Ndërlidhjet

LUFTA TË CILËN NUK E KEMI PËRFUNDUAR


NEW YORK TIMES

Këto ditë, Uashingtonit nuk i kanë munguar prioritetet e politikës së jashtme, por përpara se ta shohim listën e detyrave të reja në mandatin e dytë të presidentit Bush, do të sugjeroja që në këtë listë të futet edhe Kosova.
Bota reagoi e tmerruar para 6 vjetëve kur regjimi i Sllobodan Millosheviqit ndërmori operacione të spastrimit etnik kundër shqiptarëve të Kosovës, duke detyruar gjysmën e popullatës të largohen nga Kosova. Raportet për Masakrat dhe pamjet e kolonave të gjata të refugjatëve që shkonin në Shqipëri dhe Maqedoni, e shtynë botën të veprojë. Fushata ajrore e NATO-s kundër Serbisë, e bindi Beogradin të heqë dorë nga sulmi brutal, dhe Kosova u vu nën administrimin e Kombeve të Bashkuara.
E tillë ajo mbetet edhe sot: nën protektoratin ndërkombëtar, legalisht pjesë e Serbisë, por me 90% të popullatës shqiptare, e cila më shpejt do të futej në luftë se sa t'i nënshtrohet sundimit të Beogradit. Kosovarët kërkojnë shtet të pavarur, dhe vonesat e pafundme të bisedimeve për statusin final, do të shkaktojnë vetëm frustrime dhe fyerje të thella. Pakënaqësia e tyre thjesht nuk ka të bëjë me krenarinë mbi sovranitetin kombëtar. Statusi i pazgjidhur i Kosovës ka pasoja serioze për jetën e përditshme. Për shkak se është nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Kosova nuk mund të bëhet pjesë e sistemit ndërkombëtar bankar, nuk mund të marrë kredi nga bankat për zhvillim, dhe nuk mund t'i joshë investuesit e huaj. Me papunësinë prej 70%, Kosova po vuan për ndihmat, të cilat aq shumë i nevoiten.
Ndoshta më e rëndësishmja është pasiguria e vazhdueshme në mesin e shqiptarëve, të cilët jetojnë me ndjenjën e përhershme të drojes se mund të kthehen nën sundimin serb. Kjo në thelb është një mendësi e rrethuar, e cila mund të shpërthejë në dhunë kurdoherë.
Kështu ndodhi në marsin e kaluar, kur shqiptarët protestuan duke vrarë të paktën 20 serbë, dhe shkatërruar qindra shtëpi dhe kisha të serbëve. Kuptohet, frustrimi nuk mund ta justifikojë dhunën e tillë, por ngjarjet demonstruan qartë se administrata e Kombeve të Bashkuara nuk funksionon.
Me afrimin e pranverës, rriten gjasat për përsëritjen e ngjarjeve. Por këtë herë me siguri mund të jetë më keq: serbët e Kosovës mund të kërkojnë nga Beogradi që të ndërhyjë për t'i mbrojtur, gjë që do të rezultonte me kthimin në një luftë të hapur në Ballkan.
Si mund të shmanget një ankth i tillë? Zgjidhja e vetme afatgjate është pavarësia e plotë për Kosovën, ndërsa çështja e vetme është si të arrihet tek ajo.
Qasja më e mirë do të ishte që Uashingtoni dhe partnerët e vet në Grupin e Kontaktit, të iniconin një proces për zgjidhjen përfundimtare, një Marrëveshje për Kosovën. Ato do të duhej të përcaktonin një afat kohor dhe disa rregulla. Qëllimi përfundimtar do të ishte pavarësia për tërë Kosovën. Opcionet tjera si bashkimi me Shqipërinë apo vendet tjera ku jetojnë shqiptarët, nuk do të duhej marrë parasysh. Ndërkaq shqiptarëve të Kosovës do të duhej t'u bëhet e qartë se progresi drejt pavarësisë do të përcaktohej nga trajtimi që ata u bëjnë serbëve dhe pakicave tjera.
Procesi do të duhej filluar sapo Kombet e Bashkuara ta përfundonin bartjen e përgjegjësive te qeveria e Kosovës. Pastaj kosovarët mund të fillojnë hartimin e kushtetutës. Ndoshta hapi i fundit do të ishte konferenca ndërkombëtare apo referendumi, dhe gjithçka do të kryehej deri në mesin e vitit 2006.
Pëlqimi nga Këshilli i Sigurimit apo Grupi i Kontaktit do të ishte i vështirë dhe mund ta prishte procesin. Por Shtetet e Bashkuara mund t'i bëjnë ballë kësaj duke bërë që sa më shumë vende të Bashkimit Evropian të na bashkangjiten në njohjen formale të Kosovës së pavarur, me shpresë që edhe Rusia më pastaj t'i bashkangjitet vullnetit të shumicës.
Nisur nga ngjarjet e 4 viteve të fundit, kuptohet që Kosova është lënë mënjanë, por situata thjesht është tepër e nderë për ta lënë anash përgjithmonë.

Autori i artikullit është FRANK CARLUCCI, ish sekretar amerikan i mbrojtjes në vitet 1987-89.




XS
SM
MD
LG