Ndërlidhjet

A KA APO JO KOREJA E VERIUT ARMË BËRTHAMORE?


MARK BAKER

Përpjekjet për ta bindur Korenë e Veriut që të heqë dorë nga ambicjet e saj bërthamore, shënuan kthim prara pas pranimit të Phenianit se ky vend tashmë ka armë bërthamore dhe tërhiqet nga negociatat ndërkombëtare.
Reagimet në botë ishin të shpejta. Deklarata u dënua, ndërsa zyrtarëve iu bë thirrje t'i vazhdojnë përpjekjet diplomatike.
Shqetësim i theksuar është edhe pasiguria rreth asaj, nëse Koreja e Veriut ka apo nuk ka armë bërthamore.
A ka me të vërtetë Koreja e Veriut armë bërthamore?
Kjo pyetje i mundon të gjithë pas pranimit të Phenianit se ia doli të zhvillojë armë bërthamore për vetëmbrojtje. Jashtë Koresë së Veriut, duket sikur askush nuk e di përgjigjen me siguri.
Të enjten, Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld u tha gazetarëve se ai thjesht nuk e di.
"E di se shërbimet e kundërzbulimit të disa vendeve thonë se Koreja e Veriut i ka ato armë dhe mund t'i ketë. Por nuk dua të konfirmoj sepse thjesht s'mund ta bëj", tha Rumsfeld.
Në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Koreja e Veriut mund të ketë një apo dy bomba të vogla bërthamore, por kjo s'mund të konfirmohet.
Deklarata e Koresë së Veriut ishte befasuese. Ndonëse Pheniani më parë ka lënë të kuptohet se ka armë bërthamore, kjo ishte deklarata më e qartë se ato tashmë i ka prodhuar.
Pheniani shpalli edhe se e pezullon pjesëmarrjen në bisedimet 6-palëshe, ku përfshihen dy Koretë, Shtetet e Bashkuara, Japonia, Kina dhe Rusia, si përpjekje për ta bindur Korenë e Veriut të heqë dorë nga ambicjet bërthamore.
Deklarata i citon fjalët e presidentit amerikan George Bush, i cili e quan Korenë e Veriut vend të tiranisë. Nisur nga kjo, qeveria veri-koreane tha se nuk ka arsye për të marrë pjesë në bisedime.
Mark Gwozdecki, zëdhënës i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore, tha se deklarata s'mund të verifikohet, sepse inspektorët e agjencisë tashmë 2 vjet nuk janë aktivë në Korenë e Veriut.
"Atë që mund ta themi me siguri është se ata sigurisht e kanë lëndën e parë. Ata e kanë aftësinë për ta ndarë plutoniumin nga shufrat e përdorura bërthamore dhe kjo e bën Korenë e Veriut shqetësim të madh për ne", tha Gwozdecky.
Gary Milhollin është drejtor i qendrës amerikane për Kontrollin e Armëve Bërthamore në Wisconsin.
"Deklarata e Koresë së Veriut se ajo ka armë bërthamore, dhe se më nuk don të bisedojë me ne, mund të jetë përpjekje e tyre për të tërhequr vëmendjen. Ata do të donin të fitojnë para prej nesh, meqë ne do të shqetësoheshim për hapin e tyre të ardhshëm, nëse ata vendosnin t'ua shesin armët e tilla terroristëve. Kjo është ajo që duhet të na shqetësojë", thotë Mihollin.
Reagimi i Koresë së Jugut ishte jashtëzakonisht i fuqishëm.
"Qeveria koreane nuk mund ta tolerojë qëndrimin e Koresë së Veriut ndaj armëve bërthamore. U bëj thirrje verikoreanëve të heqin dorë nga programi për zhvillimin e armëve bërthamore dhe të lejojnë inspektimet ndërkombëtare", tha Ministri i Jashtëm jug-korean Ban Ki-Moon.
Departamenti amerikan i Shtetit bëri thirrje për vazhdimin e menjëhershëm të bisedimeve 6-palëshe.
Zëdhënësi Adam Ereli tha.
"Pozicioni ynë është se do të vazhdojmë të kërkojmë zgjidhje paqësore dhe diplomatike të çështjes. Negociatat 6-palëshe mbeten mënyra më e mirë dhe premtojnë rezultate më të mira", tha Ereli.

XS
SM
MD
LG