Ndërlidhjet

logo-print

UNT-JA FILLON DISKUTIMIN PËR KODIN TELEFONIK TË KOSOVËS


Gary Fowlie – Zëdhënës i Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit

RADIO EVROPA E LIRË
Kosova ka kërkuar një kod të vetin telefonik. A mund të na thoni kur e keni marrë kërkesën dhe në çfarë faze janë diskutimet për këtë çështje?

GARY FOWLIE
Procesi ndjek disa procedura tepër specifike. Së pari duhet bërë kërkesa nga vendi i interesuar, derisa Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit, agjenci kjo e Kombeve të Bashkuara, e ka marrë një kërkesë zyrtare para tre javësh nga administratori i Kombeve të Bashkuara të Kosovës. Kjo kërkesë do diskutohet në mbledhjen e grupit punues përkatës, që është përgjegjës për dhënien e kodeve telefonike dhe që fillon nesër. Ky grup punues do të shqyrtojë kërkesat teknike dhe ligjore që duhet të përmbushen për dhënien e një kodi të tillë. Grupi punues duhet të sigurojë se në rastin e dhënjes së kodit ai do të vihet në punë në kohë e nuk do keqpërdoret dhe për këtë janë protokollet përkatëse për ndërkomunikimin. Bazuar në këtë diskutime do jepen rekomandimet për drejtorin e Zyrës së Standardizimit brenda Unionit Ndërkomëbëtar të Telekomunikacionit dhe ai merr vendimin përfundimtar.
Mund të ndodhë shumë shpejt marrja e vendimit apo të marrë kohë, nëse kërkohet sqarimi i një numri çështjesh që mund të jenë ligjore apo teknike

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë kërkesat kryesore që Kosova duhet t'i plotësojë për të marrë kodin?

GARY FOWLIE
Kërkesat janë ligjore dhe teknike. Së pari duhet të ketë përfaqësim legjitim të njohur, dhe në këtë rast përfaqësuesi është administrimi i Kombeve të Bashkuara. Këta të fundit, për një morri arsyesh, kanë vlerësuar se ka ardhur koha që Kosova të ketë kodin e vet telefonik dhe të nisin procedurat. Vazhdimi i procesit do tregojë më shumë lidhur me çështje të tilla si sistemi i ndërvlerësimit dhe se Unioni duhet të sigurojë që në momentin që jepet ky kod ai do të funksionojë dhe do respektohet nga shtetet anëtare.

RADIO EVROPA E LIRË
A ka raste të tjera kur vende me status politik të papërcaktuar kanë kodin e tyre telefonik?

GARY FOWLIE
Sipas njohurive të mija thuajse shumica e tyre janë vende të njohura ndërkombëtarisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A kanë vendet anëtare të drejtë vetoje?

GARY FOWLIE
Vendet anëtare të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikiacionit kanë të drejtë të ndikojnë në hartimin e rekomandimeve dhe të sqarojnë qëndrimin e tyre. Por do përsëris se Grupi punues dhe Drejtori i Zyrës së Standardizimeve janë ata që marrin vendimet.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa kohë do duhet për të marrë këtë vendim?

GARY FOWLIE
Kjo nuk mund të parashikohet. Gjithçka varet nga pyetjet apo sqarimet që mund të kërkojë Grupi punues që nesër fillon punën. Mund të kemi pyetje e shpjegime të cilave lehtësisht mund t'u jepet përgjigje, ashtu siç mund të ketë të tjera që kërkojnë më shumë kohë. Nuk ka afate kohore të përcaktuara.

Intervistoi: Iliriana A. BAJO

XS
SM
MD
LG