Ndërlidhjet

logo-print

DËNOHET SHPËRTHIMI NË VETURËN E POLITIKANIT OLIVER IVANOVIQ


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Listës serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar sot për Evropën e Lirë se shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë në veturën e tij, në veriun e Mitrovicës, është një akt i pakuptimtë. Në anën tjetër, motivet për këtë shpërthim, në të cilin nuk ka pasur të lënduar, por është dëmtuar vetura e zotit Ivanoviq, mbeten të panjohura, si për policinë, ashtu edhe për vetë zotin Ivanoviq:
"Nuk kam kurrfarë njohurish. Nuk di se cili ka mundur të jetë motivi. Mund të flas me hamendje, por nuk do të doja të spekuloj," tha Oliver Ivanoviq, duke e cilësuar këtë një akt të pakuptimtë, pasi siç u shpreh Ivanoviq, "unë nuk e kuptoj se për kë paraqes pengesë fizike". Oliver Ivanoviq tha se se kjo është një çështje e policisë, por edhe e tij:
"Policia do ta bëjë punën e saj, unë do të bëj hetimet për të vërtetuar cila ishte prapavija e sulmit, mirëpo pa pasur më shumë të dhëna nuk do të deklarohesha," tha Ivanoviq, duke e vlerësuar si rrethanë të mirë në këtë rast, faktin që askush nuk është lënduar edhe pse shpërthimi ka ndodhur në një kohë dhe vend shumë të frekuentueshëm nga qytetarët.
Policia ndërkombëtare ndërkohë ka thënë se shpërthimi që ka ndodhur mbrëmë, pak para orës dhjetë, nuk ka shkaktuar viktima, ndërsa policia po heton rastin. Friedrich Schwind, nga njësiti i policisë së UNMIK-ut për krime të rënda, tha se policia nuk ka përjashtuar asnjë nga motivet për këtë sulm:
"Aktualisht nuk mund të them asgjë për motivet. Ne kemi disa opsione dhe hetimet duhet të hedhin dritë mbi këtë, por tani për tani nuk mund të përjashtohet asnjëri nga opsionet," tha zoti Schwind.
Në anën tjetër, zëdhënësi i UNMIK-ut Jeff Bieley, tha se shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka vlerësuar se rastet e tilla janë provokime të atyre, që nuk duan të shohin përparim në Kosovë:
"Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm ka thënë se situata e përgjithshme e sigurisë është shumë e mirë dhe është përmirësuar shumë, mirëpo ne e dimë që ka njerëz, që nuk duan të shohin përparim në Kosovë dhe prandaj mund të ketë edhe provokime," tha zëdhënësi Jeff Bieley.
Shpërthimin e mbrëmshëm në Mitrovicë e ka dënuar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, duke e quajtur këtë një akt të shëmtuar dhe qyqar të dhunës së drejtuar kundër deputetit të Kuvendit të Kosovës, zotit Oliver Ivanoviq. Aktet e tilla të dhunës janë të papranueshme dhe nuk bën të tolerohen, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, ku kërkohet nga organet e rendit që të veprojnë me vendosmëri për zbulimin e kryesve të këtij akti dhe parandalimin e akteve të ngjashme të dhunës, të cilat cënojnë sigurinë e përfaqësuesve politikë dhe të qytetarëve të Kosovës.
Oliver Ivanoviq është kryesues i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, që është subjekti më i madh i serbëve të Kosovës i dalë nga zgjedhjet e 23 tetorit të vitit të kaluar. Subjekti politik i zotit Ivanoviq ende nuk ka pranuar të marrë tetë vendet, që i takojnë sipas Kornizës Kushtetuese në Kuvendin e Kosovës.


XS
SM
MD
LG