Ndërlidhjet

KONDOLIZA RAJS: NDASITË ME ALEATËT TANË EVROPIANË I KEMI LËNË PRAPA NESH


Augustin Palokaj, Bruksel

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre në NATO dhe BE janë shprehur sot se ndasitë i kanë lënë në të kaluarën dhe se tani ka filluar një kapitull i ri në bashkëpunimin transatlantik. Pohime të tilla janë dëgjuar sot në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ku ka qëndruar në vizitën e saj të parë Sekretarja e re amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs. Së pari ajo mori pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s të organizuar për nder të saj, takim në të cilin krahas Irakut, Afganistanit dhe Lindjes së Mesme, është diskutuar edhe për të ardhmen politike të Kosovës. Duke folur para gazetarëve pas këtyre takimeve, zonja Rajs tha:
"Ndasitë tona mendoj se i kemi lënë prapa nesh sepse është aq e qartë se çfarë sjell e ardhmja për Aleancën, për bashkëpunimin trans-atlantik dhe çfarë është ajo që ne duhet të bëjmë. Siç kam thënë edhe më herët, asnjëherë nuk kam patur rastin të shoh më shumë unitet rreth asaj se çfarë kërkohet të bëhet nga ne", tha Sekretarja amerikane e Shtetit në NATO.
Gjatë takimit të sotëm amerikanët kanë kërkuar nga aleatët e tjerë të NATO-s që të kontribuojnë më shumë në Irak dhe sipas fjalëve të zonjës Rajs, kanë hasur në mirëkuptim nga shumë vende të tjera të NATO-s. Këtë e tha edhe Sekretari i Përgjithshëm Jap de Hop Shefer, duke nënvizuar se qëllimi është që të gjitha vendet e NATO-s të angazhohen në ndihmë të Irakut pas zgjedhjeve të suksesshme të zhvilluara atje.
"Qëllimi im është që sa më shpejt, më së voni deri më 22 shkurt, të gjitha 26 vendet e NATO-s të kontribojnë në misionin e trajnimit të forcave të sigurisë në Irak. Dhe siç e dini ky trajnim mund të bëhet brenda apo jashtë Irakut, përmes financimit nën ombrellën e NATO-s.", tha Shefer. Ai nuk e përjashtoi as mundësinë që trupat e NATO-s në një të ardhme të angazhohen edhe për të mbikqyrur ndonjë marrëveshje të paqes që do të arrihej mes Izraelit dhe palestinezëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Shefer, tha se edhe e ardhmja politike e Kosovës ka qenë ndër temat që janë diskutuar sot nga ministrat e jashtëm të NATO-s. Sipas tij vendet anëtare të Aleancës, janë të një mendimi se këtë vit në Kosovë, KFOR-i duhet të mbajë nivelin e tanishëm të forcave, duke patur parasysh procesin e vlerësimit të standardeve dhe mbështetjen e procesit politik për gjetjen e statusit përfundimtar të Kosovës, në të cilin edhe Aleanca ka një rol të rëndësishëm.
Ndërkaq Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs, tha se aleatët duhet të vazhdojnë bashkëpunimin për t'i kryer punët ende të mbetura në Ballkan, sidomos në Kosovë. I pyetur se a ka dallime mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve evropianë lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe misionin e KFOR-it, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer, ka thënë se absolutisht nuk ka kurrfarë dallimesh rreth asaj se çfarë duhet të bëjë bashkësia ndërkombëtare në Kosovë. Sipas tij të gjithë sot në diskutim kanë të pajtimit se së bashku kemi hyrë në Kosovë dhe së bashku do të dalim. Kjo formulë prej një kohe të gjatë përdoret nga administrata amerikane për të dëshmuar se pa marrë parasysh angazhimet me misionet e reja në botë prej Irakut e deri në Afganistan, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t'i mbeten besnikë edhe misionit të KFOR-it në Kosovë.

XS
SM
MD
LG