Ndërlidhjet

logo-print

QEVERIA SHPALL PILOT KOMUNAT PËR DECENTRALIZIMIN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot planin veprues për zbatimin e pilot komunave në kuadër të testimit të zbatimit të decentralizimit. Dokumenti bazë është aprovuar sot, ndërkaq ai do të përcillet për debat dhe shqyrtim edhe në Kuvendin e Kosovës. Qeveria është përcaktuar për pesë pilot komuna; së pari ka filluar me Prishtinën, ka ndarë nga ajo enklavën serbe Graçanicën si pilot komunë, pastaj Gjilanin, duke zbatuar pilot komunën në fshatin Partesh, po ashtu i banuar me shumicë serbe. Një pilot komunë tjetër do të jetë Mamusha e Prizrenit, që banohet me komunitetin turk, Hani i Elezit në komunën e Kaçanikut dhe pilot komuna e fundit do të jetë Juniku në komunën e Deçanit.
Plani është prezantuar nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj dhe Ministri i Pushtetit Lokal Lutfi Haziri, të cilët thanë se faza e ardhshme është vetëm testuese dhe se zbatimi i plotë i reformave në pushtetin lokal dhe i caktimit të kufijve të komunave, do të bëhet me ligje përkatëse. Dokumenti, tha kryeministri Haradinaj, përmban dy aspekte kryesore: aspektin parë të veprimit të menjëhershëm për ndërtimin e njësive pilot nëpër komuna dhe aspektin e dytë, përgatitjen e bazës ligjore për zbatimin e reformave. Haradinaj shpreson se plani do të marrë përkrahjen e qytetarëve e gjithashtu dhe opozitës:
“Po ndërtojmë pilot komuna, por është i nevojshëm një reformim i plotë i pushtetit, i cili është një proces i gjatë. Qeveria do të punojë natyrshëm, do t’i përgatisë materialet, ligjet, por të gjitha këto materiale, si dhe ligjet që janë të nevojshme, që janë edhe në materialin e grupit punues, do të kalojnë në shqyrtim në aprovim edhe në parlament. Pra është një proces i cili është afatgjatë dhe do ta kyçë edhe parlamentin”, tha kryeministri Haradinaj.
Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Jakup Krasniqi, e vlerësoi vendimin e qeverisë në kundërshtim me aktet ligjore të Kosovës dhe parimet bazë të Këshillit të Evropës për zbatimin e decentralizimit. Si i tillë, tha Krasniqi, plani i qeverisë është në funksion të ndarjeve etnike në Kosovë:
“Mendojmë që ky dokument duhej të miratohej paraprakisht në parlament dhe jo të anashkalohet parlamenti. Vendimi politik për krijimin e komunave të reja, duhet t’i lihej parlamentit dhe jo ndonjë grupacioni tjetër teknik”, tha Krasniqi.
Ai tha se PDK-ja nuk do të mbështetë asnjë plan, me të cilin do të bëhet ndarja dhe kantonizimi i Kosovës. Me qëndrimin e opozitës, nuk pajtohet kryeministri Haradinaj, i cili tha se i siguronte qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë kantonizim dhe ndarje etnike, por integrim të enklavave ekzistuese në kuadër të sistemit ligjor:
“Nuk dua ta ndërlidh me statusin politik të Kosovës, por vendimi për reformën e plotë në Kosovë do të merret në ndonjë rrethanë të re në Kosovë. Veprimi i tanishëm garanton plotësisht transformim të një gjendjeje egzistuese për integrim, pra për kalimin nga një gjendje e tanishme e funksionimit të enklavave në komuna të Kosovës, pilot komuna. Kjo nuk ndërlidhet dhe nuk mundëson në asnjë mënyrë një situatë të kantonizimit. Pra është një transformim i një gjendjeje të tanishme të strukturave paralele, e them, zhbërje e tyre dhe kalim në një funksionim të rregullt në Kosovë, që është interes i Kosovës”, tha Haradinaj.
Në anën tjetër, Ministri i Pushtetit Lokal, i cili ka marrë përsipër mbikqyrjen e zbatimit të këtij procesi, tha se pilot komunat e reja do të marrin mbi vete një varg përgjegjësish, të cilat do t’u delegohen atyre nga qendra:
“Parimi etnik, parimi i ndryshimit të kufijve dhe parimet e tjera që kanë qenë brenga kryesore e ne të gjithëve, e partive politike, e shoqërisë civile është eleminuar dhe ne po pretendojmë të vendoset një rrafsh i qëndrueshëm i vetëqeverisjes lokale. Më lejoni të them në prani të kryeministrit se ne planifikojmë të bartim detyra të deleguara në të gjitha komunat, duke i përfshirë edhe njësitë e komunave dhe këto detyra të deleguara janë përgjegjësi e madhe, të cilën ne dëshirojmë nga afër ta monitorojmë se si po realizohet, duke përfshirë edhe segmente dhe qasje në elemente të sigurisë”, tha Haziri.
Reformat në pushtetin lokal, respektivisht decentralizimi, pritet të testohet gjatë 18 muajve të ardhshëm, ndërkohë që do të përgatiten ligjet e domosdoshme, në mënyrë që me zgjedhjet e ardhshme lokale, Kosova të fitojë një hartë tjetër të brendshme nga ajo që ka sot, në të cilën do të figurojë një numër shumë më i madh i komunave sesa janë aktualisht.

XS
SM
MD
LG