Ndërlidhjet

HELLE DALE: ZGJIDHJA E STATUSIT FINAL - NJË PERSPEKTIVË PAK MË E GJATË SE SA VITI 2006


"Mendoj se është lajm i mirë për popullin e Ballkanit dhe në veçanti për kosovarët se ajo është e gatshme për përkushtim personal për zgjidhjen e çështjeve të mbetura atje. Ajo është shumë serioze. Poashtu edhe administrata ka paraqitur një agjendë që favorizon lirinë dhe demokracinë", thotë pos tjerash, analistja Helle Dale, nga Fondacioni Heritage me seli në Uashington, duke komentuar disa deklarata të sekretares amerikane të shtetit, Condoleezza Rice për Kosovën dhe për Ballkanin.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh, gjatë dëgjimit konfirmues në një komitet të senatit të Shteteve të Bashkuara, Condoleezza Rice tha se çështjet e mbetura në Ballkan duhet të zgjidhen. Ajo poashtu tha se Kosova është prioritet i lartë. Sipas jush, çka do të thotë kjo?

HELLE DALE
Mund të them se ende duhet të shohim saktësisht nga ajo dhe Departamenti i shtetit se kah do të lëvizin gjërat. Mendoj se pjesën më të madhe të energjisë do ta shpenzoj në Lindjen e Mesme, që do të jetë në krye të agjendës së saj. Ajo do të shkoj atje për tu takuar me palestinezët dhe izraelitët. Por mendoj se është lajm i mirë për popullin e Ballkanit dhe në veçanti për kosovarët se ajo është e gatshme për përkushtim personal për zgjidhjen e çështjeve të mbetura atje. Ajo është shumë serioze. Poashtu edhe administrata ka paraqitur një agjendë që favorizon lirinë dhe demokracinë...Në këtë aspekt do të thoja se kjo është diçka e mirë, por nuk jam ende krejtësisht e sigurtë se çka do të thotë kjo në aspektin praktik.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra a mund të thuhet se duket se administrata amerikane është ende e interesuar për çështjet e Ballkanit?

HELLE DALE
Po duket se është kështu. Ne ishim shumë të angazhuar me Irakun dhe Afganistanin, kështu që Ballkani kishte rënë nga agjenda këtu në Uashington. Por, mendoj se përkushtimet e përmendura janë të mira për ju...për popullin e Ballkanit. E përsërisë, është ende fillimi i zonjës Rice në Departamentin e shtetit dhe ne duhet të shohim se çfarë burimesh do të përfshijë për zgjidhjen e çështjes dhe se a është ajo e gatshme për të marrë rolin udhëheqës. Ka shumë çështje në tavolinën e saj në këtë fillim dhe nuk mendoj se mund të pritet aksion i menjëhershëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në komentin e tij në Wall Street Journal, para disa ditësh, ish komandanti i Natos, Wesley Clark tha se tash janë të nevojshme masa të menjëhershme për zgjidhjen e statusit final të Kosovës, përderisa nuk është humbur, siç tha ai, paqja dhe liria në Ballkan. Çka mendoni ju lidhur me këto komente?

HELLE DALE
Definitivisht Wesley Clark e njeh Ballkanin më mirë se njerëzit e tjerë. Nuk jam e sigurtë se çka nënkupton ai me këto masa, por ai këtu disktuon për mosgatishmërinë e serbëve, për tu ballafaquar me çështjen se Kosova do të bëhet e pavarur.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rekomandimet e tij, Grupi Ndërkombëtar i Krizave, tha se statusi final i Kosovës duhet të vendoset nga mesi i vitit të ardhshëm. Si i komentoni ju këto rekomandime?

HELLE DALE
E kam parë këtë raport dhe mendoj se e shtron këtë çështje shumë të rëndësishme. Nuk jam e sigurtë se a është e përdorshme që të paraqitet një afat kohor ashtu siç e bëjnë ata. Por, ndoshta është një vijë e njejtë e mendimit, si ajo e zonjës Condoleezza Rice dhe e gjeneralit Clark, se ekziston nevoja që të bëhet presion për gjetjen e zgjidhjes finale atje. Mendoj se, me gjasë, BE-ja dhe përfshirja e vendeve nga rajoni, do të jenë pjesë e përpjekjeve për zgjidhje, ashtu që, në fund të fundit, vendet e Ballkanit ti bashkohen Unionit Evropian. Në këtë mënyrë do të ketë më pak nevojë për bisedime çfarë i kanë tash.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak më parë ju e përmendët afatin kohor që theksohet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Sipas jush cili është afati i drejtë kohor?

HELLE DALE
Mendoj se nuk ndihmon krijimi i një afati kohor që nuk është realist. Personalisht mendoj se, me gjasë, është një perspektivë pak më e gjatë se sa viti 2006. Mendoj se nëse ju jeni në gjendje që ta përfshini Serbinë dhe Bashkimin Evropian, ju do të shihni se çështja e Kosovës do të bëhet më e lehtë për tu zgjidhur, për shkak se do të kemi një trupë më të madhe të vendeve që do të merreshin me këtë çështje. Por, mendoj se, përfundimisht, kosovarët do të kenë vetë-vendosje vetëm nëse çdokush është në Bashkimin Evropian. Do të jetë më lehtë të bëhen lidhje, do të jetë e mundshme që më lehtë të mbahet tregu dhe vetë Kosova do ta kishte më lehtë për të mbijetuar pasi mbijetesa ekonomike është pjesë e çështjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë dhe kosovarë presin që ky vit të jetë shumë i rëndësishëm për procesin e statusit final të Kosovës. Nga kënd vështrimi juaj cili është plani i mundshëm për këtë proces?

HELLE DALE
Qartas, Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka paraqitur një propozim, rreth të cilit njerëzit tash do të reagojnë. Mendoj se duhet të kemi një involvim të ngjashëm ndërkombëtar me atë që e kemi në këtë moment në Lindjen e Mesme. Shpresoj se kjo çështje do të zgjidhet gjatë kësaj dekade, por nga këndvështrimi im nuk e shoh një presion në Uashington për ndonjë zgjidhje që do të bëhej shpejtë.
Intervistoi Fatmir Bujupi.
XS
SM
MD
LG