Ndërlidhjet

logo-print

UNMIK-u PËRGATITET PËR REFORMIM DHE ZVOGËLIMI TË STRUKTURAVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Me bartjen e kompetencave te institucionet vendore, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë do të pësojë ndryshime në strukturë dhe organizim, paralajmërojnë zyrtarët e UNMIK-ut në Prishtinë.
Në këtë fazë janë duke u bartur sa më shumë kompetenca te institucionet vendore, në mënyrë që atyre t’u shtohen jo vetëm përgjegjësitë, por dhe kapacitetet vepruese, thotë zëdhënësi i UNMIK-ut, Neeraj Nsing. Zvogëlimi i përgjegjësive të UNMIK-ut dhe ndërtimi në anën tjetër i kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, sipas zëdhënësit Nsing, nënkupton dhe reduktimin e stafit të UNMIK-ut, që aktualisht punon në Kosovë:
“Përderisa ky proces vazhdon, është krejt e natyrshme që do të ketë reduktime në stafin e punësuar të UNMIK-ut, pasi përgjegjësitë e UNMIK-ut gradualisht do të barten tek institucionet e Kosovës”, tha zëdhënësi i UNMIK-ut. Sidoqoftë, ristrukturimi dhe riorganizimi i UNMIK-ut, si edhe numri i saktë i të punësuarve ndërkombëtarë në këtë administratë, mbetet çështje që do të rregullohet në mes të autoriteteve më të larta të UNMIK-ut dhe Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Nsing tha se buxheti për misionin në Kosovë, zakonisht caktohet gjatë periudhës qershor-korrik, kështu që vetëm atëherë do të mund të dihet se në çfarë formati do të mbetet UNMIK-u në Kosovë. Por, pavarësisht se si do të duket nesër UNMIK-u, ajo që aktualisht duket e qartë sipas tij, është se formimi i ministrive të reja dhe bartja e kompetencave, duhet të ndikojë në zvoglimin e numrit të stafit të UNMIK-ut:
“Ministritë e reja janë krijuar, ndërsa ka dhe përgjegjësi të tjera që duhet të barten gjatë muajve në vijim. Kështu që natyrisht do të ketë reduktim të stafit, përderisa një process i tillë vazhdon”, theksoi Nsing.
Misioni i Kombeve të Bashkuara, në strukturën e vet organizative ka katër shtylla, ajo për siguri e drejtësi, që udhëhiqet nga zëvendësi i parë i shefit të UNMIK-ut, shtylla e administratës civile, e cila drejtohet gjithashtu nga stafi i Kombeve të Bashkuara, shtylla e ekonomisë, që drejtohet nga Bashkimi Evropian dhe shtylla e demokratizimit, që udhëhiqet nga misioni i OSBE-së. Sipas paralajmërimeve të mëhershme, me ristrukturimin e UNMIK-ut, këto katër shtylla do të reduktoheshin në një, ajo për siguri, që do të mbetej nën kompetencat e shefit të UNMIK-ut, ndërsa shtylla e BE-së dhe ajo e OSBE-së do të pavarësoheshin nga UNMIK-u, kurse numri më i madh i përgjegjësive në drejtësi dhe administratë civile do t’u kalonin vendorëve. Neeraj Nsing, tha se aktualisht, përveç kalkulimeve të tilla, ende nuk ka ndonjë vendim lidhur me riorganizimin strukturor të shtyllave të UNMIK-ut, pasi vendimi përfundimtar pritet të merret në Kombet e Bashkuara në Nju Jork.

XS
SM
MD
LG