Ndërlidhjet

HARADINAJ: NË KOSOVË SHËNOHEN HAPA KONKRETË QË DËSHMOJNË PLOTËSIMIN E STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në Kosovë po shënohen hapa konkretë që dëshmojnë plotësimin e standardeve, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai i ka bërë këto komente, pas takimeve të rregullta të grupeve të përbashkëta punuese, ku identifikohen fushat e veprimit dhe të aksioneve konkrete si dhe njëkohësisht vlerësohen të arriturat e deritanishme në planin e standardeve për Kosovën. Në fund të këtij muaji Këshilli i Sigurimit do të japë vlerësimin politik, pas raportit të dytë teknik të përgatitur në Prishtinë nga qeveria dhe UNMIK-u. Duke u nisur nga raporti teknik i hartuar nga UNMIK-u, kryeministri Haradinaj tha se pret vlerësim pozitiv edhe nga Këshilli i Sigurimit:
“Dihet tanimë se raportimi teknik që është bërë, është pozitiv për qeverinë e Kosovës dhe ajo që mund të themi që tani, është që ne po punojmë që raportimi i radhës për muajin maj, që do të bëhet në fund të prillit, të jetë po ashtu i sukseshëm për Kosovën”, tha Haradinaj.
Ndërkohë që deri në mesin e këtij viti, qeverisë së Kosovës i mbetet të shënojë një përparim të dukshëm në prioritetet e përcaktuara në kuadër të standardeve, Haradinaj paralajmëroi që disa prej tetë standardeve, të vlerësohen të përmbushura edhe më herët:
“Ne kemi kaluar në veprime konkrete të ndërmara, veprime veç e veç, të cilat janë të matshme, një pjesë e madhe e tyre kanë ndodhur. Për shembull mund t’ju them që standardi i parë, institucionet demokratike, do t’i përmbyllë të gjitha prioritetet në fund të marsit, pra ne do të mund të raportojmë se kemi kryer punë dhe janë ndërmarrë veprimet konkrete që kanë qenë paraparë”, tha kryeministri i Kosovës.
Një prej sfidave kryesore me të cilën vlerësohet se do të ballafaqohet qeveria Haradinaj, është pozita e pakicës serbe në Kosovë. Standardet me prioritet, si liria e lëvizjes, siguria, kthimi dhe riintegrimi, si dhe decentralizimi, si standard më vete, sipas kreut të qeverisë së Kosovës do të shënojnë shumë shpejt përparime të dukshme. Pas paralajmërimeve për pilot-projektet në kuadër të decentralizimit, pas formimit të Ministrisë për Kthim dhe Komunitete, Haradinaj paralajmëroi dhe pilot projekte për kthimin e të zhvendosurve, gjithashtu:
”Ministria, por edhe ne si qeveri, kemi pilot- projektet për kthim, disa prej të cilave janë në zhvillim e sipër, në komunën e Ferizajt më konkretisht dhe do të vazhdojmë me projekte tjera për kthim. Kthimi është një process dhe një punë dy pjesëshe, një pjesë e saj është e jona, e institucioneve të Kosovës, që ka të bëje me krijimin e kushteve, situatës për kthim dhe pjesa e dytë është vendimi i të zhvendosurve për t’u kthyer”, pohoi kryeministri Haradinaj.
Deri më tani, në Prishtinë autoritetet vendore dhe ato ndërkombëtare kanë hartuar dy raporte teknike. Në sesionin e radhës së Këshillitë të Sigurimit më 24 shkurt, do të bëhet dhe vlerësimi politik i plotësimit të këtyre standardeve, ndërkaq deri në vlerësimin përfundimtar, qeveria dhe UNMIK-u do të hartojnë dhe dy raporte të tjera teknike. Bashkësia ndërkombëtare e ka paralajmëruar qeverinë e Kosovës, se varësisht vlerësimit që do të jepet në mesin e këtij viti rreth plotësimit të standardeve me prioritet, që do të bëhet nga ana e Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit, do të varet më pas dhe hapja për diskutim e zgjidhjes së statusit të Kosovës.


XS
SM
MD
LG