Ndërlidhjet

BUSH: DYERT E NATO-S JANË TË HAPURA PËR SHQIPËRINË MAQEDONINË DHE KROACINË


Augustin Palokaj, Bruksel

"NATO-ja është aleanca më e suksesshme në historinë e botës", ka thënë sot presidenti amerikan Xhorxh W. Bush, pas samitit të NATO-s që ka shënuar stacionin e parë të vizitës së tij të parë që kur ka marrë mandatin e dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan Bush duke folur në një konferencë për gazetarë, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Shefer, tha se falë NATO-s sot Evropa është e bashkuar dhe e lirë. Presidenti amerikan në mes të shumë zotimeve që dha për raportet më të mira transatlantike, tha po ashtu se edhe për vendet e Ballkanit, ai përmendi Shqipërinë, Maqedoninë dhe Kroacinë, dyert e NATO-s do të mbeten të hapura dhe do të vazhdohet puna në kuadër të planit të veprimit për anëtarësim. Këtë e konfirmoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Shefer. Nga shumë liderë të vendeve të NATO-s, mësohet se edhe Kosova ka qenë ndër temat e diskutimeve të takimeve të sotme. Në konkluzat e lëshuara nga ky takim thuhet se NATO-ja mbetet e përkushtuar për stabilizimin e tërë rajonit dhe për të siguruar një të ardhme paqësore për Ballkanin, e posaçërisht për Kosovën. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jap de Hop Shefer, tha se procesi politik në Kosovë ku NATO-ja luan një rol të rëndësishëm, është kyç për stabilitetin e tërë rajonit dhe se NATO përmes KFOR-it, do të vazhdojë të kontribuojë në Kosovë, në krijimin e një atmosfere të qetë, në të cilën do të vazhdohet procesi politik. Shumë liderë të vendeve anëtare të NATO-s kanë thënë sot se po i afrohet koha zgjidhjes së statusit përfundimtar dhe kjo nuk do mund të shtyhet për një kohë të gjatë. Këta kanë thënë se perspektiva e Kosovës, sikurse edhe e tërë rajonit të Ballkanit është në integrimet evroatlantike. Pas NATO-s stacioni tjetër i vizitës së presidentit Bush është Bashkimi Evropian, ku ai pritet të takohet me liderët e 25 vendeve anëtare të BE-së.
XS
SM
MD
LG