Ndërlidhjet

EKSPERTËT I THONË PO DECENTRALIZIMIT, POR JO ENKLAVIZIMIT NË BAZA ETNIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Reforma e pushtetit lokal dhe decentralizimi janë procese të domosdoshme për Kosovën, në mënyrë që shërbimet publike dhe administrative të jenë më afër qytetarit, kanë vlerësuar ekspertë të drejtësisë dhe të ekonomisë. Mirëpo, ata kanë tërhequr vërejtjen për vështirësitë që sjell me vete i gjithë procesi. Riza Smaka, kryetar i shoqatës së juristëve të Kosovës, tha se decentralizimi duhet të pranohet parimisht, përkitazi me postulatin e afrimit të shërbimeve publike qytetarit, si dhe të riorganizimit të administratës:
"Përfundimisht decentralizimi po, por si parim dhe mekanizëm i përgjithshëm i sistemit politik dhe i rendit juridik. Po, si strukturë e mekanizmave të aparatit shtetëror, i cili aktualisht në Kosovë nuk egziston, por kurrsesi në funksion të enklavizimit apo të favorizimit të rajoneve të caktuara".
Në anën tjetër, Sejdi Osmani nga instituti Riinvest, i cili është i përfshirë drejtpërdrejt në procesm tha se kjo është një ndërmarrje e nevojshme për Kosovën. Mirëpo, ai ka tërhequr vërejtjen se duhet pasur parasysh në radhë të parë kostoja e procesit, në mënyrë që reforma e pushtetit lokal të sillet në suazën e kapaciteteve fiskale të Kosovës:
"Është më se e qartë se ky projekt do të kushtojë, domethënë ka kosto të lartë, pasi është fjala për rritjen e administratës lokale, pasi duhet të ketë staf të ri, që do të punojë në administratën e re që do të formohet në kuadër të pilot-komunave, njësive nënkomunale, pastaj pajisjet."
Zoti Osmani tha se instituti Riinvest ende nuk ka bërë matje të sakta për kushtueshmërinë e gjithë procesit, mirëpo sipas tij, indikatorët tregojnë se procesi do të kushtojë, por kjo sipas tij nuk është arsye për të mos e vazhduar reformën e nisur:
"Nëse duam reformë të pushtetit lokal dhe nëse duam që qytetarëve t’u ofrojmë shërbime më cilësore publike dhe administrative, atëherë duhet të pranojmë edhe rrezikun e një ngarkese të re në kurriz të buxheteve familjare, të qytetarëve dhe të bizneseve", tha zoti Osmani, për të shtuar megjithatë se kosto, kurrsesi nuk duhet të dalë jashtë mundësive të ekonomisë dhe qytetarëve të Kosovës.
Në anën tjetër, zoti Riza Smaka tha se procesi i decentralizimit do duhej të ishte i mbështetur në Kornizën Kushtetuese, si akti më i lartë juridik i Kosovës:
"Mendoj që është dashur fillimisht të përcaktohet rendi juridik me aktin kushtetues dhe pastaj të mundësohet me akte juridike, ligjore dhe nënligjore."
Ndryshe, procesi i reformës së pushtetit lokal, bashkë me sigurinë dhe lirinë e lëvizjes, është në mesin e standardeve që zyrtarët ndërkombëtarë i kanë vlerësuar vendimtare, për vlerësimin pozitiv të përmbushjes së standardeve drejt përcaktimit të statusit përfundimtar të Kosovës.

XS
SM
MD
LG