Ndërlidhjet

KRYEMINISTRI HARADINAJ NUK DO TË SHKOJË NË NJU JORK


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se nuk do të udhëtonte për Nju Jork në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku kryeadministratori Jessen Petersen do të paraqesë raportin e tij tremujor për Kosovën. Në të vërtetë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen, ka ftuar kryeministrin Haradinaj që ta shoqërojë atë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit më 24 shkurt, mirëpo, sipas zotit Haradinaj java e ardhshme është shumë e ngarkuar për të dhe ai më parë do të preferojë të kryejë punët që kanë mbetur në Kosovë, ndërkohë që ka shprehur besimin se kryeadministratori Petersen do ta përfaqësojë Kosovën në mënyrën më të mirë.
"Shkuarja e kryeministrit me kryeadministratorin në Nju Jork nuk do të ndodhë, pra unë do të qëndroj në Prishtinë dhe do ta vazhdoj punën. Fillimisht aktiviteti ynë duhet të vazhdojë me ritmin e duhur për vlerësimin e ardhshëm dhe po ashtu javën që vjen kemi vizitorë me rëndësi që do të vijnë në Prishtinë dhe do të jem këtu."
Si arsye kryesore për mosshkuarje, kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe diskutimin në parlament për decentralizimin, pastaj miratimin e buxhetit, mbledhjen e Këshillit Ekonomik Fiskal, si dhe takimin e grupeve për jetësimin e standardeve.
Në anën tjetër, shefi i UNMIK-ut Petersen, tha se kishte dëshiruar që bashkë me të në Nju Jork të merrte pjesë për herë të parë edhe kryeministri i Kosovës, mirëpo tha se e çmonte qëndrimin e zotit Haradinaj.
"Unë e kuptoj se kjo është një agjendë e ngjeshur dhe e rëndësishme, prandaj më duhet respektojë dikë që thotë se kam punë për të bërë këtu. Në këtë rast, unë do të bëjë punën e duhur atje dhe e gjitha bëhet me koordinim të ngushtë," tha shefi i UNMIK-ut Jessen Petersen, për të vazhduar se këtu ka shumë punë për të bërë, ndërkohë që nuk kanë mbetur më shumë se dy muaj përpara raportit vendimtar para Këshillit të Sigurimit për Kosovën, ku Petersen tha se shpreson që Haradinaj të marrë pjesë.
"Unë shpresoj shumë se kur të shkoj për të raportuar në maj, që do të jetë raporti vendimtar, që do të përcaktojë përmbushjen e standardeve, jo vetëm që shpresoj por edhe pres që në atë kohë agjenda e kryeministrit do ta lejojë atë të jetë me mua në Nju Jork," tha shefi i UNMIK-ut Petersen. Ai tha po ashtu se edhe po të shkonte kryeministri i Kosovës në Nju Jork, nuk do të kishte mundësi t’i drejtohej Këshillit të Sigurimit.
Duke shpjeguar këtë, kryeministri Haradinaj tha:
"Shpjegimi është se në bazë të procedurave atje flet një përfaqësues nga Kosova dhe në bazë të rezolutës 1244 përfaqësues yni është kryeadministratori. Në rast të prezencës sime do të isha shoqërues, pra ky është shpjegimi dhe meqenëse kam besim se ai prezanton mënyrën që ne e kemi vërtetuar punën, është me rëndësi që unë të vazhdoj punën në Kosovë".
Në anën tjetër vetë zoti Petersen, e ka siguruar kryeministrin Ramush Haradinaj, se ai do të raportojë në Këshillin e Sigurimit lidhur me përpjekjet që po bën Kosova në rrugën e përmbushjes së standardeve.
Kjo ka qenë hera e parë që një përfaqësues i institucioneve të Kosovës, është ftuar nmga kryeadministratori për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, edhe pse institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë insistuar që në raportimet e kryeadministratorit para Këshillit të Sigurimit, të merrnin pjesë përfaqësuesit e institucioneve vendore.


XS
SM
MD
LG