Ndërlidhjet

EKSPERTËT THONË SE NË KOSOVË NUK PËRFILLET GJUHA STANDARDE


Albana Isufi, Prishtinë

Ka kohë të gjatë që gjuhëtarët po tërheqin vërejtjen për zbatimin jo të drejtë të gjuhës shqipe në mediat vendore. Por këto vërejtje, sipas tyre kanë hasur në vesh të shurdhër dhe përdorimi publik i gjuhës shqipe po vihet në rrezik.
Këshilltari shkencor në Institutin Albanologjik, Qemal Murati, thotë se kjo dukuri nuk vërehet vetëm në media.
“Ne sot kemi gjuhë të mediave një gjuhë të thatë, të pashkathët, pa gjak, të varfër, me konstrukte sintaksore të panatyrshme për gjuhën shqipe që varfërojnë gjuhën shqipe, të mbushur me fjalë të huaja. Ne sot kemi një gjuhë të varfër që flitet edhe në universitet, edhe në nivelet më të larta, edhe në rektorat, edhe në Kuvendin e Kosovës, edhe në instancat më të larta. Pra përdorimin publik të shqipes e kemi në një shkallë shumë të ulët dhe jo vetëm në media. Megjithatë ndikimi i mediave është shumë më i madh, sepse ato u drejtohen miliona shikuesve dhe dëgjuesve dhe lexuesve dhe ato ndikojnë në formimin e nivelit gjuhësor të mirë ose të dobët".
Kryetari i Shoqatës së Gjuhës Shqipe, Isa Bajçinca, thotë se prirja për ta shpërfytyruar gjuhën shqipe nuk është e re.
"Kjo prirje për ta shpërfytyruar shqipen nuk ka filluar as me gazetarët e këtij brezi, as me ata më përpara. Ka filluar para shumë dhjetëvjeçarësh dhe për fat të keq, ajo vazhdon edhe në kohën tonë", tha Bajçinca, duke shtuar se një nga faktorët ndikues, është se gazetarët nuk e njohin shqipen standarde dhe në shkrimet e tyre ndikohen nga gjuhët e huaja.
Qemal Murati nga Instituti Albanologjik, tërheq vërejtjen se përdorimi i dobët i standardit gjuhësor rrezikon edhe identitetin kombëtar.
"Gjuha e dobët kuptohet që është një e metë shumë e madhe, një mangësi, e cila ndikon shumë negativisht, sepse ne nuk kemi identitet tjetër më origjinal, më të përkryer dhe të një niveli që duhet ta kishim, sikurse kemi standardin gjuhësor."
Isa Bajçinca thotë se është detyrë e institucioneve në radhë të parë, që ta ruajnë gjuhën standarde shqipe.
"Në radhë të parë duhet të merren institucionet shkencore, Akademia e Shkencave, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Fakulteti i Filologjisë, në mënyrë të veçantë degët për gjuhën shqipe dhe letërsinë shqipe dhe Ministria e Arsimit, pse jo dhe ajo e Kulturës, institucionet kulturore, teatri, shkolla. Në të vërtetë njohja e gjuhës standarde është një problem kulturor i të gjitha institucioneve kulturore dhe shkencore."
Megjithatë, janë insticuionet e Kosovës, veçanërisht qeveria dhe Kuvendi, që sipas gjuhëtarëve, nuk e përfillin gjuhën standarde shqipe dhe kjo vërehet edhe nëpër dokumentet e tyre zyrtare.

XS
SM
MD
LG