Ndërlidhjet

RICE: ËSHTË MOMENTI TË HAPIM NJË KAPITULL TË RI NË MARRËDHËNIET BE-SHBA


"Është koha t'i tejkalojmë mosmarrëveshjet e së shkuarës. Është momenti të hapim një kapitull të ri në marrëdhëniet tona, një kapitull të ri në aleancën tonë. Amerika është e gatshme të punojë me Evropën në agjendën tonë të përbashkët ndaj dhe Evropa duhet të jetë e gatshme për të punuar me Amerikën", tha Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, në një fjalim të mbajtur në Fondacionin Kombëtar për Shkenca Politike në kryeqytetin francez, përpara 500 studentëve e intelektualëve. Parisi ka qenë ndalesa më e fundit e kryediplomates amerikane në turneun e saj në Evropë e Lindjen e Mesme.
Rajs është përqëndruar në marrëdhëniet transatlantike, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe në qëndrimin amerikan që mbështet rritjen e fuqisë së Bashkimit Evropian.
"Shtetet e Bashkuara para së gjithash mirëpresin bashkimin në rritje të Evropës. Amerika vetëm fiton nga një Evropë e fuqishme, partnere në ndërtimin e një bote më të sigurt e më të mirë. Prandaj le të lëmë çdonjërin nga ne që të vendosë mbi tryezë idetë, përvojat, burimet dhe të diskutojmë e vendosim së bashku, për mënyrën më të mirë për të arritur ndryshimet demokratike", tha mes të tjerash Rajs, e cila njëherësh iu përgjigj edhe kritikave drejtuar Shteteve të Bashkuara se synojnë të vendosin formën e tyre të qeverisjes në botë.
"Liria për nga natya duhet të vijë nga brenda vendit. Duhet të zgjidhet nga shoqëritë, ajo nuk mund të jepet dhe padyshim që nuk mund të jetë e detyruar. Për këtë arsye, ashtu siç ka thënë dhe presidenti, përhapja e demokracisë është punë brezash. Por në të njëtën kohë, përhapja e lirisë në botën arabe dhe myslimane në përgjithësi, është një detyrë urgjente që nuk mund të lihet pas dore", ka theksuar shefja e diplomacisë evropiane, e cila në Paris nuk ka harruar të nënvizojë se feja islame dhe demokracia nuk kundërshtojnë njëra tjetrën.
"Nuk ka konflikt mes besimit islam dhe demokracisë. Të dyja konceptet mund të qëndrojnë njëri bri tjetrit ashtu siç ndodh për shembull në Turqi", tha Rajs.
Para takimeve në Paris, Rice kishte qëndruar në Romë, ku kishte biseduar me homologun e saj italian Gianfranco Finni. Në konferencën për shtyp pas këtij takimi, Rajs kishte theksuar nevojën për të ndihmuar palestinezët në ndërtimin e shoqërisë.
"Ne biseduam për nevojën që bashkësia ndërkombëtare e veçanërisht katërshja diplomatike e përfshirë në Lindjen e Mesme, të përfshihet në gjithçka që duhet për të ndihmuar palestinezët në reformat e forcave të sigurisë, në mënyrë që ato të jenë në gjendje të luftojnë terrorizmin, të ndërtojnë institucione që do mund të jenë baza e shtetit demokratik, e padyshim t'ju mundësohet rindërtimi ekonomik në territoret palestineze", deklaroi Rajs.
Nga ana tjetër zgjedhja e Parisit si kryqyteti, ku ajo dha fjalimin kryesor të këtij turneu diplomatik, është zgjehdur me kujdes, pasi siç e ka theksuar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Riçard Bauçer, Parisi ka qenë në qendër të debateve e diskutimeve në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës.
Ndërkaq Brukseli dhe Luksemburgu janë qendrat që do vizitohen nga Rajs pas Parisit.

XS
SM
MD
LG