Ndërlidhjet

logo-print

KRYEADMINISTRATORI PETERSEN DHE PRESIDENTI RUGOVA VLERËSOJNË SI TË QËNDRUESHME GJENDJEN E SIGURISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Gjatë dy muajve të fundit në Kosovë vërehet një përparim i dukshëm, ka thënë sot shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Këto komente Petersen i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin, Ibrahim Rugova. Petersen tha se përparimet në përmbushjen e standardeve, po ndikojnë te bashkësia ndërkombëtare që të rritet përkrahja për Kosovën dhe proceset që priten për këtë vit, siç është dhe hapja e diskutimeve për statusin përfundimtar:
“Unë çdo herë e kam thënë se viti 2005 është një vit i rëndësishëm për Kosovën. Mendoj se javët e fundit kemi parë se institucionet e Kosovës po punojnë shumë për ta çuar Kosovën përpara. Sapo t'i shohë bashkësia ndërkombëtare rezultatet e arritura, përkrahja për procesin do të rritet gjithashtu," tha Petersen.
Në anën tjetër, presidenti Rugova, tha se institucionet janë mobilizuar tërësisht në përmbushjen e standardeve me afatet e parashikuara. Ai përsëriti qëndrimin e tij për njohjen sa më të shpejtë të pavarësisë së Kosovës, duke paralajmëruar se pas njohjes së pavarësisë, sipas tij, do të mund të shtrohen për diskutim dhe çështjet që kanë të bëjnë me vendet fqinje, lidhur me demarkacionin e kufijve me këto vende. Po sot, presidenti i Kosovës është deklaruar dhe në lidhje me kërkesën e Grupit të Kontaktit Plus dhe UNMIK-ut, që ai të lëshojë postin e kryetarit të LDK-së, përderisa mbanë postin e presidentit të Kosovës, siç parashihet dhe me Kornizën Kushtetuese:
“Është një interpretim i UNMIK-ut dhe i Grupit të Kontaktit se Korniza Kushtetuese nuk lejon edhe një funksion tjetër. Unë e kam marrë këtë në dijeni, e kam shqyrtuar dhe së shpejti do t’ju njoftoj me këtë qëndrim. Jam duke e shqyrtuar seriozisht brenda partisë dhe do t’ju njoftoj shumë shpejt”, tha presidenti Rugova.
Presidenti Rugova ka mbajtur dhe në mandatin e kaluar të dy postet, ndërkohë që tani mekanizmat ndërkombëtarë kanë kërkuar nga ai që të respektojë dispozitat ligjore. Sidoqoftë, duke vlerësuar në përgjithësi gjendjen në Kosovë, kryeadministratori Petersen dhe presidenti Rugova, vlerësuan se gjendja është stabile dhe me një siguri të qëndrueshme, pavarësisht, siç tha Petersen, përpjekjeve të disave që të provokojnë situatën e përgjithshme të sigurisë.




XS
SM
MD
LG