Ndërlidhjet

BËRJA E LIRISË SË KOSOVËS


Wesley Clark, Wall Street Journal

Në fjalimin e tij vizionar me rastin e inaugurimit, presidenti George Bush u shpreh lidhur me sfidat për promovimin e lirisë në botë. Natyrisht vëmendja ishte e përqendruar në zgjedhjet në Irak. Por fokusimi ekskluziv në Irak do ti shtoj rreziqet në rajonet e tjera, siç është Ballkani. Për çdo ditë që kalon, tensionet në Kosovë rriten, duke kërcënuar shkatërrimin e lirive të fituara me vështirësi dhe ripërtritjen e konfliktit. Në vitin 2005, Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta shqyrtojnë statusin final të Kosovës, para se të bëhet shumë vonë për ta parandaluar tragjedinë.

Prej intervenimit të Natos në vitin 1999, asnjëherë nuk është shqyrtuar statusi final i Kosovës. Aktualisht Kosova administrohet nga Kombet e Bashkuara ndërsa sovraniteti ende formalisht mbetet me unionin Serbi – Mali i Zi. Por, pas një dekade të tiranisë së Beogradit, që kulmoi me luftë, me dëbim masiv dhe me mizori, shumica shqiptare në Kosovë, që përbënë 90% të popullësisë, refuzon çfarëdo lidhje me Serbinë dhe kërkon pavarësi. Gati gjashtë vite pas luftës, Serbët dhe Shqipëtarët ende nuk mund të jetojnë së bashku. Qëllim i hapur i Serbisë është parandalimi që Kosova të bëhet e pavarur. Me shtimin e konfliktit, shqiptarët shumicë në Kosovë e shohin minoritetin serb si kolonë e pestë dhe asnjëra palë nuk është e gatshme për ndërtimin e urave të lidhjes.

Tensionet në Kosovë dhe Serbi tash janë përsëri në rritje dhe përplasja e dhunshme mund të ndodhë para përfundimit të këtij viti, nëse procesi nuk udhëhiqet nga përpjekjet e Perëndimit. Përleshjet e mëtejshme, sikur ato në pranverën e kaluar, mund të rezultojnë me një ndarje të territorit të Kosovë, duke krijuar kështu një precendent që kërcënon shkatërrim të investimeve të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian në stabilizimin e shtetve multietnike në gjithë Ballkanin. Pas trazirave të marsit të vitit të kaluar, disa kanë venë në pikëpyetje se a e meriton kjo shoqëri e ndjeshme dhe jo e zhvilluar sa duhet shtetin e vet. Përderisa shqetësimet janë të vlefshme, është me rëndësi të kihet parasysh se tashmë Kosova ka mbajtur dy zgjedhje demokratike, po zhvillon bazat e një ekonomie moderne dhe funksionale dhe i ka hedhur bazat e shtetësisë. Por mbrojtja e të drejtave të minoriteteve nuk mund të sigurohet pa progres në zgjidhjen e statusit final.

Disa në establishmentin politik, të sigurisë dhe të mediave të Serbisë kanë dështuar të lëvizin nga periudha e Millosheviqit në qëndrimin ndaj Kosovës. Ata shohin avantazhe në frustrimet e mëtejme të shqiptarëve dhe në dhunë dhe po bëjnë përpjekje të pandërprera për provokime me qëllim që ta imponojnë zgjidhjen për ndarje. Fushata e papërmbajtur e mediave në Serbi, që parashehë trazira të reja të shqiptarëve lidhur me Luginën e Preshevës në Jug të Serbisë dhe rivendosja e armatës serbe në pjesën jugore, në dhjetor të vitit të kaluar, ndoshta shënojnë vetëm hapjen agresive në strategjinë e provokimeve.

Për dallim nga rasti i Irakut, në Kosovë nuk ka konflikt aktiv. Por tash janë të nevojshme masa të menjëhershme për ta zgjidhur statusin final të Kosovës, që të mos humbet paqja dhe liria në Ballkan.
XS
SM
MD
LG