Ndërlidhjet

NDAHET ÇMIMI AZEM SHKRELI PËR LETËRSI


Albana Isufi, Prishtinë

Ministria e Kulturës u ka ndarë sot çmimin Azem Shkreli, krijuesve Din Mehmeti dhe Mehmet Kraja. Që të dy u bënë laureatët e parë të çmimit, që bart emrin e shkrimtarit të ndjerë.
Por, pavarësisht, nga çmimet e tilla, krijuesit vazhdojnë të jenë të pakënaqur me trajtimin e tyre nga ana e institucioneve të Kosovës, apo me mospërkrahjen institucionale për ta.
Shkrimtari dhe poeti Din Mehmeti, thotë se është koha e fundit kur institucionet duhet të merren më seriozisht me artin dhe kulturën.
“Ne shqiptarët jemi mësuar që mos t’i kushtojmë shumë rëndësi artit, por ka dhënë Zoti, që institucionet tona të mos merren më me politikë, por të merren për atë që janë krijuara, dhe tani ka filluar një traditë e mbarë, që të respektohet puna e krijuesit, pasi vetëm ajo e bën të pavdekshëm”.
Shkrimtari dhe publicisti Mehmet Kraja, thotë se shoqëria kosovare edhe më tej nuk u ka krijuar kushte krijuesve, që të punojnë dhe të kenë lirinë krijuese.
“Pavarësisht se institucionet e kulturës dhe të shtetit japin çmime kjo nuk ndryshon gjë në esencën e saj, pozita e krijuesit në këtë shoqëri të tranzicionit është shumë e ngatërruar në pikëpamjen e një egzistence normale dhe të një lirie të tillë që të krijojë dhe të jetë i pavarur në kuptimin e varshmërisë, flasim në këtë rast për një varshmëri materiale, pasi liria e krijuesit është e domosdoshme edhe në kuptimin e pikëpamjes materiale”.
Veli Bytyqi, nga Zyra për Marrëdhenie me Publikun në Ministrinë e Kulturës, pranon se as këtë vit në këtë ministri, nuk ka projekte të veçanta, përmes së cilave do përkraheshin krijuesit:
“Fatkeqësisht shuma e mjeteve nuk arrin të krijojë një lartësi të veçantë, megjithatë ne nuk kemi krijuar ndonjë pozicion statik nga departamenti i kulturës, për të ndihmuar krijuesit, t’i ndihmojmë ata mes sponzorizimeve të ndryshme dhe donacioneve”.
Publicisti Mehmet Kraja, thotë se pavarësisht se krijuesit kosovarë janë të integruar në shoqëri, ekzistojnë vështirësi që pamundësojnë përkushtimin e tyre vetëm në fushën e artit.
“Në shumicën e rasteve krijuesit janë njerëz të integruar, nuk janë jashtë kësaj shoqërie, dhe si të tillë vegjetojnë siç bëjnë gjithë të tjerët, por që të arrijnë në një situatë të tillë që të mundin të krijojnë pa brenga të tjera dhe të kenë një raport të drejtë me shtetin dhe institucionet e shoqërisë, duhet të kenë një siguri tjetër fare, të kenë një mirëqënie, e cila mungon dhe është e pamundur të arrihet.”
Nga Buxheti i konsoliduar i Kosovës, këtë vit Ministrisë së Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente, i janë ndarë vetëm 6 milionë euro.
Megjithatë, poeti Din Mehmeti, shpreson se institucionet e Kosovës do të marrin mësim nga shtetet evropiane dhe do t’i kushtojnë kujdes më të madh artit në të ardhmen.
“Tani e tutje, institucionet po përforcohen. Besoj se kanë mësuar dhe po mësojnë prej mendimeve e civilizimit botëror, nuk ka rrugë tjetër përveçse t'i ndihmojë ata që krijojnë, ata që bëjnë kulturë dhe vepra, që kanë pas vetes aso veprash që pasqyrohet shpirti i popullit të tyre.”
Krijuesit dhe përfaqësuesit e kulturës dhe artit në Kosovë, kanë shtuar kritikat ndaj Ministriës së Kulturës, për shkak se, siç thonë ata, kjo e fundit po merret me financimin e projekteve pa vlera, si organizimi i zgjedhjes së Miss-it, festivaleve private të këngëve dhe po anashkalon projekte me vlera të mirëfillta artistike.






XS
SM
MD
LG