Ndërlidhjet

UDHËHEQËSIT KOSOVARË KËRKOJNË FORMIMIN E MINISTRISË SË DREJTËSISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Sistemi gjyësor në Kosovë duhet të konsolidohet, riorganizohet dhe reformohet deri në shkallën e krijimit të një sistemi të paanshëm dhe efikas, është thënë sot në një konferencë mbi organizimin e këtij sistemi në Kosovë, organizuar nga Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bashkëpunim me Këshillin e Evropës.
Në fjalën e tij, presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha se që nga vendosja e misionit ndërkombëtar në Kosovë, sistemi i drejtësisë është konsoliduar. Por, ai u angazhua që ky system të vazhdojë të reformohet, si dhe që kompetencat në këtë fushë UNMIK-u t’i bartë te vendorët, duke lejuar dhe formimin e Ministrisë së Drejtësisë:
“Si të gjitha segmentet e tjera të jetës në Kosovë, mendoj se një system i mirë i drejtësisë e fuqizon edhe bindjen për pavarësinë e vendit tonë, se ne jemi të aftë të kemi dhe aplikojmë shtetin e së drejtës dhe drejtësinë në vendin tonë”, tha Rugova.
Për nevojën e formimin të Ministrisë së Drejtësisë, foli dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Ai vlerësoi po ashtu, se vlera matëse e suksesit të një sistemi të gjyqësisë është qytetari dhe besimi i tij në këtë sistem. Për këtë arsye, kryeministri Haradinaj tha se në Kosovë duhet ndërtuar një gjyqësor krejtësisht i paanshëm dhe i pavarur nga politika:
“Çdo kush që troket në dyert e gjykatave duhet të ketë besim se gjykata është vendi për t’u përcaktuar dhe mbrojtur e vërteta. Drejtësia nuk duhet të bëhet instrument që frikson njerëzit e rëndomtë. Ju lus që ta mbani këtë në mend dhe ta keni parasysh faktin se po krijoni një model për popullin tuaj dhe që suksesi i çdo sistemi gjyqësor varet nga besimi dhe respektimi i njerëzve në të”, tha Haradinaj.
Ndërkohë, zëvendës-shefi i parë i UNMIK-ut, Larry Rossin, që mbanë postin drejtues të shtyllës së drejtësisë dhe policisë, tha se kur UNMIK-u ishte vendosur në Kosovë, në qershorin e vitit 1999, në Kosovë nuk kishte sistem gjyqësor. Ai u angazhua që ky sistem të zhvillohet dhe bëhet më efikas, duke u pavarësuar dhe mbetur si një nga shtyllat e pavarura të pushtetit:
“Sundimi i Ligjit është në krye të agjendës së standardeve, të cilin Kosova duhet ta përmbushë, për të siguruar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj”, tha Rossin. Mirëpo deri në arritjen e këtij standardi ai parashikoi shumë punë për të bërë, duke pasur parasysh sidomos ndarjen e drejtësisë nga influenca e pushtetit ekzekutiv.
Një analizë më të thellë rreth sistemit aktual të gjyqësisë në Kosovë, ka bërë kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa. Përkundër disa përparimeve të bëra, zoti Haxhimusa tha se ky sistem në Kosovë, megjithatë është ende larg i të qënit i pavarur dhe efikas. Si i tillë, tha, Haxhimusa, sistemi i gjyqësisë nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat e qytetarëve të Kosovës:
“Arsyet për një veprim, që të ndërtohet një system gjyqësor i shëndoshë, janë të natyrave të ndryshme, por unë me këtë rast do t’i veçoja disa prej tyre. Kjo strukturë organizative e gjyqësorit, përbën në vete një pjesë të sistemit të tejkaluar; nën dy, organizimi dhe funksionimi i gjyqësorit të tanishëm bazohet në një numër të konsiderueshëm të normave juridike, të cilat i ka tejkaluar edhe koha, edhe ndryshimet esenciale shoqërore në Kosovë, nën tre, kuadri ligjor i cili është në zbatim tani, duke filluar nga Korniza Kushtetuese dhe një sërë rregulloresh të tjera, të nxjerra nga përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm këto tri vitet e fundit dhe nxjerrja e ligjeve nga Kuvendi i Kosovës, përbën një larushi ligjesh, të cilat mjaft shpesh ndodhen në kolizion në mes tyre”, theksoi Haxhimusa.
Në rekomandimet e bëra, kërkohet riorganizimi dhe ristrukturimi i këtij sistemi. Gjithashtu, kërkohet një përfaqësim i të gjitha komuniteteve, si dhe që organizimi të bëhet mbi bazat e shtyllave të ndara të pushtetit.




XS
SM
MD
LG