Ndërlidhjet

KEK: RRYMA NUK NDËRPRITET NË MËNYRË KOLEKTIVE DHE AS NË BAZA ETNIKE


Albana Isufi, Prishtinë

Korporata Energjetike e Kosovës nuk ndërpret në mënyrë kolektive rrymën elektrike, as në vendet e banuara me serbë e as në ato me shqiptarë, thotë drejtori i Zyrës për Marrëdhënie me Publikun, Palok Berisha.
“Nuk ka asnjë urdhër, e as që guxon kush në KEK ta japë, se nuk janë politikat e KEK-ut, që të kryejnë ndërprerje kolektive. Ka të bëjë vetëm me ndërprerj individuale dhe ka të bëjë vetëm me prishje”, thotë Berisha.
Për shkak të faturava të papaguara të rrymës së shpenzuar, serbët e Lipjanit dhe të fshatit Batushë të komunës së Fushë Kosovës, nuk kanë rrymë për një kohë të gjatë, për ç’gjë edhe kanë mbajtur protesta kohë më parë.
Këshilltari i shefit të UNMIK-ut për pakica Craig Jennes, thotë se problemi i ndërprerjes së energjisë elektrike mund të zgjidhet me pagimin e rrymës elektrike dhe me nënshkrimin e kontratave me KEK-un. Jennes, duke hedhur poshtë pohimet se bëhet fjalë për diskriminim, thotë se nga të gjitha vendbanimet që iu është ndërprerë energjia elektrike, vetëm 5 janë të banuara me serbë.
“Nuk është e vërtetë se bëhet fjalë për diskriminim. Fatkeqësisht, njerëzit në Lipjan dhe Batushë, po e politizojnë këtë çështje, ata nuk guxojnë të jenë peng i çështjeve të mëdha politike, por vetëm duhet të paguajnë rrymën dhe të nënshkruajnë kontratën me KEK-un, thotë Jennes, duke shtuar se Beogradi duhet të ndikojë tek serbët e Kosovës, që të nënshkruajnë kontratat me KEK-un.
Edhe Palok Berisha, pohon se problemi i ndërprerjes së energjisë elektrike nëpër vendbanimet serbe, është politizuar pa nevojë.
“Ne kemi pasur shumë bisedime me ta, kemi pasur përshtypjen se ekziston një gadishmëri e tyre, që çështja të zgjidhet, por në fund kur duhet të ndodhin çështjet praktike, ata tërhiqen. Ata e kuptojnë këtë si një nënshkrim, se po e pranojnë Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse bëhet fjalë vetëm për energjinë elektrike,” thotë Berisha, duke shtuar se kjo tregon se serbët janë të manipuluar.
“Ata janë të manipuluar, këtu është në pyetje manipulimi i serbëve nga ana e Beogardit zyrtar, ne kemi probleme shumë të mëdha," thotë Palok Berisha.
Berisha thotë se inkasimi i dobët po e rrezikon edhe funksionimin e rrjetit të KEK-ut:
“Rreth 205 milionë konsumatorët i kanë borxh KEK-ut. Inkasimi i energjisë elektrike është problemi ynë më i madh, pasi neve na kërkohen paratë, pasi pa para nuk mund të funksionojmë. Nganjëherë vijmë në situatë kur edhe rrezikohet funksionimi i rrjetit të KEK-ut”.
Ndryshe, deri tani, zyrtarët e KEK-ut thonë se nuk kanë pasur qasje në matjen e njehsorëve të energjisë elekrike në vendbanimet serbe, rrjedhimisht nuk dihet shifra e saktë e borxhit të tyre.
Por, është fakt se serbët nuk e kanë paguar rrymën që nga qershori i vitit 1999 dhe borxhi i tyre sillet në dhjetëra miliona euro, thonë në KEK.


XS
SM
MD
LG