Ndërlidhjet

logo-print

KTHIMI KËRKON ( EDHE) MASA EKONOMIKE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Procesi i kthimit të të zhvendosurve duhet të përcillet nga masat ekonomike, për të siguruar një kthim të qëndrueshëm, kanë vlerësuar zyrtarë të qeverisë së Kosovës, si dhe zyrtarë ndërkombëtarë. Ministri për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, Slavisha Petkoviq, tha se çështja e kthimit nuk guxon të jetë çështje politike. Ai ka bërë të ditur se sot në Prishtinë janë kthyer 15 serbë, të cilët përkohësisht janë vendosur në Graçanicë dhe në Çagllavicë, enklava serbe në afërsi të Prishtinës, deri sa nuk zgjidhet çështja e pronave të tyre. Dhe, në drejtim të sigurimit të qëndrueshmërisë së kthimit, ministri Petkoviq, bëri të ditur se serbëve të sapokthyer menjëherë u është siguruar puna në institucionet e Kosovës:
"Unë kërkoj nga strukturat qeveritare si dhe nga opozita që të përfshihen aktivisht në procesin e kthimit," tha Petkoviq, pas një takimi me liderin e partisë Ora, Veton Surroin, sot në Prishtinë. Ministri Petkoviq tha se kthimi nuk është çështje e qeverisë apo opozitës, por çështje që u takon të gjithë qytetarëve të Kosovës, e veçanërisht liderëve politikë. Petkoviq tha se ministria e tij ka një buxhet solid, me të cilin mund të bëhet diçka për realizimin e procesit të kthimit:
"Buxheti i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete është 13 milion e 700 mijë euro dhe ky është buxhet vjetor," tha Petkoviq, për të vlerësuar se kjo shumë as është e madhe dhe as e vogël, por bën punë. Ai tha se ministria po punon në dy linja të kthimit. Linja ekonomike është që njerëzit që kthehen, duhet të kenë nga çfarë të jetojnë, në mënyrë që të mos grumbullohen problemet sociale në Kosovë, tha Petkoviq, duke besuar se sa i përket sigurisë, ajo do të përmirësohet, pasi tashmë siguria është dukshëm e përmirësuar dhe do të përmirësohet edhe në të ardhmen.
Ndërkaq ombudspersoni i Kosovës Marek Antoni Novicki, tha se lidhur me kthimin shtrohen shumë çështje dhe dilema dhe njëra nga to është situata e sigurisë, mirëpo edhe mënyra se si bashkësia e serbe e percepton situatën e sigurisë. Sipas tij, për kthim të qëndrueshëm është i domosdoshëm financimi i projekteve ekonomike, që do të siguronin perspektivë ekonomike dhe sociale :
"Kur flasim për kthimin që duhet të jetë i qëndrueshëm dhe me perspektivë për njerëzit që vendosin të kthehen, kjo nënkupton një jetë normale që nuk është vetëm çështje e sigurisë fizike, por siguri në kuptim më të gjerë, që varet shumë nga situata ekonomike," tha avokati i popullit, Novicki. Ai mendon se ekonomia është ajo që mund të bëjë ndryshimin rrënjësor në qasjen e të zhvendosurve ndaj kthimit dhe në suksesin e këtij procesi:
"Unë mendoj se nëse çohen përpara përpjekjet e ndryshme dhe nëse do të ketë shenja se ekonomia po përmirësohet, atëherë shumëçka mund të ndryshojë. Ekonomia mund të bëjë ndryshimin e vërtetë në këtë aspekt," tha Novicki.
Në anën tjetër, zyrtarët e UNMIK-ut nuk kanë qenë në gjendje të flasin me shifra konkrete lidhur me situatën financiare rreth procesit të kthimit. Ata thonë se formimi i Ministrisë për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, kërkon tani një koordinim ndërmjet UNMIK-ut dhe qeverisë lidhur me këtë proces dhe riaranzhim të disa fondeve, që tashmë ekzistojnë, për të ndihmuar kthimin që është edhe një nga standardet prioritare, të cilat Kosova duhet t’i përmbushë, para vlerësimit të hollësishëm të standardeve në mesin e këtij viti.





XS
SM
MD
LG