Ndërlidhjet

SMAKA: STANDARDET PRIORITET I KOSOVËS


Riza Smaka, ekspert i të Drejtës Kushtetuese

RADIO EVROPA E LIRË
Këto ditë një grup ekspertësh ndërkombëtarë ka propozuar një draft kushtetues për Kosovën. Fillimisht si e vlerësoni ju këtë draft të propozuar dje në Prishtinë?

RIZA SMAKA
Grupi i ekspertëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, meriton respekt dhe mirënjohje që ka bërë një punë, që është angazhuar etj. Sa i përket punës mendoj se duhet të jemi mirënjohës parimisht. Mirëpo është fjala se një dokument i tillë është ofruar në kohë të papërshtatshme sa i përket rrethanave dhe etapës si me thënë të zhvillimit shoqëror e politik në përgjithësi, stadit në të cilin gjendet Kosova, si dhe metodologjisë dhe qasjes së kësaj çështjeje.

RADIO EVROPA E LIRË
Po nëse përqëndrohemi vetëm në draftin e propozuar? Sa i përputhshëm është ai me rrethanat në Kosovë, sa mund të jetë i përshtatshëm për zbatim në Kosovë?

RIZA SMAKA
Natyrisht nuk ka dokument të përkryer dhe ky dokument i ka disa defekte. Së pari thotë projekt kushtetuta e shtetit të Kosovës. Kjo është e tepërt, është pleonazëm e shtetit, sepse nuk mund të jetë entitet tjetër fare përveç shtetit që ta ketë kushtetutën. Edhe nga ana gjuhësore nuk shkon. Duhej të shkruhej Kushtetuta e Kosovës dhe nën të apo anash po ta zemë, projekt etj. Ka zgjidhje juridike kontroverze. Për shembull tek parathënia ku thotë se populli i Kosovës e zgjedh drejt për së drejti kryetarin e Kosovës. Ndërsa në anën tjetër, në nenin 15 paragrafi 1, shkruan që kryetarin apo presidentin e Kosovës e zgjedh Kuvendi. Në anën tjetër në nenin 23 paragrafi 2 thotë që kryetari i Kosovës zgjidhet drejtperdrejt nga populli. Si duket kanë bërë ngjitje të shumë fragmenteve të akteve kushtetuese në veçanti Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, shtete të ish-bllokut socialist lindor, të Kroacisë etj, e mesa duket pastaj nuk e kanë unifikuar konceptin.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh se në Kosovë është një mision ndërkombëtar, cila duhet të jetë rruga të cilën kosovarët duhet të ndjekin për të hartuar një dokument juridik të qëndrueshëm, aktin më të lartë juridik?

RIZA SMAKA
Mendoj që duhet të përqëndrohemi me të gjitha forcat për përmbushjen e standardeve, sepse me to ne mund të kualifikohemi për aktivitete politike të një niveli serioz siç është kushtetuta. Cezari ka thënë në Romë fol ashtu si flasin romakët. Domethënë ne ndodhemi në patronatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe në qoftë se një OKB, përmes Këshillit të Sigurimit thotë: ju duhen standardet, mendoj se ne nuk duhet të bëhemi kryeneçë. Në fund të fundit ato standarde janë shumë të dobishme për këdo në Kosovë, për popullin e Kosovës. Kështu që standardet e pastaj vjen statusi në bazë të standardeve dhe pastaj hartimi i projektit të kushtetutës në bazë të statusit që do përcaktohet. Masa e rrobave duhet sipas trupit të njeriut.

Intervistoi Zijadin Gashi




XS
SM
MD
LG