Ndërlidhjet

logo-print

TADIQ PRITET ME PROTESTA NË PRISHTINË


Qindra persona, kryesisht familjarë të të zhdukurve, kanë protestuar sot para selisë së UNMIK-ut në Prishtinë, deri sa kryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Soren Jessen Petersen po takohej me kryetarin e Serbisë Boris Tadiq. Protestuesit kanë fishkëlluar gjithë kohën dhe kanë hedhur vezë drejt selisë së UNMIK-ut dhe eskortës së zotit Tadiq, i cili pas takimit me zotin Jessen Petersen është larguar nga selia e UNMIK-ut përmes daljeve anësore.
Nesrete Kumnova, kryetare e Komisionit Qeveritar për personat e pagjetur, e ka cilësuar vizitën e kryetarit të Serbisë si një provokim për Kosovën dhe për familjarët e personave të pagjetur:
"Ky është një provokim nga kryeadministratori. Së pari duhet të kushtëzohet kthimi i të gjithë djemve që është duke i mbajtur qe gjashtë vjet në Serbi dhe e di se ku i ka, gjallë apo të vdekur. Bëjnë krime dhe ata vijnë dhe e vizitojnë Kosovën e ne kurrsesi nuk mund të arrijmë te fati i djemve. Nuk duam më tepër, pos të dimë fatin e djemve dhe t’i sjellim në Kosovë."
Ndërkaq, bashkorganizatori i kësaj proteste, Albin Kurti nga Rrjeti i Aksionit Kosovar, tha se ata po protestonin bashkë me familjarët e të pagjeturve kundër ardhjes së kryetarit të Serbisë Boris Tadiq në Kosovë:
"Boris Tadiqi në Kosovë nuk është i mirëseardhur. Është kryetar i Serbisë, e cila është përgjegjëse në të kaluarën për 12 mijë të vrarë, 3000 të pagjetur, 800 kufoma që ende i mbajnë peng, 20 mijë femra të dhunuara për ç’gjë askush nuk është në burg as sot e kësaj dite dhe i cili njëkohësisht ka tendenca të qarta për riokupimin e Ksoovës e nëse nuk ka sukses me këtë, atëherë gjithsesi për ndarjen e saj. Ne nuk mund ta durojmë këtë", tha Kurti.
Protesta e sotme ka kaluar pa incidente serioze ndërsa qindra pjesëtarë të Shërbimit Policor të Kosovës kanë penguar protestuesit që t’u afrohen rrethojave të UNMIK-ut nga ku janë hedhur vezë kundër përcjelljes së Tadiqit. Zëdhënësi i Shërbimit Policor të Kosovës, koloneli Refki Morina tha se në përgjithësi protesta ka qenë pothuajse tërësisht e qetë:
"Sa i përket protestës, disa prej protestuesve janë sjellë në stacionin policor dhe sipas konfirmimeve zyrtare që mora deri tash, atyre u është marrë deklarata dhe janë liruar. Kështu që marrë në tërësi protesta ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur ndonjë prishja në përmasa të mëdha të rendit dhe të qetësisë."
Kryetari i Serbisë Tadiq ka vizituar sot edhe Kishën e vjetër Orthodokse në Prishtinë, ndërkohë që masat e shtuara të sigurisë hetoheshin në gjithë Prishtinën.

Rrahman Paçarrizi
XS
SM
MD
LG