Ndërlidhjet

KOSOVA, NJË NDËR TEMAT E DISKUTIMIT TË KONDOLIZA RAJS ME ZYRTARËT E LARTË TË NATO-S


Augustin Palokaj, Bruksel

Sekretarja e re amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, në vizitën e parë në NATO, ka thënë se me aleatët evropianë brenda NATO-s do të vazhdojnë përpjekjet për të përfunduar punën e mbetur në Kosovë. Ajo Ballkanin e përmendi si sukses, sidomos transformimin e misionit të SFOR-it në Bosnje Hercegovinë në duart e BE-së, duke thënë se ky është një shembull i mirë i bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ishte kjo vizita e parë e zonjës Rajs që kur ka marë postin e shefes së diplomacisë amerikane dhe për nder të vizitës së saj në NATO është mbajtur një takim i jashtëzakonshëm i ministrave të jashtëm të të gjitha vendeve anëtare. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer, duke folur pas takimit të sotëm, tha se Kosova dhe e ardhmja politike e saj është diskutuar në mënyrë të posaçme në këtë takim, përfshirë edhe çështjet e transformimit të misionit të KFOR-it atje. Jap de Hop Shefer tha se ka patur pajtim të plotë të të gjithë anëtarëve të NATO-s dhe ministrave që kanë folur, se këtë vit duhet mbajtur niveli i tanishëm i forcave të KFOR-it në Kosovë, sepse ky është një vit i rëndësishëm për Kosovën. I pyetur se a ka ndonjë dallim në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë brenda NATO-s lidhur me Kosovën, Jap De Hop Shefer është shprehur se absolutisht nuk ka kurrfarë dallimi sa i përket KFOR-it dhe ende mbetet në fuqi formula e thënë që më parë se së bashku kemi hyrë në kosovë dhe së bashku do t'ja dalim. Burimet e NATO-s pohojnë se ministrat e mbrojtjes të vendeve të NATO-s që do të takohen sonte në Nicë dhe takimin do ta vazhdojnë edhe gjatë ditës së nesërme, do të bisedojnë po ashtu për Kosovën. Përveç Kosovës, temë e rëndësishme e takimeve të sotme që zonja Rajs ka patur në selinë e NATO-s, kanë qenë edhe situata në Irak dhe Afganistan pas zgjedhjeve, por edhe procesi në Lindjen e Mesme. Po ashtu zonja Rajs ka shprehur shqetësimet amerikane lidhur me mundësinë që Evropa të heqë embargon e armëve ndaj Kinës, duke thënë se për amerikanët, një gjë e tillë do të ishte shqetësuese, duke marrë parasysh të drejtat e njeriut që sipas saj vazhdojnë të shkelen në Kinë. Pas vizitës në selinë e NATO-s zonja Rajs do të vizitojë dhe selinë e Komitetit Evropian, Hose Manuel Barrozo. Më vonë ajo do të vizitojë edhe Luksemburgun, vendin që është kryesues i radhës i BE-së. Pritet që edhe në këto takime Kosova të jetë po ashtu temë e diskutimeve.



XS
SM
MD
LG