Ndërlidhjet

logo-print

LEKA ZOGU: MONARKIA NË REND DITE, VETËM NËSE FITON LZHK-JA


Leka Zogu, pretendent i fronit mbretëror dhe kryetar i LZHK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Me çfarë synimi Lëvizja për Zhvillim Kombëtar do të garojë në zgjedhjet parlamentare të 2005-sës?

LEKA ZOGU
Do të garojë me synimin të marrë pushtetin dhe arsyeja e nevojës për të marrë pushtetin është keqqeverisja e qeverisë së sotme.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të bëni aleancë me grupime të tjera politike gjatë fushatës zgjedhore dhe pas saj?

LEKA ZOGU
Para dhe deri sa të mbarojë fushata nuk do kemi asnjë aleancë. Më tej do të varet nga situata.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se duhet t'ju votojnë shqiptarët?

LEKA ZOGU
Unë nuk mendoj se shqiptarët duhet të më votojnë, unë shpresoj se do të më votojnë. Unë s'jam kandidat, por të votojnë për LZHK-në, për të mirën e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të jetë çështja republikë apo monarki në fushatën e Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar?

LEKA ZOGU
Jo tani. Ajo është një çështje që do të vijë më vonë dhe vetëm pasi të ketë fituar LZHK-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Ku mendoni se janë zonat, në të cilat ju mund të merrni më shumë vota në votime?

LEKA ZOGU
Ne synojmë për në 100 zona. Ku do të marrim më tepër ku do të marrim më pak, ajo varet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kandidatët tuaj do të jenë kryesisht intelektualë? Apo do të jenë thjesht njerëz të cilët ju adhurojnë, adhurojnë kohën e mbretërisë?

LEKA ZOGU
Jo. Disa do të jenë intelektualë, disa do të jenë industrialë, me fjalë të tjera do të jenë nga të gjitha fushat. Do të jenë shqiptarë me një ndërgjegje të pastër karshi kombit.

RADIO EVROPA E LIRË
Po cila do të jetë e veçanta e fushatës suaj elektorale? Keni bërë ndonjë projekt, ndonjë skemë ndryshe që ju të arrini të bindni elektoratin?

LEKA ZOGU
Janë bërë disa dhe ngadalë po dalin. Do të shkojmë në të gjitha rrethet të takohemi me njerëzit, por ajo që ndoshta e dallon këtë fushatë nga të tjerat, është se jemi duke kërkuar nga zonat vetë që të emërojnë deputetët e tyre.

Intervistoi Alma Çupi
XS
SM
MD
LG