Ndërlidhjet

NË KOSOVË KA PËRPARIM TË SIGURISË PËR PAKICAT, POR ENDE MBETET PUNË PËR T'U BËRË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Edhe pse liria e lëvizjes vazhdon të mbetet problemi kryesor i sigurisë për pakicën serbe në Kosovë, në fushat e tjera, që kanë të bëjnë me sigurinë e pakicave ka lëvizje pozitive, kanë vlerësuar sot kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, si dhe zyrtarë të UNMIK-ut dhe përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut.
Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se siguria për pakicat është një nga prioritetet e qeverisë dhe në këtë plan ka lëvizje positive. Ai ka përmendur sidomos angazhimin e përfaqësueve të pakicave, përfshirë edhe serbët, në institucionet vendore:
"Ka trende positive në shumë nga çështjet që i preokupojnë qytetarët e pakicave, përpos aspektit të sigurisë dhe qarkullimit të lirë, por do të shërbehen me një thënie të komandantit të KFOR-it, gjenerali Kermabon, që ka thënë se më shumë është perceptim një ndjenjë e pasigurisë, sesa është situatë e vërtetë e pasigurisë në Kosovë për pakicat".
Kryeministri Haradinaj tha se qeveria është e gatshme të veprojë edhe në të ardhmen, në drejtim të përmirësimit të sigurisë dhe lëvizjes së lirë për pakicat.
Edhe kryetari i këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut me seli në Prishtinë, Pajazit Nushi, tha se ka përparime, por gjendja e lirisë së lëvizjes nuk është në nivelin e dëshirueshëm:
"Këtu kemi disa lëvizje që mund të them se janë lëvizje poZitive, por jo në nivelin që e kërkon norma ndërkombëtare. Kemi disa lëvizje në vende të ndryshme të një sigurie më të plotë, seç ka qenë përpara nga ana e mjedisit të gjerë social, ekonomik dhe politik të Kosovës, por kjo nevojë e sigurisë nga ana e qytetarëve që vijnë, që kanë qenë të shpërngulur, është shumë më e madhe sesa ajo që e përjetojnë kur po vijnë në Kosovë".
Prandaj, tha zoti Pajazit Nushi, Kosova në perspektivën e zhvillimit të vet, nuk mund të avancojë më tepër, nëse të drejtat e pakicave dhe liritë individuale, nuk shkojnë krahas me të drejtat dhe liritë politike, kombëtare dhe ekonomike. Ai tha se vetë qytetarët e Kosovës duhet të bëjnë më shumë për të krijuar ambjent të sigurt dhe pa frikë për pjesëtarët e pakicave, e posaçërisht për serbët:
"Edhe mjedisi ynë duhet të bëjë më tepër për të shtuar shpresat e atyre, që siguria e tyre do të jetë gjthnjë e më e mirë".
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, ka thënë dje pas një takimi me presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, se gjendja e përgjithshme e sigurisë në Kosovë, përfshirë edhe gjendjen e pakicave është përmirësuar, mirëpo sipas këshilltarit të zotit Petersen për pakicat, Craig Jannes, përderisa liria e lëvizjes është përmirësuar, ende ekziston një ndjenjë e frikës te bashkësia serbe.

XS
SM
MD
LG