Ndërlidhjet

E. STAVILECI: NUK ËSHTË DECENTRALIZIMI AI QË FAVORIZON STATUSIN, POR ËSHTË STATUSI AI QË DO TË FAVORIZONTE DECENTRALIZIMIN


Esat Stavileci akademik, ekspert i të drejtës administrative

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Stavileci, çështja më e përfolur këto ditë është decentralizimi. Si e shihni ju këtë proces?

ESAT STAVILECI
Unë në këtë rast do të dëshiroja të përmend disa nga përparësitë që ofron decentralizimi, sepse si një profesionist nuk mund të kundërshtoj konnceptin, idenë e decentralizimit për shkak të shumë përparësive që ka dhe ato i referohen shpërndarjes së përgjegjësive në më shumë shkallë, afrimin e shërbimeve qytetarit, shkurtimin e rrugës së komunikimit të pushtetit me qytetarin, përshtatjes kushteve dhe rrethanave të mjedisit të caktuar, identifikimit më të lehtë të parregullsive, individualizimit të përgjegjësisë, por nuk do të doja të përfundoja, pa përmendur disa prej mangësive që ka ky proces- mungesa e kujdesit për interesin më të gjerë, theksimi i tepruar i interesit të pjesshëm dhe mosfunksionimi i kontrollit.
Ndoshta është më interes të përmend dy-tre mësime nga rajoni lidhur me decentralizimin. E para se flitet për shpërputhje të madhe ndërmjet normatives dhe reales, e dyta për mbylljen në vete të parcializimit të interesave dhe e treta për mungesën e sinkronizimit të informatave.

RADIO EVROPA E LIRË
Atëhere, cila duhet të jetë qasja ndaj këtij procesi zoti Stavileci?

ESAT STAVILECI
Unë mendoj se ne kemi nevojë së pari për studime teorike dhe empirike, në mënyrë që të ndërtohet një model i decentralizimit, i cili do të ishte së pari shoqërisht i pranueshëm, së dyti politikisht i përshtatshëm, së treti profesionalisht racional, së katërti organizativisht funksional dhe së pesti etnikisht i hapur, po e vë theksin edhe një herë – etnikisht i hapur. Modelin e decentralizimit do të duhej ta sugjeronin qytetarët, të cilëve u referohet. Në këtë kohë kur nuk e kemi opinionin e qytetarëve, unë e konsideroj me shumë interes një debat që do të zhvillohej në Kuvendin e Kosovës, meqë në Kuvend janë përfaqësuesit e popullit dhe natyrisht se do të dëshiroja të përmendja edhe një fakt me interes. Meqë Kosova është nën administrim e përkohshëm civil ndërkombëtar, paraprakisht do të duhej të përballonim kufizimet, nëpër të cilat po kalon sot qeverisja institucionale në Kosovë. Unë kam tërhequr vërejtjen në disa momente, duke pasur parasysh se qeveria serbe përhap përherë idenë e territorializimit të çështjes serbe në Kosovë dhe Kosova pikërisht nga ky fakt, është e ballafaquar me obstruksionin serb të krijimit të organeve paralele dhe të enklavave mbi baza etnike. Së këndejmi mendoj se nuk korrespondon me logjikën e kushtetutshmërisë, që të bartet pushteti, i cili nuk është i përkufizuar si pushtet qendror. Prandaj po tërheq vërejtjen për katër momente, një që decentralizimi të mos identifikohet me ndarjen territoriale, dy që decentralizimi të mos ofrojë territorializim etnik, tre që decentralizimi të mos shpërfaqet në komuna apo njësi nënkomunale në baza etnike. Këtu kam, parasysh preokupimin e tanishëm në Kosovë rreth zonave pilot dhe komunave pilot.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht çështja e pilot komunave është më e diskutueshmja. Si duhet të veprohet në këtë rast?

ESAT STAVILECI
Në materialet që qarkullojnë thuhet se zonat pilot do të ishin më të suksesshme, nëse atyre do t’u jepet titulli i komunës-pilot dhe ky do të ishte mesazh që komuna pilot mund të kthehet në komunë të përhershme. Si rezultat ia vlen që ata t’i japin mbështetje të plotë. Mirëpo krijimi i këtyre komunave pilot, sikundër më duket, injoron disa prej çështjeve, që vazhdojnë të jenë të hapura, në kohën kur pritet të diskutohet për statusin e Kosovës dhe nga këto çështje të hapura janë për diskutim së paku këto: E para, meqënëse institucionet e Kosovës ende nuk kanë pushtet dhe më pak centralizim, shtrohet pyetja se çfarë do të mund të decentralizohej. E dyta, a mund të depushtetëzohet Kosova para se të pushtetëzohet, dhe e them këtë kushtimisht, sepse Kosova edhe ashtu nuk është e pushtetëzuar, meqenëse siç e dini, të treja pushtetet janë në duart e përfaqësuesit special. E treta, kam një përshtypje që mund të kërcënojë rreziku që pushteti në Kosovë mund të reduktohet në kornizat e qeverisjes vendore dhe të mbetet një vakuum më i gjatë dhe e katërta meqenëse institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca të plota dhe meqenëse ato nuk i shtrijnë autorizimet e veta në tërë territorin e Kosovës, pyetja shtrohet se a duhet të favorizohet përshpejtimi i procesit të decentralizimit. Unë mendoj se duke u deklaruar për domosdoshmërinë e një shkalle më të lartë të efektivitetit të shërbimeve publike, do të kisha sugjeruar që të bënim një hulumtim të përgjithshëm, për cilat nevoja dhe cilin model të decentralizimit, ka nevojë Kosova në këtë moment.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, përshpejtimi i decentralizimit dhe reformës së pushtetit lokal është kërkesë edhe e Grupit të Kontaktit. Si të veprohet ndërkohë?

ESAT STAVILECI
Çështja e efikasitetit të shërbimeve publike dhe reformimit të administratës publike duhen parë të ndara, edhe pse kanë një lidhje logjike dhe mund të ndërlidhen me decentralizimin. Sidoqoftë, përshtypja ime e fundit është se, nuk është decentralizimi ai që favorizon statusin, por është statusi ai që do të favorizonte decentralizimin, prandaj u sugjeroj institucioneve, që më shumë të merren me efikasitetin e shërbimeve publike dhe të reformimit të administratës publike, që edhe në territore ku jetojnë pakicat të rritet kjo shkallë e efikasitetit, por kurrësesi që decentralizimi për ndërlidhet me krijimin e njësive apo të komunave në baza etnike. Kjo nuk ndodh askund në botë, prandaj nuk sugjeroj të ndodhë as në Kosovë.

Intervistoi: Rrahman Paçarizi
XS
SM
MD
LG