Ndërlidhjet

logo-print

OJQ-TË NË SERBI KËRKOJNË TË VËRTETËN PËR KRIMET NË KOSOVË


Radovan Boroviq, Beograd

Një grup i organizatave joqeveritare për të drejtat e njeriut, ka kërkuar nga autoritetet e Unionit Serbi – Mali i Zi që të paraqesin të vërtetën zyrtare për krimet në Kosovë dhe për zhdukjen e gjurmëve të këtyre krimeve.
Shkas për këtë kërkesë ishte pohimi i Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd se në disa miniera janë djegur trupat e shqiptarëve të Kosovës.
Udhëheqësja e Fondit për të Drejtën Humanitare, me seli në Beograd, Natasha Kandiq, ka thënë se ka marrë të dhëna se ka pasur djegie të trupave të njerëzve në minierën Grot afër vendit Banja e Vranjës dhe në xeheroren në Bor. Mirëpo, ka shtuar ajo, për këto raste nuk kemi vërtetime.
Këto komente zonja Kandiq i bëri duke folur për rastin e djegies së trupave vendin Maçkaticë.
"Djegëja e trupave në Maçkaticë nuk është rast i vetëm, por të gjitha këto shënime ende nuk i kemi vërtetuar dhe nuk kemi vërtetime të pavarura", tha Natasha Kandiq.
Aktivistja Sonja Biserko lidhur me këtë rast ka deklaruar:
"Mund të thuhet se Serbia fle mbi kufoma dhe rasti i fundit, për të cilin bën fjalë Fondi për të Drejtën Humanitare, flet qartas për këtë", tha Sonja Biserko.
Andrej Nosov nga organizata joqeveritare Iniciativa e të Rinjve, me seli në Beograd, thotë se "kërkojmë të vërtetën zyrtare për krimet në Kosovë dhe për asgjesimin e trupave të këtyre krimeve".
Ai më tutje shprehet se autoritetet e Serbisë e kanë obligim që familjeve të viktimave t'u kumtojnë të vërtetën.
"Në këtë mënyrë do të fillonte hapja e institucioneve ndaj të dhënave nga e kaluara jo afërt, që nuk është aspak e lehtë, sepse janë shumë të dhimshme, por kjo është e kaluara jonë e afërt dhe me heshtje nuk mund të arrijmë asgjë", thotë Andrej Nosov.
Zyrtari i administratës ndërkombëtare në Kosovë, Hoze Baraibar tha se "askush nuk mund ta mohojë faktin se nga Kosova në Serbi janë dërguar 800 trupa", duke shtuar se thjesht mungon numri i saktë i trupave. Sipas tij mungojnë afro 1 mijë trupa.
Duke folur lidhur me iniciativat e organizatave të ndryshme joqeveritare për ndriçimin e këtyre rasteve, Milenko Dereta nga Inciativa Qytetare, mes të tjerash thotë:
"E kemi pasur një fotografi interesante në mediume, ku së bashku në bisedë janë dikush që është i akuzuar për krime të luftës, dikush që në këtë moment është kryeministër i shtetit dhe dikush që është patrik i Kishës Orthokokse. Ky lloj koalicioni kërkon që nga ana tjetër të bashkohen ata që janë kundër asaj politike të gabuar, që ka pasoja edhe për situatën e sotme në Serbi", thotë Milenko Dereta.
Lidhur me djegien e trupave të shqiptarëve të Kosovës në Maçkaticë, Fondi për të Drejtën Humanitare me seli në Beograd, ka akuzuar ish gjeneralin e policisë, Sreten Llukiq që është i akuzuar nga Tribunali i Hagës dhe komandantin e paradokohshëm të xhandarmërisë, Goran Radosavleviq. Ky fond i ka akuzuar ata edhe për asgjesimin e gjurmëve të këtyre krimeve.

XS
SM
MD
LG