Ndërlidhjet

logo-print

J. DOBBINS:"KA ARDHUR ORA E KOSOVËS"


James DOBBINS, ish - emisar i SHBA-ve për Ballkanin


RADIO EVROPA E LIRË
Ambasador Dobbins, prej disa javësh kemi një administratë të re amerikane. Duke pasur parasysh përparësitë e qeverisë Bush sa kohë dhe energji kjo amdinstratë do t'i kushtojë Kosovës dhe Ballkanit perëndimor?

JAMES DOBBINS
Vëmendja amerikane ndaj Ballkanit ka ardhur duke u ulur në mënyrë të vazhdueshme gjatë viteve të fundit. Vëmendja është përqëndruar në Lindjen e Mesme, madje në kuptimin e gjerë të saj, përfshi dhe Irakun e Afganistanin. Por nga ana tjetër Uashingtoni e pranon faktin se derisa çështja e Kosovës nuk është zgjidhur, atëherë nuk mund t'ia lejojë vetës që ta lërë pas dore, të tërhiqet, apo zgjidhjen e këtij problemi t'ia lë në dorë evropianëve. Mendoj se lidhur me çështjen e Kosovës SHBA-të do mbeten të angazhuara.

RADIO EVROPA E LIRË
Në mes të këtij viti do të bëhet evaluimi i standardeve për Kosovën. Si e shihni këtë proces dhe bazuar në informacionet tuaja cili do jetë qëndrimi i SHBA-ve?

JAMES DOBBINS
SHBA-të janë në këshillim të vazhdueshëm me aleatët evropianë lidhur me çështjen e Kosovës, në përpjekje për të gjetur një qëndrim të përbashkët. Është fakt i pranuar thuajse nga të gjithë se nuk ka asnjë gjasë që Kosova të mund të kthehet nën sovranitetin apo kontrollin e Serbisë. Kështu duhet të ketë një lloj pavarësie për Kosovën, pavarësi e cila duhet të përfshijë të gjithë territorin aktual të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje. Nga ana tjetër është gjithashtu një fakt i pranuar nga të gjithë se ka nevojë për mbrojtje të posaçme dhe siguri për pakicat, veçanërisht për serbët e Kosovës. Kjo do kërkojë realizimin e një sërë marrëveshjesh, të cilat duhet të pranohen nga të gjitha palët në Kosovë. Në këto rrethana ndoshta do të lindë nevoja e vazhdimit të një pranie ndërkombëtare edhe pas mbarimit të misionit të UNMIK-ut dhe marrjes së sovranitetit të plotë të Kosovës.
Së fundi, ndonëse personalisht mendoj se nuk ka mundësi që Beogradi të pranojë marrëveshje të tilla, duhet të ketë përpjekje që së paku të zbutet shkalla e kundërshtimit nga ana e Beogradit rreth këtyre zhvillimeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët evropianë kanë deklaruar se SHBA-të mund të veprojnë në mënyrë të njëanshme për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Çfarë do të thonit rreth kësaj mundësie?

JAMES DOBBINS
Nuk ka gjasa që të kemi një reagim të njëanshëm nga ana e Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të ndonjë rasti tepër ekstrem ku Bashkimi Evropian nuk do mund të formulojë asnjë qëndrim në këtë drejtim. SHBA-të do përpiqen të marrin një rol drejtues në këtë proçes, por nuk do ta prishin konsensusin me aleatët dhe besoj se do të punojnë së bashku me vendet kryesore anëtare të Bashkimit Evropian dhe pse jo me Bashkimin Evropian si tërësi.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka gjasa që administrata aktuale të emërojë të dërguar të posaçëm për Ballkanin kur do fillojnë bisedimet për statusin?

JAMES DOBINS
Nuk e di me siguri. Administrata e parë Bush nuk dëshironte të dërguar të posaçëm për Ballkanin. Kolin Pauell, në cilësinë e Sekretarit të Shtetit, besonte se emërime të tilla nuk ishin të përshtatshme, derisa zyrtarët dhe diplomatët përkatës brenda Departamentuit të Shtetit duhet të trajtojnë një çështje të tillë.
Ka mundësi që Kondoliza Rice të marrë një qasje të re dhe të emërojë një të dërguar të posaçëm të qeverisë amerikane në rajon, por ekziston edhe mundësia që nënsekretari i shtetit për çështjet evropiane dhe ekipi përkatës të merret me problemin në fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse kthehemi disa vite pas, ka kritikë që thonë se adminsitrata Klinton në Ballkan, ku dhe ju keni qenë i përfshirë, i ka lënë punën e përgjysmë pasi nuk zgjidhi çështjen e statusit të Kosovës. Cila do ishte përgjigjja juaj ndaj kritikatave të tilla dhe çfarë do duhej të bëhej ndryshe parë nga prespektiva e sotme?

JAMES DOBBINS
SHBA-te, pas ndërhyrjes ajrore që coi në çlirimin e Kosovës, morrën një vendim të ndërgjegjshëm, që të shtynin për një kohë trajtimin e problemit të statusit përfundimtar të Kosovës. Ky vendim lidhej me qëndrimin se përcaktimi në atë kohë i statusit të Kosovës do ndikonte negativisht në pjesë të tjera të rajonit, veçanërisht në Maqedoni, Bosnjë e në veçanti në marrëdhëniet mes Serbisë e Malit të Zi. Por administrata Klinton e kishte të qartë dhe pranonte faktin se çështja e Kosovës do duhej të diskutohej brenda një periudhe të caktuar kohe dhe të gjitha gjasat ishin që rezultat i këtyre diskutimeve do të ishte Kosova e pavarur me një numër garancish për pakicat. Vendimi për ta shtyrë këtë hap nuk lidhej me faktin se kjo ishte më e mirë për Kosovën, por për momentin ishte zgjidhja më e mirë për rajonin në tërësi. në këtë mënyrë do fitonim kohë të zgjidhnim disa situata të tensionuara apo konflikte etnike në pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana tjetër besuam se Kosova pas çlirimit nga NATO-ja, do mund të kalonte një periudhë tranzicioni nën protektoratin ndërkombëtar, pa e dëmtuar atë. Mendoj se ishte një vendim i arsyeshëm dhe këtë e vërtetojnë më së miri ngjarjet në Maqedoni. Mendoj se ka ardhur koha e Kosovës dhe është koha tani që të merremi me këtë çështje. Pjesët e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë pasur një periudhë kohe relativisht të qetë për të stabilizuar marrdhëniet mes vete dhe tani është ora t'i kthehemi Kosovës.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO
XS
SM
MD
LG