoni dhe në Bosnjë. Prandaj, është vështirë të parashikohen gjërat pasi ekzistojnë presione në të dy drejtimet.

Intervistoi: Branka TRIVIÇ

XS
SM
MD
LG